E Shtunë, 31 Tetor 2026

Van Persi tek Mancester Junajtid

Një kapiten që ikën, për të qenë një ushtar ndoshta i thjeshtë në një ushtri më ambicioze. Arsenali humbi yllin më të madh që kishte, siç po i ndodh shpesh vitet e fundit dhe Sër Aleks Ferguson arriti një fitore të madhe, pikërisht në kohën që i duhej më shumë.
Mançester Junajtid njofton se Robin Van Persi do të kalojë provat mjekësore në ”Old Traford” dhe do të jetë përforcimi i ri për sezonin e ardhshëm. Kapiteni i Arsenalit kishte kohë që dëshironte të largohej nga ”Emirejts”, madje tifozë i ishin vënë kundër, ndërsa Arsen Venger nuk e zgjati ”telenovelën” e tij sa atë të Sesk Fabregasit.
Vitet e fundit nga Arsenali janë larguar lojtarë të rëndësishëm si Matjë Flamini, Emanuel Adebajor, Kolo Ture, Sesk Fabregas, Gael Klishi apo Samir Nasri
Për 24 milionë stërlina (rreth 31 milionë euro; kursi i shkëmbimit: 1=1.28), sulmuesi holandez do të jetë një ndihmë e madhe për Sër Aleks Fergusonin që synon të rikthejë në ”Old Traford” titullin kampion që ia mori sezonin e kaluar Mançester Siti.
Van Persi kishte vetëm një vit kontratë të mbetur ndaj Venger u detyrua të pranonte largimin, ndërsa Junajtid po merr shënuesin më të mirë të Premier Ligës sezonin e kaluar.
Për sulmuesin 29-vjeçar interesoheshin edhe Mançester Siti dhe Juventusi, madje më parë edhe Reali i Madridit, por këtë herë Ferguson u tregua më i fortë sesa sheikët, bosët bardhezinj juventinë dhe mbretërit në “Santiago Bernabeu”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›