Shqipëri, vërtetohet rasti i parë i prekjes nga virusi A-H1N1
Në Shqipëri konfirmohet rasti i parë i gripit të derrave. Ministria e Shëndetësisë njoftoi mbrëmë se virusi A-H1N1 është konstatuar te një student 20 vjecar nga Gjirokastra, i cili javën e shkuar është paraqitur në spitalin infektiv të Tiranës, por përfundimet e analizave të specializuara kanë mbërritur vetëm mbrëmë nga një laborator në Rumani. Të paktën dhe 5 raste të tjera janë të dyshuara mes të cilëve tre marinarë filipinas dhe dy emigrantë të ardhur nga Greqia.
Për askënd nuk përbën një habi apo dicka të papritur zbulimi edhe në Shqipëri i rastit të parë me virusin A-H1N1. Për javë të tëra praktikisht Shqipëria kishte mbetur si një ishull i paprekur, ndërkohë që të gjithë fqinjët e saj e vacanërisht Greqia, me të cilën lëvizjet e qytetarëve janë të dendura, kishin një numër të lartë të personave të prekur nga virusi i përhapur në formën e pandemisë në të gjithë botën.
Rasti i zbuluar mbrëmë i përket një studenti 20 vjecar, konfirmoi për Zërin e Amerikës, Silva Bino, specialiste pranë Institut të Shëndetit Publik. Studenti është paraqitur vetë në spitalin infektiv në Tiranë ku janë marrë edhe mostrat të cilat më pas i janë nënshtruar analizave laboratorike. Rezultati përfundimtar, nga një laborator i specializuar në Rumani, ka mbërritur mbrëmë. Studenti nga Gjirokastra ka paraqitur një formë të lehtë të virusit A-H1N1 dhe tashmë e ka kaluar këtë lloj gripi.
Të paktën edhe 5 raste të tjera dyshohen të jenë po me virusin A-H1N1. Nga këto 3 i përkasin tre marinarëve filipinas të cilët kishin mbërritur në portin e Durësit me anije. Ata kanë shfaqur temperaturë dhe kanë marrë kurim në spitalin e qytetit portual për t'u larguar më pas me anijen e tyre. Megjithatë nga laboratorët priten përgjigjet e analizave edhe për ta. Dy tjerët, përundrazi, janë emigrantë të ardhur nga Greqia./al/