Vatikani: Indiferenca dhe cektësia, të këqijat e vërteta të kulturës së sotme
Deklaratat e kardinalit Xhanfranko Ravazi, në ushtrimet shpirtërore në Vatikan, në ditët para mbledhjes së Kuries për zgjedhjen e Papës së ri
Pajtimi e pendesa, heshtja e Zotit dhe hiçi. Mbi këto tema u përqendrua meditimi i djeshëm i kardinalit Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, i cili po mban ushtrimet shpirtërore në Vatikan, në praninë e Papës dhe të Kuries Romake.
Mëkati, vuri në dukje prelati, është vepër personale e lind nga liria, që Zoti i ka dhënë njeriut. Nganjëherë, njeriu e shpërdoron këtë liri e rebelohet, revoltohet, por s’bën tjetër, veçse largohet nga Hyji i vet: “Mëkati është para së gjithash e sidomos, një realitet teologjik; mund të ketë edhe aspekte psikologjike, por është teologjik. Prandaj, Sakramenti i Pajtimit nuk mund të barazohet kurrë me psikoanalizën, sepse është absolutisht themelore vetëdija që ka mëkatari për Zotin”.
Udha e drejtë, vazhdoi kardinali Ravazi, gjendet në kthimin e zemrës, që na bën ta ndryshojmë mendësinë e të lemë pas gjërat, pas të cilave ishim kapur me thonj e me dhëmbë. Natyrisht, nuk është e lehtë. E këtu, kardinali Ravazi u lexoi të pranishmëve Letrën e dytë të Shën Palit Apostull drejtuar Korintasve, duke nënvizuar një term juridik, që shpreh lidhjen ndërmjet njeriut e Zotit: “Katalaso, katalagè: kjo fjalë teknike është folja, që tregon aktin e gjykatësit, i cili përpiqet të pajtojë dy bashkëshortë, që s’merren vesh ndërmjet tyre. Është gjesti, tashmë i famshëm – pjesë e jurisprudencës në shumë vende të botës – në rastet e ndarjes e të divorcit: zakonisht, gjykatësi, në mënyrë formale, pyet nëse palët dëshirojnë të arrijnë një marrëveshje. Shën Pali përdor këtë fjalë të pajtimit juridik, të themi; prandaj, është fjalë që ka pas vetes përmasën bashkëshortore – pra, atë lidhje që ne kishim me Zotin – lidhje martesore, që prishet me anë të mëkatit”.
Në udhën e lodhshme drejt faljes, nuk mungon tensioni, pritja, “drithërima e thellë” e emocionit, tha kardinali Ravazi, për t’u bërë njerëz të rinj: “Në shoqëri, jo gjithmonë të jepet mundësia t’ia nisësh nga fillimi: disa njollosen përgjithmonë, pavarësisht se ligji parashikon përpjekje për ta ndrequr e për t’ia propozuar sërish shoqërisë, njeriun që gabon. Por, mbetet gjithnjë një lloj vule mbi atë, që ndoshta me të drejtë, është gjykuar si fajtor. Ndërsa në Bibël nuk është kështu; sidomos në Isainë Profet, kemi figurën e Zotit, që i hedh pas shpine mëkatet e njerëzve, që të mos i shohë më. Pra, ato mëkate nuk ekzistojnë më për Hyjin. Kjo është shlyerja e vërtetë e tyre”.
Mungesa, apo heshtja e Zotit dhe hiçi: temë tjetër e meditimit të kardinalit Ravazi, i cili u bazua në Psalmet 14 dhe 53. Dy termat duken të ngjashme, por nuk janë e njëjta gjë. Duke e thjeshtuar çështjen, mungesa e Zotit sjell nostalgjinë për Të, ndërsa asgjëja, hiçi është e keqja e vërtetë e kulturës së sotme. Jo kur mendojmë se Zoti hesht, por kur mendojmë se nuk ekziston, hyjmë në botën e ateizmit praktik: “Është indiferenca, është cektësia, është banaliteti. Si mund të ndikojmë në këtë lloj mjegulle, në këtë lloj përzierjeje; është diçka elastike, e squllët, që nuk përmban asnjë nostalgji brenda vetes, është asgjëja, hiçi, e jo boshllëku i pritjes. Nga pikpamja baritore, ne meshtarët, fatkeqësisht, hasim më shpesh këtë formën e dytë të ateizmit”.
Pastaj, duke folur për heshtjen e Zotit, kardinali Ravazi vërejti sa herë e ndjen këtë besimtari: “Ta mendojmë vetveten, sa herë e kemi provuar heshtjen e Zotit, mungesën e Tij, ndoshta përmes shkurajimit e mosbesimit. Për ne, Hyji nuk zhduket krejtësisht nga horizonti, por nuk e ndjejmë më. Do të dëshiroja që ne të gjithë, që jemi ipeshkvij, të mendojmë pak edhe për klerin, për të gjithë ata meshtarë që jetojnë këtë përvojë e nuk kanë aftësi ta përtypin si duhet, aftësi, që ne duhet t’u japim atyre, sidomos përmes dëshmisë”.
E megjithatë, psalmisti, pasi provon heshtjen e Zotit, në përfundim të Psalmit 22, arrin të thotë plot gëzim: “Ti m’u përgjigje!” Ashtu si për të, për të gjithë besimtarët, lutja drejtuar Hyjit bëhet himn falenderimi, shenjë besimi pas orëve të heshtura, dëshmi se lutja nuk bie në vesh të shurdhër. Kardinali Ravazi dha një shembull kuptimplotë. Dramaturgu i teatrit absurd, Eugene Ionescu, ateist, para së të vdiste shkroi këtë frazë:
“T’i lutem. Nuk di kujt. Shpresoj, Jezu Krishtit”.
Ndërkaq, mbrëmë, kryetari i Këshillit Papnor të Kulturës e përqendroi vëmendjen në kategoritë e dhimbjes e të izolimit. Zoti, në Jezu Krishtin, nënvizoi prelati, duke shpjeguar këndvështrimin e krishterë për këto argumente, përkulet mbi njeriun dhe e merr mbi vete vuajtjet e kufizimet e tij. Jezusi provon krejt gamën e errët të dhimbjes: frikë, vetmi, izolim, tradhti, vuajtje fizike, heshtje e Zotit, vdekje. Gjithë dhimbjet e njeriut i bart mbi trupin e vet, si shpërblim për mëkatet e shumë vetëve.
Fokus - Benedikti XVI e dashuria për Virgjërën Mari, Nënën e Zotit në heshtje e përvujtëri/“Ta ndjekim e ta imitojmë Marinë” dhe e “tërë jeta jonë le të bëhet një këngë Madhërimi”. Dashuria për Virgjërën Mari, Nënën e Zotit është një ndër aspektet karakterizuese të përmasës shpirtërore të Papnisë së Benediktit XVI. Një Papë marian, mund të themi, siç ishte paraardhësi tij Gjon Pali II. Një dashuri binore që lind e vjen nga larg. Nëse, në jetën e Papnisë së Karol Ëojtilës pati rol të madh Shenjtërorja e Zojës së Bekuar e Czestochows, po kështu mund të thuhet për Jozef Ratcingerin e Shenjtëroren e Zojës së Bekuar në Altotting, e cila është zemra mariane e Bavarisë gjermane. Ta lejojmë Marinë të na udhëheq në takimin tonë me Jezusin. Në çdo audiencë, fjalim, homeli Benedikti XVI ia beson përherë besimtarët Virgjërës Mari. Është ajo me përvujtërinë e saj, përsërit Papa me mijëra herë, që na tregon udhën për të arritur te zemra e Birit të Saj. Maria e Foshnja janë, me “fuqinë e tyre të pambrojtur”, nënvizon Papa Ratcinger, që fitojnë mbi “zhurmën e fuqive të botës”:
“Lavdia e Zotit nuk shfaqet në triumfin e në pushtetin e një mbreti, nuk shkëlqen në një qytet të famshëm, në një pallat madhështor, por zë depërton e banon në kraharorin e një virgjëre, zbulohet e shkëlqen në varfërinë e një foshnjeje. Gjithpushtetësia e Hyjit, edhe në jetën tonë, vepron me forcën, shpesh të heshtur, të së vërtetës e të dashurisë”. (Audienca e përgjithshme, 19 dhjetor 2012
Benedikti XVI shkon shtegtar nëpër Shenjtëroret kryesore të Zojës së Bekuar të mbarë botës. Nga ajo më familjare për të, në Altotting të Gjermanisë, tek shenjtërorja e Zojës në Pompei e Loreto të Italisë, në Lurdë, në Fatima, në Cestohova e akoma në Mariacel të Austrisë dhe në Aparesida të Brazilit. Jozef Ratcinger vë në pah se këto Shenjtërore të Zojës nuk janë “katedrale në shkretëtirë”, por oaza të shpirtit, të vendosura në tokat e tyre si shembull të “një qytetërimi të dashurisë”. Maria, na kujton Papa Ratcinger, është e para që e pranon Krishtin e jeton një marrëdhënie të veçantë me Shpirtin Shenjt dhe Kishën:
“Në Rrëshajë, Virgjëra Nënë duket përsëri si Nuse e Shpirtit, në saje të amësisë universale që ka ndaj të gjithë atyre që janë të lindur nga Hyji me anë të fesë në Krishtin. Ja se pse Maria është për të gjitha breznitë imazhi dhe shembulli i Kishës, që së bashku me Shpirtin Shenjt ecën në kohë e në histori duke u lutur për kthimin e lavdishëm të Krishtit: ‘Eja o Zot Jezus!”. )Mbyllja e muajit marian, 31 maj 2009).
Benedikti XVI i fton të gjithë besimtarët, posaçërisht të rinjtë, t’i lutën Virgjërës Mari, në mënyrë të veçantë ta lusin Rruzaren e cila, nënvizon ai, “na ndihmon t’i përshkojmë ngjarjet e jetës së Zotit tonë Jezu Krisht, të shoqëruar nga e Lumja Mari Virgjër, e për t’i ruajtur ato siç bëri Ajo, në zemrën tonë”. Ati i Shenjtë Ratcinger na kujton më tej se “po-ja” e Marisë thënë ndaj propozimit të Hyjit e ka mposhtur dhe mundur të keqen. Ja se pse edhe në sprova të jetës, që na bëjnë të luhatemi, në Të ne mund të gjejmë një mbështetje të sigurt:
“Miq të dashur, sa gëzim i madh është ta kesh Zojën Mari të Papërlyer! Çdo herë që përjetojmë brishtësinë tonë njerëzore e trysninë e së keqes, ne mund t’i drejtohemi Asaj, e zemra jonë fiton dritë e ngushëllim”. (Lutja Engjëllit të Tënzot, 8 dhjetor 2009).
E kujtomë se Papa Benedikti XVI ia beson Virgjërës Mari Vitin e Fesë, në 50-të vjetorin e fillimit të Koncilit II të Vatikanit. Domethënës, pastaj, është që udhëtimin e tij të fundit baritor në Itali e bëri pikërisht në Shenjtëroren e Zojës së Bekuar në Loreto. Tradita do që zemra e këtij vendi të jetë shtëpia në të cilën ka jetuar Maria. Po Papa Benedikti XVI flet për shtëpi tjetër, që shkon përtej gurëve të një ndërtese. Maria është “shtëpia e gjallë” që e pranon Jezusin: “Aty ku banon Zoti, duhet të pranojmë e të dimë se të gjithë jemi e ndjehemi si ‘në shtëpinë’ tonë: aty ku banon Krishti, vëllezërit e tij e motrat e tij nuk janë të huajë. Maria, që është nëna e Krishtit është edhe nëna jonë, ajo na hap portat e Shtëpisë së tij, na udhëheq e prijnë të hyjmë në vullnetin e të Birit”. (Vizita në Loreto, 4 tetor 2012).
Marrë nga Radio Vatikani