Gripi i derrave, brenda javës tamifluja në të gjitha poliklinikat
Shqipëria rrit vigjilencën për gripin e derrave, ndërkohë që në Kosovë shënohet viktima e parë. Bëhet fjalë për një 31-vjeçar nga Drenica, i cili veç virusit AH1N1 vuante nga një pneumonia kronike. Mësohet se pacientit i ishin shfaqur simptomat e virusit H1N1 në datën 25 tetor. Por sipas mjekëve, ai u paraqit shumë vonë në spital, pas datës 8 nëntor dhe si rrjedhim ishte shumë vonë për t’i shpëtuar rrezikut. Ai kishte ardhur nga Sllovenia ku duket se edhe ishte infektuar me gripin e derrit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në Kosovë me këtë virus janë gjithsej 32 persona të infektuar. Pas vdekjes së parë, Ministria kosovare e Shëndetësisë i këshilloi të gjithë qytetarët që të paraqiten te mjeku me të ndjerë simptomat e para të gripit.
Ndërkaq në vendin tonë, burime të sigurta nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë me dije se janë edhe 10 raste të tjera që me shumë gjasa pritet t’i shtohen listës zyrtare të gripit. Aktualisht në vendin tonë janë konfirmuar 76 persona me virusin AH1N1. Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë sqaron se që nga fillimi i javës që vjen të gjitha poliklinikat e mëdha të vendit do nisin të pajisen me medikamentin tamiflu. Sipas drejtuesve të këtij dikasteri kjo është një nga masat për të përballuar sa më mirë situatën. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë për një rritje të ndjeshme të numrit të personave që po preken nga gripi stinor, por edhe nga virusi A/H1N1. Mbi bazën e gjendjes klinike me të cilën pacientët paraqiten në spital, mjekët do të vendosin për trajtimin me medikamentin tamiflu, edhe pa pritur përgjigjen e analizave. Nëse një person ka komplikacione edhe nga gripi sezonal trajtimi i tij me tamiflu mund të shihet si formë kurimi. Duke iu referuar të dhënave, pjesa më e madhe e personave të infektuar nga gripi i derrit i përkasin grupmoshës nga 14-50 vjeç, ndërsa gripi i zakonshëm ka prekur më shumë fëmijët. Krahasuar me një vit më parë ka një numër më të lartë të infeksioneve respiratore tek ata. Javën e kaluar janë regjistruar 11 mijë persona të prekur nga gripi sezonal, por sipas të dhënave të ISHP-së këtë javë ka një rritje të ndjeshme të numrit të tyre.
Disa ditë më parë 2 shkolla në Tiranë dhe një në Klos rezultuan të kishin prani të gripit të derrave në ambientet e tyre. Sipas specialistëve ato janë raste sporadike, por për asnjë çast nuk duhet ulur vigjilenca e monitorimi i situatës. Ata rekomandojnë vaksinimin e popullatës, ruajtjen e lartë të higjienës në vende ku ka grumbullime.
Panik në Klos
KLOS- Rritet paniku në radhët e banorëve të Klosit pas konfirmimit të 6 rasteve me virusin e gripit të derrave. Dje qytetarët e Klosit dhe banorët e zonave përqark janë shprehur se situata është kritike dhe se mund të ndodhë ajo që nuk pritet. Shumica e banorëve të pyetur thanë se shkollat e qytetit duhen mbyllur për faktin se vetëm në 10 mostra janë evidentuar 6 raste me grip derri, kur dihet se të premten në dy shkollat e qytetit mungonin afro 200 nxënës në shkollën 9-vjeçare “Tahir Hoxha” dhe të mesme “Shaban Çollaku”. Dje kanë “mësyrë” drejt Klosit të gjithë autoritetet e arsimit dhe shëndetësisë të këtij rrethi.