E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armitage: Ruani nivelin e borxhit publik, në shifrat aktuale

“Ruani nivelin e borxhit publik në shifrat aktuale”. Ky mesazh ka ardhur prej drejtoreshës së Bankës Botërore, për Shqipërinë dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore, Jane Armitage. Sipas drejtoreshës së Bankës Botërore, një prej masave që duhet ndërrmarrë, është krijimi i një buxheti sa më konservator për vitin 2012 .
 

“Banka Botërore është në një dialog të fuqishëm me institucionet shqiptare për një konsolidim fiskal. Niveli i borxhit publik 59 për qind është një nivel i qëndrueshëm dhe jo shumë i rrezikshëm, por duhet vëmendje që të mos rritet, pasi kjo do të ishte mjaft negative për ekonominë shqiptare. Në këto momente, ne kemi nisur një dialog me Ministrinë e Financave dhe ata janë dakort me idenë për të marrë masat e nevojshme për të ruajtur nivelin e borxhit publik. Në këtë linjë, po punohet që në projektin e buxhetit 2012, çdo gjë të jetë konservatore”, u shpreh ajo.
 

Drejtoresha e Bankës Botërore, ka vënë gishtin edhe në çështjen e pronave, si një prej plagëve më të ndjeshme për Shqipërinë. Armitage ka deklaruar se ky problem është mjaft kompleks dhe duhet që të zgjidhet sa më shpejt.
 

“Kjo është një çështje që prek të gjitha vendet e rajonit, pasi është një trashëgimi nga periudha komuniste ku ka pasur shpronësime dhe pas rënies së komunizmit, ka dalë detyra për rikthimin e pronave. Ky është një problem kompleks. Qeveritë e njëpasnjëshme kanë bërë përpjekje për të rregulluar këtë problem, që njerëzve t`u jepet mundësia që të regjistrojnë pronat e tyre. Shqipëria duhet që të nxitojë të zgjidhë këtë problem, pasi ai është rritur edhe për shkak të emigrimit të brendshëm. Banka Botërore do të nisë së shpejti një projekt së bashku me qeverinë për të administruar gjithë këtë çështje”, është shprehur drejtoresha e Bankës Botërore.
 

Ndërkohë, në lidhje me ligjin e prokurimeve, Armitage deklaroi se është shumë ligj pozitiv por duhet që të zbatohet. Ndërsa në lidhje me refomën e pensioneve, drejtoresha e Bankës Botërore u shpreh se në fund të tetorit, do të mbërrijë në Shqipëri një grup, që do të merret me këtë çështje.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›