Shqipëri-Kosovë, marrëveshje për transferimin e të burgosurve
Shqipëria do të lidhë marrëveshje për transferimin e të burgosurve me shtetin e ri të Kosovës. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, priti dje në një takim pune, homologun e tij kosovar, Haki Demollin, ku ndër të tjera u diskutuan edhe për problemet e drejtësisë së dy vendeve si shërbimi i provës apo dënimet alternative. Ministri kosovar, Demolli, dhe delegacioni i tij, do të zhvillojnë në vendin tonë një vizitë dyditore, ndërsa takimi mes dy ministrave të Drejtësisë u përqendrua në vazhdimin e bashkëpunimit të të dyja palëve. Fushat në të cilat kërkohet bashkëpunim juridiksional është transferimi i të burgosurve nga të dyja shtetet, një marrëveshje e cila ende nuk është lidhur, dhe ka vënë në vështirësi transferimin e dhjetëra shqiptarëve të arrestuar në Kosovë dhe anasjelltas. “Takimi u përqendrua në fushën e bashkëpunimit juridiksional, për transferimin e të burgosurve, atë të hartimit të ligjeve, administrimit dhe të funksionimit të burgjeve, mjekësisë ligjore, noterisë etj.”, thanë burimet nga Ministria e Drejtësisë. Pas takimet, Nishani deklaroi se të dy ministritë do të thellojnë bashkëpunim në zbatim të marrëveshjes së lidhur me parë për transferimin e të burgosurve. “Kemi rënë dakord të negociojnë për të lidhur marrëveshje të reja në fusha si: shërbimi i provës, zbatimi i dënimeve alternative, shërbimi përmbarimor, avokatura, në të cilat do të ketë shkëmbime në nivel ekspertësh”, tha Nishani. Pas tij fjalën e mori ministri i Drejtësisë së Kosovës, i cili e cilësoi takimin si të frytshëm në fushën e drejtësisë të dy vendeve tona. Në këtë takim, ministri i Drejtësisë së Kosovës shoqërohej nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Gazmend Pula.
#