E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri-Turqi, hyn në fuqi MTL

Pas shumë raunde bisedimesh, Shqipëria dhe Turqia kanë arritur në fund të finalizojnë marrëveshjen e tyre të tregtisë së lirë. Autoritetet më të larta turke njoftuan se marrëveshja do të hyjë në fuqi pas dy ditësh, çka është konfirmuar dhe nga burime të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Tregtia e lirë mes Shqipërisë dhe Turqisë pritet që të vendosë eksportuesit turq në kushte të barabarta me ata të Bashkimit Evropian. Produktet turke, ndonëse me kosto të ulët, kanë qenë në një disavantazh krahasues me ato të vendeve të BE-së, për shkak të tarifave doganore që paguajnë. Por ekspertët thonë se marrëveshja pritet të stimulojë edhe investimet e përbashkëta mes bizneseve të të dyja vendeve. Marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Turqisë kanë një mbështetje të fortë politike, çka u konfirmua edhe nga vizita e pak kohëve më parë në Tiranë e Kryeministrit turk Erdogan. Së bashku me Kryeministrin Berisha, të dy premtuan se do t‘i nxisin marrëdhëniet ekonomiko-tregtare mes dy vendeve.

Tregtia

Marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Turqisë po njohin një rritje të fortë dhe konstante gjatë viteve të fundit. Për vitin 2007, Turqia u rendit si partneri i tretë tregtar i Shqipërisë, pas Italisë dhe Greqisë. Shkëmbimet tregtare mes dy vendeve arritën në 347 milionë dollarë. Por kjo tregti ka qenë e dominuar vetëm nga njëri kah. Sipas Qendrës Shqiptare për Tregtinë me Jashtë, ACIT, Shqipëria importoi nga Turqia plot 323 milionë dollarë mallra dhe eksportoi aty vetëm 23.6 milionë dollarë. Raportet import-eksport me Turqinë janë aktualisht 13.5 me 1, çka e vendos Shqipërinë me një deficit të theksuar prej gati 300 milionë dollarësh me Turqinë. Marrëveshja e tregtisë së lirë pritet ta thellojë edhe më tej këtë hendek.

Ecuria

Në vitin 1999, eksportet turke në Shqipëri ishin vetëm 1.1 milionë dollarë dhe përbënin më pak se 0.4 për qind të totalit të importeve shqiptare. Por, 8 vjet më vonë, importet nga Turqia janë rritur me 300-fish dhe përbëjnë ndoshta një nga rastet e rralla të ekspansionit, jo vetëm për Shqipërinë. Sot importet nga Turqia përbëjnë gati 7.7 për qind të totalit të importeve shqiptare, me tendencë rritje nga viti në vit. Pjesën dërrmuese të importeve nga Turqia e përbëjnë metalet bazë dhe nënproduktet e tyre me 79 milionë dollarë. Më pas vijnë tekstilet me 35 milionë dollarë, e pas tyre ushqimet dhe pijet alkoolike me 33 milionë dollarë.

Investimet

Por, të njëjtën ritëm me shkëmbimet tregtare kanë ndjekur dhe investimet turke në Shqipëri. Nga 38 milionë dollarë që ishin në vitin 2002, sot janë 620 milionë dollarë dhe janë të shtrira në të gjitha fushat, në infrastrukturë, metalurgji, telekomunikacion, tekstile, shëndetësi, arsim dhe shumë fusha të tjera. Bashkëpunimi midis dy vendeve tona në tregti ka njohur një rritje të shpejtë dhe pritet të stimulohet më tej nga marrëveshja e tregtisë së lirë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›