E Diel, 1 Nëntor 2026

Nora Klosi - S’jam gati për një fëmijë

 

Flokët e prerë sh
    kurt e tregojnë
    edhe më të vogël.
    Megjithatë i sh
    kojnë për shtat tipit të saj. Veshja e saj sport, pantallona “Miss sixty”, xhup e golf poshtë tij, ngjan e ngrohtë, por ajo e ndjen të ftohtin e ditëve të fundit me shi. Eshtë ulur para kompjuterit në zyrën e vet të vogël dhe telefoni që nuk rresht asnjë çast së rëni. Kontrata për të firmosur, vula, porosi pafund... Kjo është puna e përditshme e ngarkuar, e lodhshme e Nora Gegës, ose Klosit, si të doni quajeni, të dyja mbiemrat funksionojnë për të. Megjithatë, puna i pëlqen dhe i pëlqen aq shumë, saqë vështirë ta imagjinojë veten jashtë saj. Nuk preferon të ndihet e madhe në pozicion, ndonëse e titulluar është. I mjafton të thotë se merret me gjithë programacionet e “TV Klan” dhe kaq mjafton për t’i marrë treçerekun e ditës. Mbrëmja vonë e gjen në shtëpi, kohë që e kalon me të shoqin, Blendin. Kanë mëse dy vjet e gjysmë që janë martuar dhe jeta e tyre kalon shumë mirë. U pëlqen të dalin, shëtisin, darkojnë bashkë, ndonëse koha i kufizon shpesh. Për fëmijë?! Që të dy ata, ndryshe nga prindërit e gjithsecilit, nuk ndihen ende gati për të marrë një përgjegjësi aq të madhe, sa janë fëmijët. Megjithatë, tani kanë vendosur të thonë mjaft mungesës së guximit, apo pritjes! “Do të vijë, do të vijë patjetër, se shumë e kemi zgjatur, por ne që të dy jemi tipa që vështirë të ndryshojmë mënyrën e jetesës”, tregon Nora në një intervistë për suplementin tonë, në të cilën zgjedh të rrëfejë, jetën e saj, vajzën çapkëne që i “vidhte” të vëllait pantallonat e ia griste, adoleshenten e vitit ’97, më pas studenten, përvojat me punën dhe padyshim jetën me ish-ministrin e Kulturës, qysh nga njohja...
Si u njohët me Blendin, bashkëshortin tuaj?
Ne rrinim në të njëjtin lokal para se të njiheshim. Në muajt e parë që unë nisa punë në “Klan”, puna e parë që më dha Beci të bëja ishte të gjeja sponsor për edicionin e parë të “Gjeniu i vogël”. Ata kishin bërë një bisedë me Ministrinë e Kulturës, por nuk ishte vendosur gjë. Më tha, të gjeja mundësinë dhe të merresha me këtë pjesë. Ia kthej- “Unë e njoh ministrin e Kulturës, se rri në të njëjtin lokal me mua”. (Qesh, e kërkova vetë d.m.th). Mbaj mend se i kërkova pronarit të lokalit, të cilin unë e kisha shok dhe ai më shumë shok, që të më krijonte një mundësi takimi. E takova Blendin dhe gjatë atij takimi të parë kam pasur shumë emocione. Ai që e kuptoi dhe më pyet- “Më fal, por çfarë të ka ndodhur”. Ishte puna ime e parë dhe më dukej sikur ato lekë po ia kërkoja për vete, nuk isha mësuar ende me punën. Megjithatë, unë dështova në punën time të parë, pasi ai tha se nuk do ta financonte.
Aty nisën takimet tuaja të para?
Ndihej që prej kohësh ai e kishte në mendje këtë gjë, e shihja tek “gricej” herë pas here, por njohja jonë u forcua më shumë kur u organizua emisioni “Këngët e shekullit”, në të cilin u bë bashkëpunëtor dhe e financoi si ministër i Kulturës. Ishte viti 2005, dhe gjatë asaj kohe ne patëm disa takime për punë, madje njëherë i shkova në zyrë që i mora një intervistë dhe gjithmonë e shihja tek kapej nga pak me fjalë. Jo atë kohë nuk e kisha ndërmend, pasi isha e përkushtuar më shumë ndaj punës. Por normalisht takimet më të shpeshta u bënë kur ai vinte për emisionet në “Klan”. Kur ne bëmë takimin tonë të parë “zyrtar” unë kisha vetëm dhjetë minuta kohë. Tani kur e kujtojmë Blendi thotë: e kam bërë si ata burrat e qëmotit. Më tha atëherë: “Meqë ti ke dhjetë minuta kohë, nuk po e zgjas shumë, pse nuk fejohemi bashkë?!”. U bllokova në moment, sepse nuk e prisja dhe nuk dija ç’të thosha, por dukej se ai ishte shumë i vendosur. Më tha: “Ke kohë, gjashtë ditë, gjashtë javë, gjashtë muaj, por unë do të pres dhe jam i vendosur dhe e di shumë mirë ç’dua”.
Vazhdonte të ishte ministër i Kulturës?
Atë kohë nuk ka qenë ministër! Unë kohën që Blendi ishte ministër nuk desha të dilja me të, pasi e dija çfarë do thoshin njerëzit, çfarë do ndodhte dhe nuk më pëlqente kjo pjesë. Pastaj kisha një mënyrë tjetër të së parit të gjërave dhe nuk e mendoja veten me një njeri aq serioz, më dukej shumë larg mentalitetit tim, sikur ishim vite dritë larg njëri-tjetrit, në të menduar dhe në të kuptuarin e gjërave. Pasi më bëri kërkesën për fejesë, normalisht unë pyeta njerëzit që më rrethonin, njerëzit e “Klan”-it që ishin Beci, Alba, Sandri, Pandi mora mendimin e të gjithëve, por situatën në dorë e mori Alba dhe Beci, të cilët më shtynin çdo ditë e më shumë. Por sa më shpesh dilja me Blendin e kuptoja se kishim një tip pothuajse të njëjtë. Dhe fejesa ndodhi shumë shpejt pas fillimit të lidhjes, pas tre-katër muajsh.
Si e pritën prindërit këtë vendim tuajin?
Ato ishin shtysa kryesore në lidhjen tonë. Mami dhe babi ishin të lumtur me zgjedhjen time dhe babi ka thënë një shprehje: nëse në vitrinë do kishe shumë njerëz, ti ke bërë zgjedhjen më të mirë të saj. Ndërsa vëllai normalisht ishte paksa i trembur, pasi mendonte se dikush po i merrte motrën. Fakti që ata ishin të lumtur, më bënte të ndihesha mirë. Më pas vëllai hap pas hapi, u mësua me këtë gjë, tani rri më gjatë se unë me Blendin. Më ka hyrë shumë në pjesë, (qesh) rri gjatë gjithë ditës me të.
Çfarë do të thoshit për fejesën? Për më tepër, erdhi aq shpejt...
Kur u fejuam isha si e mpirë, kur vinin miqtë e Blendit thoshin të trashëgohesh, kur vinin familjarët e mi, thoshin u bëfsh 100 vjeçe, sepse ne u fejuam në ditëlindjen time! Nuk i kisha thënë askujt që do të fejohesha, madje edhe vëllai im nuk e dinte për çfarë bëhej gjithë ajo festë. Më vinte turp, kisha siklet. Realisht pas fejesës çdo ditë e më shumë, më shtohej dëshira për të ndenjur me Blendin.
Ndaj zgjodhët të bashkëjetonit?
Në fakt pas fejesës që ne bëmë në prill, në muajin qershor prindërit e Blendit ikën në Amerikë. I binte që ai të jetonte vetëm, ndaj vendosëm që dy ose tre herë në javë do rrinim bashkë, por ndodhi që ndenjëm gjatë gjithë javës në shtëpinë e tij. Normalisht, unë duhet të zbusja paksa edhe mamin, e cila e vuante pafundësisht këtë gjë, ndaj vendosa të jetoja aty, por të mos merrja nga shtëpia ime asgjë. Shkoja përditë në shtëpi, merrja rrobat që do vishja të nesërmen dhe çoja të tjerat që kisha pasur veshur. Kisha një çantë të verdhë, e cila u kthye në çantën e frikës për një vit me radhë.
Si ishte martesa juaj?
Ishte më e bukur se ç’e kishim ëndërruar. Ishte komplet ndryshe nga fejesa. Të dy u morëm me organizimin e saj, bëmë dy darka, një me miqtë tanë të përbashkët, e cila shkoi me rreth 1000 të ftuar dhe një tjetër me familjet. Por darka me miqtë ishte shumë sportive, unë nuk nusërova dhe me të vërtetë e kemi shijuar shumë.
Ndërsa pas dasme, sapo hymë në shtëpinë tonë, Blendi thotë: “tani do e kuptosh çfarë janë vuajtjet e vërteta, tani unë do nxjerr fytyrën e vërtetë” (qesh). Sigurisht ishte e thënë me shaka por mu duk shumë e çuditshme. Të nesërmen kur u zgjuam, as rroba për të veshur nuk kishim në shtëpi. Më pas nisi ajo pjesa e qejfit, ku filluam të mblidhnim në shtëpinë tonë të re, shumë njerëz herë pas here.
Si është jeta juaj tani pas kaq kohësh martesë?
Ne nuk kemi punë shtëpie. Si unë dhe Blendi jemi komplet njësoj, edhe në shtëpi. Nuk bëjmë asgjë, unë gatuaj rrallë, por gatuaj mirë. Drekën nuk e hamë kurrë bashkë, darka në 90 për qind të rasteve hahet jashtë, ndonjëherë sajojmë diçka në shtëpi. S’kemi kohë as për pazar, e turpshme ta them, por unë nuk kam lidhje me zonjën e shtëpisë.
Unë kam dy vjet e gjysmë e martuar me Blendin dhe shumë njerëz që i takoj më thonë, “hë, nuk je bërë grua”. Veten e trajton si të duash, po ashtu edhe marrëdhënien në çift. Ne nuk mbajmë rolet e burrit dhe gruas, jemi dy shokë, që respektojmë pafund lirinë e njëri-tjetrit. Çdo gjë e ndajmë me njëri-tjetrin dhe as ai nuk pretendon dhe as më kërkon që unë të jem gruaja e shtëpisë që bën punët. Këtë gjë e kemi marrë me sportivitet, e shohim njësoj këtë pjesë. Eshtë shumë e rrallë që një mashkull shqiptar të pranojë llojin e punës që kam unë. Jam gjithë ditën në “Klan”, e rrethuar me çuna. Por ai e di se çfarë është puna me lëvizje dhe e respekton faktin që unë e dua shumë këtë punë.
Sa shpesh ndodh të jeni larg njëri-tjetrit?
Ndodh që jemi larg, një ose dy ditë. Por gjithë verën unë nuk isha në Tiranë, isha me “Maratona e këngës popullore” në rrethe. Periudha më e vështirë dhe stresuese ka qenë periudha e para zgjedhjeve, Blendi ndenji dy muaj në Durrës, ndërsa unë shkoja përditë nëpër qytete. Të dielën gjeja mundësinë të shkoja në Durrës e ai gjente një moment sa më puthte dhe ikte.
Ju lodh ky rritëm?
Na lodh, padyshim bëhet edhe shkak qejfmbetjesh, pasi unë e kam punën të papërcaktuar. Pa dashje, por ndodh. Ndonëse është e rrallë.
Si i përkufizon këto vite të përbashkëta?
Sa herë themi që nuk duhet të flasim dhe prapë flasim! Shumë mirë.
Keni menduar për një zgjerim të familjes?
Sa herë i kemi bërë këto plane. Më shumë e ndjejnë problem prindërit tanë, që na kërkojnë të bëhen gjyshër, se ne të dy jemi rehat. Gjithmonë themi: kjo periudhë është e vështirë dhe presim një kohë tjetër, kjo periudhë është e ngarkuar... Por më duket se gjithnjë gjejmë vetëm justifikime. Duke qenë se pjesën e dashurisë dhe fejesës i kaluam shumë shpejt, këtë kohë e shfrytëzojmë në favorin tonë. Jemi të papërgjegjshëm nga ana familjare, jemi shumë pak të pranishëm në shtëpi, gjithmonë dalim. Dhe që të mendojmë për zgjerim familje, na duhet të dyve të ndryshojmë mënyrën e jetesës.
E megjithatë si është mendimi i një fëmijë?
Sigurisht e kemi me qejf të madh, por unë e ndjej se nuk jam gati të ndryshoj. Megjithatë keni vendosur të mos bëjmë më plane, do bëhet, do bëhet pa diskutim. Blendi e pret me qejf. Ai, çuditërisht do goca në përgjithësi, por thotë: po ta mendosh më mirë, dua çuna. Unë them dua goca, por më mirë shkoj me çuna. Me vajzat kam gjithmonë probleme në marrëdhënie. Por ç’rëndësi kanë këto... Ç’të japë Zoti.
Si e imagjinoni veten në rolin e nënës?
Nuk e imagjinoj dot fare. Çunat e punës më thonë, “bëje një gocë tani, dhe sille ta mbajmë neve”. E tmerrshme, të mendoj të kem një gocë që bën si unë, që rri gjithë kohës në punë... nuk e di. Por ngaqë nuk e di se çfarë është të jesh nënë, me tremb ndryshimi. Më duhet edhe të ndryshoj komplet mënyrën e jetesës, nuk mund të jem më njeriu që sa çohem në mëngjes, vishem e vij në punë, dhe pastaj nuk dihet kur kthehem në shtëpi. Kjo jam unë, dhe se di se sa jam gati ta bëj rolin e nënës. Por duhet bërë se është shtyrë shumë.

Koha në dispozicion të njëri -tjetrit
Gjithë kohën janë në kontakt, edhe pse fizikisht larg. Përdorin telefonat, mesazhet. Secili e di gjithmonë se ku është tjetri. “Por takimet tona janë të pakta. Kjo s’e konsumon martesën”, beson Nora Klosi. Është e parimit se sa më shumë t’i hysh në pjesë tjetrit, aq më shumë e tremb. Këtë parim ua ka huazuar prindërve. “Ata më kanë lënë të lirë gjithmonë dhe që në këtë moment unë duhet të mendoja në radhë të parë, të mos i mërzisja ata me gjënë që do bëja dhe vendimin do merrja vetë. Kjo më ka mësuar që të jem e pavarur dhe t’i lë njerëzit e pavarur”. Por siç mendon, e ka ndihmuar edhe marrëdhënia me të vëllanë: gjithnjë kanë dalë bashkë, vëllai dinte capo gjë për motrën dhe nuk e bezdiste...

POLITIKA
Grua e një politikani, ndihet tërësisht larg politikës. Madje, thotë se nuk e ndjek dhe nuk e kupton aspak atë. Sigurisht ndjek problemet e të shoqit. “Vuaj kur vuan Blendi dhe jam mirë kur ai është mirë nga ana politike”. Por kjo nuk do të thotë se i futet politikës për të marrë vesh ndopak. Jo, jo. S’i pëlqen hiç, dhe kjo është e vetmja pikë, siç thotë, që e ndan me Blendi Klosin.

Pothuaj identikë
Por cilët janë si temperamente, natyra, karaktere... burrë e grua Klosi, Nora dhe Blendi? Sipas Norës, ka shumë përbashkësi: “Jemi të qetë, të qeshur”. Dhe kjo është një arsye që të mirëkuptohen, të merren vesh. Sakaq, duan njëlloj të rrinë me njëri-tjetrin. “Ndonjëherë mbase nuk është mirë kur jemi kaq njësoj sepse edhe neglizhentë jemi po njëlloj... por të paktën kuptohemi”.

Femijeria
Babi më donte çun, gjithashtu edhe vëllai. Pastaj meqë ishte një çun në familje, për hir të mamit, babi i thotë: “çunin ma ke bërë, bëj edhe një gocë për veten tënde”. Di që pas lindjes sime, është bërë një festë e madhe, pasi edhe në fisin e babit isha e vajza e parë që vija në jetë. Por nga tregimet e tyre, mësoj se kam qenë e llastuara e shtëpisë dhe vazhdoj të jem, për faktin se jam më e vogla. Vëllai im është marrë shumë me mua, ndonëse bashkë kemi gjashtë vjet diferencë. Ai më merrte e më çonte në çerdhe, kopsht dhe gjithë problemet atij ia kam hapur... Kam qenë shumë e lidhur me të, por tani jam e lidhur edhe më shumë.

ADOLESHENCA
Vitet e gjimnazit i kam kaluar në një periudhë të vështirë. Ishte viti 1997-1998. Njerëzit thonë se e kanë qejf pjesën e gjimnazit, ndërsa unë e kam shumë inat. Gjithë kohën ndodheshim në tension herë shkonim e herë nuk shkonim në shkollë. Për një periudhë shumë të gjatë na mbyllën nëpër shtëpi, më pas prapë, sa shkonim në shkollë, ktheheshim direkt se flitej për ndonjë shpërthim.
Shkollën e lartë ma zgjodhi mami, duhet të vazhdoja për ekonomik, se mami mendonte të më bënte ekonomiste atë kohë. Por ishte një profesion që nuk më shërbeu asnjëherë. Unë kisha ëndërr menaxhim arti, por kjo degë zgjati vetëm një brez, e më pas nuk u vazhdua më.

PUNA
Puna ime e parë, ka nisur në gusht të 2002, para shtatë vjetësh. Një shoqja ime e ngushtë punonte në TVA dhe unë shkoja shumë shpesh që e takoja atje. Ajo kishte zyrën ngjitur me të Vera Grabockës. Mbaj mend ishte koha e zgjedhjeve për Miss. Po rrija në korridor dhe në atë kohë del Suzi Grashi dhe më pyet, “Për miss je”? “Jo, - i them unë, kam ardhur të takoj një shoqen time”. Ajo hyn brenda dhe nxjerr Verën te dera, e cila më thotë: “Ç’je ti, pa hajde njëherë brenda”. Filloi të më pyeste se çfarë bëja... më dha dhe një tekst ta lexoja... E lexova tekstin nja tre herë me mendjen time dhe më pas i thashë se nuk më pëlqente ta bëja! “Çfarë të pëlqen të bësh ty”, ma kthen Vera. “Mbase të merrem me punën jashtë kamerave”, - ia kthej. Valbona Selimllari më merr në një provë dhe dy ditë më pas më thërrasin të nisja punë si asistente. Ishte një rastësi fatlume. ...U riktheva sërish në “Klan” me ndihmën e Pandi Laços. Në prill nisa punë dhe në shtator Petrit Beci më bëri pjesë të të gjithë programeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›