E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri: Socialistët dhe demokratët përfundojnë listat e kandidatëve

Në Shqipëri dy partitë e mëdha përfunduan listat e kandidatëve për deputet me të cilët ata do të paraqiten në garën elektorale të 28 qershorit. Socialistët megjithatë nuk arritën mbrëmë të dorëzonin listën në komisionin qendror të zgjedhjeve brenda afatit ligjor, në mesnatë dhe pritet ta bëjnë këtë sot në mengjes.

Edhe demokratët të cilët e kishin mbyllur listën që pasdite vonë, e dorëzuan listën po ashtu tej afatit. Në të dy krahët lista është e mbushur me shumë emra të rinj ndërkohë që disa nga deputetët aktualë janë lënë tashmë jashtë.

Edhe kryetari socialist Edi Rama përfundimisht nuk do kandidojë duke mos dashur të heqë dorë nga bashkia e Tiranës.

U transformua në një odise të vërtetë përcaktimi i kandidatëve për deputetë nga ana e dy partive më të mëdha të vendit. Edhe mënyra se si kjo çështje u administrua nga dy krerët e forcave kryesore politike në vend ishte thuajse e ngjashme. Gjatë gjithë ditës së djeshme kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha  ka zhvilluar konsultime në zyrën e tij në selinë e qeverisë. Ai dhe katër drejtuesit kryesorë të partisë kanë kaluar në dorë të gjithë emrat. Vetëm pasdite,  mesa duket vetëm për të respektuar formalisht disa procedura të brendshme kryeministri Sali Berisha mblodhi kryesinë ku vetëm lexoi listën e kandidatëve të përzgjedhur prej tij.

E njëjta panoramë edhe në Partinë Socialiste. Kryetari Edi Rama i ka thirrur thuajse të gjithë një për një duke u ndalur më gjatë në konsultime me anëtarët e kryesisë që ishin caktuar si përgjegjës në qarqe. Edhe ai në darkë vonë mblodhi kryesinë, ku po ashtu vetëm lexoi listën me 140 emra. Kjo listë u mbajt e fshehtë dhe pritet të bëhet publike vetëm sot nga kryetari socialist, por Zëri i Amerikës mundi ta sigurojë atë.

Lista ende nuk ka shkuar në Komisionin Qendror të zgjedhjeve, duke shkelur haptazi afatin ligjor të përcaktuar në kodin elektoral. Në mënyrë të pashpjegueshme këtë afat, që ishte mesnata e mbrëmshme, nuk e respektoi as Partia Demokratike e cila megjithatë, ndonëse me vonesë e dorëzoi listën e saj.

Në listat e të dy partive ka ngjashmëri edhe për faktin se të dy kryetarët kanë eleminuar ata deputetë të cilët nuk kishin dëshmuar gjithmonë besnikëri ndaj tyre, Kështu kryeministri Sali Berisha praktikisht ndëshkoi të gjithë atë që përpara një viti do i cilësonte si pjesë të një grupi që tentuan të krijonë një pakice bllokuese brenda radhëve të deputetëve demokratë, e që në atë kohë u panë si përkrahës të presidentit Bamir Topi, mbi 10 të tillë, përfshirë edhe anëtarin e kryesisë Aleksandër Biberaj. Po ashtu edhe përfaqësues të tjerë si Rexhep Uka apo Blerim Cela e Prec Zogja janë lënë jashtë listës. Ndërsa disa të tjerë janë renditur në pozicione ku zgjedhja e mundshme e tyre eshtë mjaft e rrezikuar. Edhe disa figura të tjera si drejtori i Korporatës enrgjitike Gjergj Bojaxhi apo zëvendësministrja e jashtme Edit Harxhi janë po ashtu në në gjysmën e dytë të listës në qarkun e Tiranës duke qenë kështu në pikëpyetje.

Pak e shumë e njeta skemë është përdorur edhe nga kryetari socialist Edi Rama, i cili la jashtë edhe ato pak deputetë që shiheshin end si simpatizantë të ish kryetarit Fatos Nano, i cili gjithashtu nuk u përfshi në listë. Një tjetër emër i spikatur i socialistëve, nënkryetari i parlamentit Ylli Bufi, është lënë jashtë se bashku me ish presidentin socialist Rexhep Mejdani i cili pak ditë më parë u shfaq si një ndër personazhet me peshë në takimin e organizuar për prezantimin e programit të partisë socialiste. Një tjetër emër i njohur i angazhuar në hartimin e programit, ish guvernatori Shkëlqim Cani nuk figuron ne listat për deputet. 

Në 140 kandidatët e partisë socialiste janë futur plot emra të rinj, disa nga shoqëria civile e të tjerë të përzgjedhur dhe të promovuar prej kohësh nga vetë zoti Rama. Listën e emrav në kryeyqtet e hap Vasilika Hysi, drejtuese e Komitetit shqiptar të Helsinkit. Vetë kryetari socialist sic edhe ksihte paralajmëruar nuk do të kandidojë për deputetë, duke qenë se një gjë e tillë do ta detyronte të linte bashkinë e Tiranës. Në rast fitoreje ai do të jetë kryeministër i ardhshëm e njëkohësisht kryetari i bashkisë më të madhe të vendit. Një zgjedhje e cila po i përdoret kundër nga rivalët e tij olitik të cilët e interpretojnë si një gjest frike nga humbja e njëkohësisht si një dëshirë të tij për të patur në duar sa më shumë pushtet. //kk//

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›