’Digjet’ Van Persie (video)

Robin van Persie brenda natës është shndërruar nga heroi në figurë të urrejtjes te skuadra e Arsenalit. Kjo, pasi ylli holandez, deri dje kapiten i gjigantit londinez, ka arritur marrëveshje për transferim te rivali i Premierligës, Manchester United.
Pak minuta pas publikimit të lajmit për kalimin e Van Persiet në Old Trafford, në rrjetin social Twitter shpërtheu reagimi i tifozëve të Arsenalit. Fanella e tij u dogj në rrugë, kurse ish bashkëlojtarët e konsiderojnë tradhtar, nuk ka qenë një natë e qetë për Van Persien kjo e të mërkurës mbrëma.
Pas vendimit se nuk do të vazhdojë kontratën e tij me Arsenalin në skadim në fund të këtij sezoni, holandezi kishte paralajmëruar se do të braktis Anglinë në shenjë respekti ndaj klubit të tij dhe dëshirës për të mos veshur fanellën e një rivali.
Por, ndodhi e kundërta, Van Persie do të jetë anëtar i ri i Manchester Unitedit. Kjo bëri që ai të konsiderohet tradhtar nga tifozët por edhe ish bashkëlojtarët. “Asnjë shenjë respekti ndaj një tradhtari holandez. Më vjen keq por nuk mund të respektoj një kapiten i cili braktis anijen e tij”, shkroi në Twitter, ish mbrojtës i Arsenalit, Emmanuel Eboue, aktualisht anëtar i Galatasarayt.
Mbaron me kaq ? Absolutisht jo. “Wenger nuk ka bërë keq: ka shitur një futbollist të përfunduar në çmim të shkëlqyeshëm. Trajner i madh. Van Persie nuk do të jetë më kurrë ai i vjetri”, vazhdoi reprezentuesi i Bregut të Fildishtë. Por, mbrojtësi i Arsenalit, Thomas Vermaelen nuk mundi të fsheh dëshpërimin e tij për shitjen e Van Persiet në Manchester United.
“Jam i dëshpëruar sepse doja që ai të mbetet në klub. Ai ishte i shkëlqyeshëm për ne sezonin e kaluar, shënoi shumë gola dhe sigurisht se më vjen keq që është larguar. Megjithatë, ne do të përqendrohemi në sezonin e ri. Duhet të luftojmë dhe jam optimist se kemi ekip për të fituar diçka”, deklaroi ai për Sky Sports News HD.
Wenger: Nuk kishim zgjidhje tjetër
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger ka thënë se klubi nuk kishte zgjidhje tjetër përveç të shes Robin van Persien në Manchester United. “Fatkeqësisht për ne, ai do të jetë futbollist i Manchester Unitedit. Transferimi është finalizuar të mërkurën mbrëma”, deklaroi Wenger për televizionin francez TF1.
“Nuk është asnjëherë mirë të humbni futbollist të kualitetit të tij por ai kishte vetëm edhe një vit kontrate dhe nuk kishim zgjidhje tjetër. Ne tashmë kemi sjell dy sulmues, Giroud dhe Podolski të cilët do të përmbushin mungesën e Van Persiet”, përfundoi ai.