Berluskoni: Mbështesim aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE.

Kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi garantoi në Tiranë, se "Italia do të mbështesë Shqipërinë kur të aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian". Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Sali Berisha në selinë e kryeministrisë, Kryeministri Berlusconi u shpreh për intesifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve. "Italia është një mike shumë e ngushtë e Shqipërisë dhe këtë e ka dëshmuar në këta dhjetëvjeçarë të mundimshëm që kanë karakterizuar jetën shqiptare. Italia që ka qenë gjithmonë një mbështetje e fuqishme e Shqipërisë në këto vite dhe do të vazhdojë të jetë e tillë", tha Kryeministri Berluskoni. Sipas tij "marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve, dëshmohen edhe nga prania në Itali e më shumë se gjysëm milioni shqiptarësh, apo dhe rreth 85 mijë nxënësve dhe 15 mijë studentëve shqiptarë që frekuentojnë Universitetet italiane".Duke u ndalur te aspirata euroatlantike e Shqipërisë, Kryeministri Berlusconi vlerësoi sukseset e arritura deri tani nga pala shqiptare. "Italia do të ketë krenarinë dhe nderin të mbështesë Shqipërinë në momentin që ju do të vendosni të paraqesni kërkesën për statusin e vendit kandidat në BE", tha Kryeministri italian.