Te salloni i Sofisë - Super prezantueset
Ti nuk i përshtatesh dot këtij mjedisi. Nuk je e prerë për togje letrash që vijnë era myk. As kërcitjes monotone të tastierës së kompjuterit. Vendi yt është atje jashtë mes dritave rrëzëllitëse dhe reklamave shumëngjyrëshe. Si mund të gjendet një vend pune i tillë. Ku të vishesh me rroba të bukura pa qenë nevoja t'i blesh apo t'i kesh të tuat?! Dhe flokët të të qëndrojnë gjatë gjithë kohës të krehura. Mirë do të ishte të kishe dhe të lirë pasditen. Jo se je përtace, por ta ka enda t'i kalosh nja dy orë të ditës tek Salloni i Sofies, të shfletosh gazeta dhe të shtiresh sikur nuk ke kohë.
- "Çfarë do të bësh pas gjashtë muajsh", - të pyet Sofia duke të lënë në prehër një tufë me revista të fundit.
Ku do të ishe pas gjashtë muajsh? Duke shkuar sërish për rubrikën e përjavshme "Tek Salloni i Sofies" tamam si tani, pasi i kishe dhënë për të ngrënë maces.
Mund dhe të ndodhte diçka që do të ndryshonte jetën. Në më të mirën e rastit përgjigjja do të kishte qenë monotone. Në më të keqen, më mirë mos e thoshe fare.
Ndjeve që të hynë të dridhurat. T'u duk sikur të ranë mbrapa kokës me diçka të fortë. Kjo është shenjë e Perëndisë. S'ka si të jetë ndryshe
- "Kërkojnë vajza për prezantuese. Ti je e prerë për këtë punë", - të tha vajza brune e sallonit. Kushedi sa të tjerave para teje u kishte thënë të njëjtën gjë.
Qenke e prerë për këtë punë? Me tërë mend e ka? Ndoshta duhet të mendoje dhe ti për vendin tënd në jetë.
"Pastaj do të fitosh dhe shumë", - tha Sofia.
Sa për shembull, - e pyete tërë kërshëri.
"Po ja dy milionë të vjetra, por lart e poshtë duhet të thuash që fitoj pesë mijë euro", - ia priti ajo.
Dy milionë, e pse duhet ta thuash sa fiton. A nuk hyn kjo tek ato çështjet e edukatës që njerëzit nuk duhet t'i zënë me gojë. Apo sot është e lejueshme të flitet dhe për paratë?
"Në djall të shkojë. Tani njerëzit dinë gjithçka për prezantueset apo jo?"- ndërhyri sërish Sofia.
Aq e gëzuar ndiheshe sa fillove të bësh një listë të gjatë me gjërat që do të blije me ato para. Pastaj puna si prezantuese televizive duhet të jetë më e thjeshtë. Mjafton që të buzëqeshën nga ekrani dhe të thuash dhe tani ftojmë në studio njeriun më të mençur, më të ditur, më të zotin, është një kënaqësi që e kemi këtu midis nesh. Ta pyesësh cilat janë projektet e tua? Dhe në fund ç'mendoni për të ardhmen. Ndoshta mund të punosh dhe me kohë të plotë në një ekran.
Do të bëhesh një prezantuese e suksesshme dhe gazetat do të shkruajnë për ty. Natyrisht ty natyrisht që asnjëherë nuk do të pëlqejë titulli.
PAS SOFIES
Kur kalove pragun ende pa hequr xhaketën hape televizorin. "Çdokush është i lirë që të bëjë atë që të dojë". Kështu dy vajza të vogla me një mbiemër lulesh po përsëritnin pareshtur në ekranin e një televizioni. Prezantuesja me mbiemër Osmani (Arbana, Albana me thënë të drejtën gjithnjë e pate ngatërruar njërën dhe tjetrën,) iu jep vazhdimisht të drejtë. "Janë të shumtë ata që kanë inatin me gazetat. E dimë të gjithë. Ndaj vajza këtu jeni në shtëpinë tuaj mund t'i përgënjeshtroni sa të doni. Unë për vetë ju kuptoj". Metabolizmi i brishtë i spikeres dukej se digjte inate të vjetra personale, duke i kthyer ato në buzëqeshje. Me të njëjtën buzëqeshje që të hënë prezantoi këngëtarin më të mirë, të martë gjinekologun më të suksesshëm, të mërkurë artisten më të bukur, më të kulturuar më me eksperiencë. Nëse është kjo pedagogjia televizive atëherë OK. Asnjëherë s'të ka pëlqyer të bësh moral, por për atë Zot! Shumë të rinj që ju shikojnë, (ata s'e njohin spikeren thjesht i besojnë magjisë së televizionit), por rrezikojnë të ngrihen nga divani me ide të ngatërruara.
A doni të thoni që është hipokrizi? Atëherë rroftë hipokrizia. Pastaj pse ankohen që e kanë fajin gazetat. Ishe e bindur se do të jepnin të drejtë. Do të ishte mirë që ta bënte ndonjëherë dhe Super Spikerja. Por e sheh të pamundur. VIP-at nuk kërkojnë ndjesë, vetëm shajnë. Dhe gjithnjë gjejnë ndonjë viktimë në studio që u jep të drejtë.
Gjëja e parë që të vjen më mendje dhe që uron është që pas gjashtë muajsh tek ty mos ndryshojë asgjë. Ndërkohë që jashtë shumë gjëra duhet të ndryshojnë. Bravo kjo ishte!