E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Mali i Zi, marrëveshje për kërkimin shkencor

Shqipëria dhe Mali i Zi do të realizojnë projekte të përbashkëta të kërkimit dhe zhvillimit shkencor e teknologjik, në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar mes ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja dhe homologut të tij malazez, z. Sreten Shkuletiq. Zyra e shtypit e MASH bëri të ditur se ministri Beja zhvilloi një vizitë zyrtare në Mal të Zi, me ftesë të homologut të tij, z. Sreten Shkuletiq. Gjatë takimit dy ministrat, pasi vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve fqinje, u përqendruan në reformat arsimore dhe shkencore.

Xhuveli: Akuakultura shqiptare, 2000 ton prodhim

"Në bazë të kapaciteteve të instaluara, pritet që në një periudhë dyvjeçare prodhimi nga akuakultura bregdetare në vendin tonë të arrijë në rreth 2 mijë ton", - tha të mërkurën ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Lufter Xhuveli, gjatë punimeve të Sesionit të 6 të Komitetit të të Akuakulturës së Komisionit të Përgjithshëm të Peshkimit për Mesdheun (GFMC). Sipas tij, akuakultura në Shqipëri është një sektor me rritje të shpejtë në tre vitet e fundit. Numri i iniciativave në akuakulturë është rritur ndjeshëm dhe po ashtu dhe prodhimi dhe rëndësia e sektorit në ekonominë shqiptare.

Bari, mbeten të bllokuar kamionët shqiptarë

Problemi i disvoltave, apo ndryshe lejeve të qarkullimit, është rishfaqur sërish në Durrës, e pse jo, edhe në gjithë sistemin e transportit me Italinë. Burime portuale thanë dje për “standard” se “vetëm një numër shumë i kufizuar kamionësh me targa shqiptare mund të udhëtojnë nëpër rrugët e Italisë, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë bllokuar prej 2-3 muajsh, pasi kanë mbaruar disvoltat”. Disvoltat, quhen ndryshe lejet e qarkullimit që shteti italian aplikon për mjetet tona të tonazhit të lartë. Dje dy shoqëri të transportit, që tentuan t’i nisin mjetet e tyre të pashoqëruara me këtë dokument që lëshohet nga Ministria e Transporteve Italiane, e pësuan me sekuestrimin e dy kamionëve.

Artur Ajazi

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›