Shqipëri-Kosovë, marrëveshje për njohjen e lejeve të drejtimit

Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi
Ministria e Transportit të Shqipërisë dhe ajo e Kosovës nënshkruan sot një marrëveshje për njohjen e lejeve të drejtimit të automjeteve.
Marrëveshja është nënshkruar nga ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, dhe homologu kosovar, Fehmi Mujota.
Palët e cilësuan marrëveshjen si tepër të rëndësishme, sidomos në fushën e transportit duke patur parasysh fluksin e lëvizjes së qytetarëve, por edhe të mallrave.
Ministri Olldashi theksoi gjithashtu faktin se, marrëveshja merr rëndësi edhe pasi përkon me hapjen e sezonit turistik.
“Është lehtësim, është një procedurë më pak për të shkurtuar kohën e tranzitit kufitar, lehtësi për të gjithë ata që do të operojnë në rrugë”, tha Olldashi.
Në fjalën e tij ministri i Transportit i Kosovës, Fehmi Mujota, tha se, marrëveshje të tilla mundësojnë qarkullimin e lirë, por dhe njohje shtesë të një realiteti të ri të krijuar e që po forcohet gjithnjë e më shumë përmes vendimeve politike dhe heqjes së të gjitha pengesave burokratike për të dyja vendet.
Mujota informoi se, në 27 nëntor të 2012-ës do të përfundojnë punimet në 60 km të autostradës “Ibrahim Rugova”, që lidh Prishtinën me Tiranë. /E.L/