Shqipëri-Turqi, nënshkruhet Protokolli i Bashkëpunimit Ekonomik
U nënshkrua dje në mjediset e Ministrisë së Ekonomisë protokolli i bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Turqisë. Me këtë protokoll zgjerohet bashkëpunimi ekonomiko-tregtar mes dy vendeve. Kanë qenë ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, dhe ministrja e Familjes dhe Politikave Sociale të Turqisë, Fatma Sahin, që nënshkruan këtë Protokoll. Protokolli në fjalë u nënshkrua në kuadër të Komisionit të Përbashkët Ekonomik shqiptaro-turk, i cili zhvilloi punimet e tij në Tiranë, në datat 29-30 nëntor 2011. Protokolli i nënshkruar nga ministri Naço dhe ministrja Sahin synon rritjen e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Turqisë, zgjerimin e fushave të bashkëpunimit mes dy vendeve, nxitjen e investimeve, si dhe nxitjen e projekteve të mëdha të përbashkëta në fushën e energjisë dhe në fusha të tjera. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, mbështetjen e vazhdueshme që Turqia ka dhënë për Shqipërinë dhe u shpreh për thellimin e forcimin e tyre në të ardhmen. Ministrja e Familjes dhe Politikave Sociale të Turqisë, Fatma Sahin, vlerësoi hapat përpara që ka bërë vendi ynë në demokraci dhe në realizimin e reformave dhe theksoi faktin se Shqipëria është dhe vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon. Sipas saj, Protokolli i nënshkruar mes dy ministrave pasqyron zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Turqisë në shumë fusha, si atë bankare, minerare, energjetike, transport etj.