E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urbanët, presion shtetit me abonetë e librezat

Kushton 20 lekë çdo lëvizje me urban në qytetin e Tiranës. Ky është presioni që kompanitë e transportit urban po u bëjnë institucioneve shtetërore. Për pasojë, të gjithë ata që nuk kanë mundësi të mbajnë mbi shpinë këtë kosto lëvizin në këmbë ose qëndrojnë në shtëpi. Dje, në ditën e parë të protestës së urbanëve, dhjetëra qytetarë kanë shmangur në maksimum përdorimin e linjave urbane. Kjo, pasi një person që udhëton të paktën dy herë në ditë paguan 40 lekë, që shumëzuar me ditët e punës së muajit del sa trefishi i kostos së një aboneje që kushton 600 lekë për një muaj. Shoqëritë urbane "mbajtën fjalën e dhënë" publikisht se nuk do të nxjerrin në treg abone nisur nga 1 maji, duke iu bërë kështu sfidë autoriteteve shtetërore, që kanë lidhur kontratë me këto kompani për shërbimin që ofrojnë. Në ditën e parë të protestës, qytetarët u përplasen në dyert e dispeçerive në kërkim të një aboneje. Askush nuk i ka shpërndarë dje ato, ndaj qytetarët që kanë pasur lekë kanë udhëtuar kundrejt pagesës së biletës, ndërsa të tjerët kanë qëndruar në shtëpi ose kanë ecur në këmbë. "Shoh që sot mungojnë ata që udhëtojnë çdo muaj me abone dhe libreza", shprehet një faturino i linjës së Unazës.

Ai rrëfen se "hallexhinjtë ecin në këmbë kur s‘kanë lekë". Ndërsa i pyetur se përse grindet me personat që kanë librezë të udhëtimit falas, ai tha se "kemi urdhër nga shefat t‘i zbresim në tokë të gjithë invalidët dhe pensionistët që kanë libreza, ose t‘u marrim lekët. Në të kundërt rrezikojmë vendin e punës".

Nëpër dispeçeri tregojnë, se maksimumi një javë mund të shtyhet pa abone, më pas ato do të dalin, pasi shoqëritë e transportit i kanë tërhequr ato, por nuk i shpërndajnë në pritje të plotësimit të kërkesave të tyre. Dy ditë më parë, Shoqata e Transportit Urban doli në konference për shtyp, ku kërkoi rritje me 50 lekë të çmimit të biletës dhe rritje të abonesë së përgjithshme me 1500 lekë.

Sipas tyre, derisa Ministria e Transporteve t‘ua plotësojë këtë kërkesë, nuk do të nxjerrin në treg abone dhe nuk do të njohin librezat e udhëtimit falas. Ata bënë edhe një kërcënim tjetër, por që nuk iu doli me leverdi, ndaj nuk e zbatuan. "Do të nxjerrim në rrugë gjysmën e mjeteve", thuhej në deklaratën për shtyp. Por kjo ndodhi dje, vetëm në orët e para të mëngjesit, më pas urbanët dolën në punë me normë të plotë për të marrë 20-lekëshin e biletës. Kjo, sepse gjithë qytetarët ishin pa abone dhe natyrisht 20-lekëshi ishte i shumtë krahasuar me ditët e tjera të mëparshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›