Nano: Partia e Edvinit vjen në zgjedhje e shpartalluar, me 29 qershor do të vihem në krye të opozitës

Fatos Nano, Kryetari historik i socialistëve ka deklaruar dje se lista ylberiste e Edvinit është krejtësisht klienteliste, e mbushur me afaristë që e kanë lidhur kapistallin me buxhetin e bashkisë e se PS-ja zyrtare po shkonte në zgjedhje e demotivuar dhe e shpartalluar, e sigurt në humbje, por përballë imperativit për t’u riorganizuar gjatë 4 viteve të opozitës, në legjislaturën 2009-2013
TIRANE - Lista zgjedhore e Edi Ramës karakterizohet nga dy lloje nga njerëz që kanë turp nga e kaluara e tyre politike dhe nga njerëz që janë viktima apo promotorë interesash afariste dhe private që nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Socialiste ndërsa modeli i Bashkisë së Tiranës është modeli i një tufe teknokratësh të lidhur mes tyre nga aferra korruptive. Është ky vlerësimi që ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano ka dhënë dje gjatë një interviste televizive dhënë për emisionin “Opinion”.
Duke mos u shprehur i shqetësuar për mospërfshirjen e tij në listat e kryesocialistit Rama, lideri historik i socialistëve ka hedhur akuza mjaft të ashpra në drejtim të pasardhëasit të tij në selinë rozë.
“Partisë Socialiste iu degradua memoria dhe arkivi i qeverisjes sime tashmë edhe po transformohet duke sjellë njerëz pa identitet dhe që nuk kanë asnjë rekord publik në administrimin publik të shtetit dhe qeverisjes. Unë nuk mund të ndërpres aktivitetin tim politik nuk mund të mos i kushtoj vëmendje zhvillimeve në PS vetëm nga salla e parlamentit. Nuk besoj se kjo që po ndodh me listat e PS në zgjedhjet e 28 qershorit është i vetmi akt i vërtetë i politikës kokëlulëse të juntës të interesave aspak përfaqësuese që Edi Rama ka ngritur në PS deri sot. Fakti që deri minutat e fundit nuk janë shpallur listat, nuk po bëhen detyra me e madhe, fakti që edhe këto minuta e gjithë selia është në kaos të plotë. Edi Rama nuk mund të mos i tregonte kthetrat e veta që e kanë shqyer PS dhe e kanë humbur identitetit. Tani po vijnë produktet e Ramës në lista, ka rezistencë ka kaos. PS hyn në këto zgjedhje në mënyrë kaotike”, deklaroi Nano.
Ish-kreu i PS tha se edhe në rast se do të ishet përfshirë në listat zgjedhore do të kishte refuzuar garimin për shkak se, “e ka refuzuar partinë e Edi Ramës në këto 4 vite dhe nuk mund të bënte diçka ndryshe sot”.
Nano ka kontestuar edhe atë që Rama e cilëson si model qeverisës që kërkon t’a implementojë në të gjithë Shqipërinë, modelin e drejtimit të Bashkisë së Tiranës.
“Nuk shfaqet asnjë formulë projekt dhe strategji që të evokojë të kaluarën një parti pa memorie është një parti jokonkurruese nuk premton asgjë të suksesshme. Modeli i Bashkisë nuk është model i socialistëve. Askush nga PS-ja nuk ka përfituar nga administrimin e punëve të saj. Edi Rama ka krijuar ekipin e vet por ata nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Socialiste, janë një ekip teknokratësh që kanë sjellë një numër të pafund konteste për abuzime me fondet publike. Modeli i Bashkisë së Tiranës nuk jep asnjë mesazh politik për karrierën e ekspertëve. Ndërprerjet e befta të drejtuesve më të lartë të Bashkisë së Tiranës të lidhura me prishjen e aferrave të ndryshme klienteliste, janë dëshmi se aty nuk mund të punohet me meritokraci por vertëm mbi bazën e projekteve të manipuluara nga zyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës”, nënvizoi Nano.
Mjaft kritik ish-kreu i socialistëve është shfaqur edhe ndaj vendimit të Ramës për të moskandiduar vetë në zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas Nanos ky është një veprim politikisht i papërgjegjshëm që do të çojnë PS-në dhe koalicionin e saj drejt humbjes. “Kryetari i formacionit që pretendon të transformojë gjendjen aktuale në Shqiperi po nis ushtrinë e vet elektorale pa komandant në betejë kjo është një ushtri e demotivuar dhe e shpartallua”, u shpreh Nano.
Ai paralajmëroi nevojën e një reforme të thellë në gjirin e së majtës që sipas tij do të duhet që të fillojë pas zgjedhjeve të përgjithshme.
“Unë pasqyroj nevojën e një transformimi të madh që duhet që të ndodhë. Në rast se nuk ndodh që në zgjedhje të arrihet një mazhorancë qeverisëse e së majtës, reformimi i së majtës është domosdoshmëri. Sëmundjet janë shumë më të thella sesa spektakli mediatik i zgjedhjeve”, theksoi lideri historik i socialistëve.