Teatri i kukullave dhe pinoku amerikan
Nga dr. Kesiana Lekbello.
Që mund të ishte fushata elektorale – nëpërmjet konfrontimit dhe kundërshtimit të forcave politike në kompeticion per qeverisjen diçka normale– çelësi i fillimit të nacionalizmit shqiptar, më duket e çuditshme dhe më krijon disa probleme, sepse si shqiptarë ndjenjën e kombit e kemi patur përherë ndër shekujsh, nacionalizmi jonë njihet fortë mirë: dashurojmë vendin tonë dhe mbrojmë kulturën tonë, kjo nuk është e re për ne si shqiptarë.
Shumë gjëra ndodhin përditë që irritojnë pa masë sistemin tonë nervor, kemi aq probleme te ndërlikuara që presin zgjidhje saqë personalisht e quaj retorike - jo nacionalizmin e Berishës – por falsitetin e shqetësimit të amerikano/evropianëve në lidhje me deklaratat e kryeministrit shqiptar.
U kujtua sot Amerika t’i shkruajë letër Berishës dhe t’i drejtohet gati me kërcënim: “Mos na bëni t’ju dënojmë publikisht”. E dashur Amerikë, që di dhe njeh sekretet, je vërtetë e bindur që Sali Berisha po të sjell humbjen e stabilitetit në Ballkan? Kujt i drejtohesh me letrën tënde, fëmijëve të kopshtit duke u treguar përrallën e radhës, apo ka ardhur momenti i ndërrimit në qeverisje; mjaft me Berishën, sepse deri dje kur Berisha fliste, vepronte, apo u akuzonte të kishte vjedhur votat e popullit, për të mos u zgjatur Gërdeci etj, Amerika nuk ju drejtua Berishës dhe t’i thoshte “mos na detyro t’ju dënojmë publikisht”.
E pra unë si qytetare e lirë jam e ngopur kur shikoj Reekerat, Fylet e radhës që vijnë dhe qortojnë sipas turneve vendin tonë, jam e ngopur edhe me propagandat e tyre, jam e lodhur gjithashtu edhe me ambasadorët që jetojnë në Shqipëri, personalitetet e radhës edhe ata që akoma nuk dinë të flasin shqip. Më falni por nuk gaboj aspak nëse shkruaj se qytetarët gjermanë, francezë apo italianë nuk njohin, nuk dinë emrat e ambasadorit amerikan në Gjermani, Francë e Itali {me Google gjen çdo gjë sigurisht}.
Dikush mund të thotë që vendi jonë është në rrugën e zhvillimit demokratik, ok, në rregull, por të kërcënosh dhe të më detyrosh të kem një mendim me ty, sepse po prish një stabilitet do të thotë që kjo nuk është demokraci. Kuptoj shumë mirë dhe më vjen keq që ne masat trajtohemi si idiotes kur Amerika më shet idenë që Berisha po futet në punët e brendshme të Serbisë; edhe e majta në Shqipëri mbështet Preshevën, të drejtën e Përkujtimores që u hoq në mënyrë brutale, atëherë e dashur Amerikë: Saliu apo Rama po të prishin apo të ndreqin stabilitetin e rajonit Ballkanik?
Për kulturën time demokracia tek në është ajo “kotele” {dhe jo qingji i urtë} që i bindet asaj që thotë USA/Europa; sigurisht deri me një pikë, sepse të dish të kundërshtosh shpesh herë do të thotë të ecësh në jetë me këmbët e tua. Dikur, gjatë kohës së Enverit, ekzistonte Teatri i kukullave që interpretonte pinokun që sa herë gënjente i rritej hunda; teatrit i kukullave sot ndoshta nuk është më, por pinokut vazhdon dhe i rritet hunda sa herë që gënjen; ndaj nuk mendoj vërtet që nacionalizmi i Berishës shqetëson Amerikën, vërtetë nuk e besoj!
Shpresoj ndërkohë mbi modelin e një shoqërie civile të hapur dhe të lirë ku dialektika të jetë filozofia e politikës që vendos kushtet për t’i thënë ndonjëherë Ndërkombëtarëve – jo gjithmonë keni të drejtë , kur impononi me forcë mendimin tuaj. Më vjen keq këtë herë nuk jam dakord me ju -. Konkluzioni i këtij qëndrimi shumë shpesh është fisnikëri, por edhe spontanitet, pse jo dhe evolucion për ekzistencë që paraprinë rregullat e politikës, të cilat konkretizohen jo pa qëllim tek ideja dhe lindja e demokracisë. Amerika nuk mund të urdhëroj që të gjithë të mendojnë dhe të flasin siç dëshiron ajo!
Nga ana tjetër, Brukseli duhet të reflektojë pak më tepër kur si gramafon i prishur përsërit akoma tre ligjet, që sipas PD, por jo sipas BE, është faji i opozitës, si ta zgjidhim këtë punë? Kujt i mbetet faji? Sa e sa probleme kemi ne në Vendin tonë, aq të mira qofshin, por që nacionalizmi do të na ishte vërtet çelsi sekret i merakut/shqetësimit Amerikan dhe BE, më bënë shumë për të qarë, këtu për të qeshur ka pak, sepse lejojmë akoma veten të vendosin të tjerët të na tregojnë që nacionalizmi jonë është përçarës në Ballkan.
Shqiptarët me gjithë defektet e tyre sociale, morale apo kulturale kanë gjetur ndër shekuj të mbijetojnë falë nacionalizmit të shëndoshë, askujt si kemi shkelur në kallo, përkundrazi, na kanë shkelur e copëtuar, nuk jemi ne apo Berisha rreziku i Ballkanit historikisht?! Nëse Shqipëria e meriton të jetë e dënuar publikisht bëje o Amerikë, por jo të na tërheqësh për hunde, sepse ajo që është më e keqe dhe ofenduese për mua quhet/mbyllje e gojës publikisht! E bukur nga na vjen leksioni, nga vendi i demokracisë!