Shqipëri ‘e re’, avaz i vjetër, 0-0 ndaj modestëve estonezë
Leonard Karaj
Kombëtarja ka barazuar pa gola në miqësoren e djeshme ndaj Estonisë duke treguar një nivel të dobët loje edhe përballë një kundërshtari modest sikundër vendasit.Një Shqipëri pa fantazi, e lodhur dhe e pafuqishme për të prodhuar lojë dhe për të marrë rezultat edhe ndaj modestëve estonezë. Ndonëse në fund të takimit u vërejt një Kuzhe i qetë dhe gati i kënaqur, realisht në fushë u pa një skuadër apatike, pa ide dhe pa forcën e duhur goditëse. Salihi i vetëm në sulm nuk arriti të mbajë peshën e këtij reparti, ndërsa i munguan edhe shërbimet nga mesfushorët. Këta të fundit të dirigjuar nga Skela, ishin të paqartë në veprimet e tyre, ndërsa mbrojtja u gjend disa herë në vështirësi, sidomos nga goditjet standarde. Problematike edhe loja e Hidit, i cili vazhdon të jetë i pasigurt në daljet e tija gjatë goditjeve të këndit ose standarde.
Shkuam në Talin, jo vetëm për të marrë një rezultat pozitiv por edhe për të fituar lojtarë të rinj, që të paktën për këtë përballje, si rrallë ndonjëherë trajneri Josip Kuzhe pati grumbulluar plot 7 lojtarë nën moshën 23 vjeç. Por kjo në fakt mbeti vetëm në teori pasi në 11-en titullare, hiq Elis Bakajn e Gilman Likën, të gjithë të tjerët përfaqësonin gardën e vjetër. Realisht të njëjtën strategji kishte ndjekur edhe trajneri kundërshtar, Tarmo Rutli përderisa miqësorja ishte posaçërisht për të provuar lojtarët e rinj. Por ndryshimi mes dy ekipeve ishte thelbësor. E teksa estonezi e nisi me lojtarë që kishin luajtur pak me skuadrën gjatë kualifikimeve për botërorin 2010 duke i zëvendësuar më pas që me fillimin e pjesës së dytë e më tej, Kuzhe e nisi me “të vjetrit” dhe e vazhdoi këtë histori jo pak, por për 70 minuta lojë. Vetëm në minutën e 71-të kroati vendosi të bëjë zëvendësimin e parë, kur në fushë u fut Vila, por edhe ky nuk është se zëvendësoi një nga “senatorët e skuadrës, por as më shumë dhe as më pak se futbollistit më të mirë jo vetëm të kampionatit shqiptar për momentin por edhe më të mirin gjatë kësaj ndeshje, Elis Bakajn.
Kuzhe e ka konsideruar këtë takim si pikënisjen për kualifikimet për evropianin e 2012-ës. Madje edhe si ndeshjen e tij të parë drejt një cikli të pagëzuar me emrin e tij “Kuzhe”. Por parë nga përballja, asgjë pozitive nuk duket në horizont. Luajtëm ndaj një skuadre modeste si Estonia, e cila njihet më së shumti për hokejn sesa për futbollin, pa mundur që jo vetëm të merrnim rezultat të plotë, por edhe të tregonim forcën tonë në fushën e lojës. Shkuam në Estoni për të fituar ndeshjen dhe lojtarë të rinj, dolëm me një barazim të thatë dhe me të njëjtat pikëpyetje nga përfëqësuesja jonë.