“Shteti i së drejtës është më i fuqishëm se një shtet ligjor”
Intervista e rektorit të Akademisë së Filmit dhe Multimedias, “Marubi”, në NTV
Do ta fillojmë bisedën me ju, zoti Çashku, në lidhje me atë që po ndodh aktualisht në ambientet e Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”. Kanë tentuar t’ju largojnë nga këto ambiente. Cilat janë shkaqet?
Mendoj se pa një kontekst disi më të gjerë do të ishte shumë e vështirë t’ju sqaroja. Së pari, dua t’i bëj të qartë opinionit publik që, në Kinostudio, si kineast dhe regjisor kam kaluar 35 vjet të jetës sime dhe prej pesë vjetësh kam hapur shkollën e parë të filmit. Kjo gjë për të përligjur historinë institucionale të kinematografisë duke afruar shkollën e parë të filmit pranë Arkivit, ku është e gjithë vepra e kineastëve shqiptarë. Në këtë mënyrë, gjeneratat e reja do të kenë një referencë mjaft të rëndësishme për atë ç’ka ndodhur në kulturën kinematografike, njëherazi në rastin e botës së imazhit përmes arkivit, ashtu edhe mbi korpusin qendror që përbën një opus pothuaj të plotë. Nga ana tjetër, në idetë e mia ka qenë gjithmonë që Kinostudioja të shndërrohet në një qytet arti me perceptimin e politikave policentriste që kam unë për zhvillimin e metropolit të Tiranës. Dhe në këtë qytet arti, asokohe, në kokën time shtëpitë e filmit që po krijoheshin, në bazë të ligjit të kinematografisë, mund të merrnin në përdorim asetet e kinematografisë, pasi në fund të fundit këto shtëpi filmi do të kishin të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën me prodhimin kinematografik. Me asete kuptoja 59000 m2 që përbënin ish-kinostudion dhe për një pasuri të jashtëzakonshme që ka të bëjë jo me industrinë që kishte falimentuar dhe nuk mund të mendohej të rigjenerohej, as me tullat e saj, por me një pasuri, e cila ishte e lidhur me disa objekte që mbartin vlera historike dhe pse nuk mund të kryenin funksionet reale të prodhimit kinematografik. Dhe me këtë dua të them se si i qëndroja idesë se shqiptarët duhet të kuptojnë se historia e një vendi bëhet gur-gur, pak nga pak, gjë që na trashëgon kështjellat e të parëve tanë, apo jo? Kemi një kohë mesjetare zero që nuk rezulton askurrkund, siç është Mesjeta, me Perandorinë Otomane. Të paktën pas kësaj periudhe, në epokat dhe kohët që brezi para nesh dhe yni jetuam, po krijonim edhe ne disa gurë të rëndësishëm që do të shërbenin për këtë pasuri kulturore, e cila ishte e rëndësishme për vendin tonë, për t’i dhënë identitetin që ne ia pretendojmë shoqërisë dhe vetes sonë. Kjo nuk ka gjetur përligjje. Nuk gjeti përligjje dhe sot jemi në një situatë krejtësisht tjetër, e cila në njëfarë kuptimi është tragjike. Pse është tragjike? Jo për çka ndodhi sivjet apo në vitin 2008. Është tragjike për çfarë nuk ndodhi për 17 vjet rresht. Për 17 vjet rresht Kinostudio u robërua, u vodh, u shkatërrua, u shit për hekur në Kombinatin Metalurgjik, u mbush me lavazhe, garazhe, makina funerale. Interesit publik iu mohua prej 17 vjetësh e drejta e rivitalizimit, e rigjenerimit të gjithë kësaj pasurie që ekzistonte atje, çka do të thotë që lihej të rrënohej, me qëllimin që më vonë të ngriheshin blloqe pallatesh. U la të rrënohej, sepse u hodh ideja që të bëhej qytet biznesi. Dhe duke ndjerë gjithë këto kërcënime, atëherë unë pyeta veten se ç’më mbetej të bëja: të shpëtoj ç’mund të shpëtoj dhe pata idenë, duke braktisur kështu idenë e qytetit të artit, të ngrija shkollën e parë të filmit në Shqipëri, gjë që nuk e kemi pasur në rang universitar asnjëherë në historinë e vendit tonë, pra në historinë arsimore kulturore të vendit tonë. Dhe të them të vërtetën, hasa një rezistencë shumë të madhe, sepse natyrisht nuk vinte njësh me planet për qytet-biznesin, nuk vinte njësh me planet për të ngritur blloqe pallatesh. Por, unë i kthehesha konceptit të kinematografisë me ngulm. Megjithatë, pas një morie debatesh, që në vitin 2001, zonja Esmeralda Uruçi, e cila ishte ministre e Kulturës asokohe, njofton zotin Hubert Vedrine, ministër i Jashtëm francez, se asaj i është paraqitur një projekt. Ishte fjala për projektin që kisha paraqitur për ngritjen e një shkolle filmi në Kinostudio. Dhe, pasi i kërkoi përkrahjen dhe mbështetjen për hapjen e kësaj shkollë, i deklaroi se ne, d.m.th., shteti ynë, do të vinte në dispozicion të hapjes së kësaj shkolle ambientet e Albafilmit. Bëhet fjalë për vitin 2001 dhe këto janë të faktuara në dokumentet shtetërorë, në rangje ministrash të vendit tonë dhe të Francës. Kjo gjë dëshmon vullnetin e mirë për të hapur këtë shkollë dhe për të ofruar mjediset publike për funksionimin e saj. Me këtë kuptonin, flas në këtë rast, si për zonjën Esmeralda, në të njëjtën kohë edhe ministrin Vedrine, se shkolla të kësaj natyre nuk janë shkolla me karakter biznesi, as me karakter përfitimi, por shkolla, të cilat bëjnë prodhim kinematografik dhe në të njëjtën kohë lënë dëshmi shumë të mëdha shpirtërore për vendin që i prodhon këto filma, sepse janë shkolla që prodhojnë filma. Janë shkolla që prodhojnë filma, struktura jo gjigante si Kinostudio. Akademitë prodhojnë filma me talente dhe breza të rinj.
Më pas, nuk e kuptova se si hasa në një rezistencë të madhe në kohën e ministrave që vijuan, znj. Arta Dade, Blendi Klosi. Nuk i kujtoj tani të gjithë emrat e tyre. Siç duket, atyre nuk iu mbërrinte perceptimi i plotë mbi rëndësinë dhe interesin publik të një shkolle që unë ende sot nuk e quaj private, por publike.
Ne duhet të bëjmë njëherë e mirë dallimin mes konceptit të shkollës publike dhe asaj shtetërore. Ne nuk kemi shkolla publike, por vetëm shtetërore, sikurse kemi një televizion shtetëror, por jo një televizion publik. Pra, duhet të shquajmë njëherë e mirë se ç’është gjëja publike. Gjëja publike mund të ketë një administrim privat, por ka produkt dhe destin publik. Kjo duhet kuptuar. Ndryshe, nëse ne kemi perceptime të gabuara, gjejmë zgjidhje të gabuara. Fati i keq që sot e gjithë ditën, edhe në qeverinë aktuale, kemi të njëjtin perceptim të gabuar.
Le të shkoj më tej. Më pas, z. Nano, pas kërkesave dhe insistimeve, jo vetëm nga ana ime, por edhe të një grupi kineastësh dhe në të njëjtën kohë dhe të partnerëve perëndimorë - dhe, kur them partnerët perëndimorë, kam parasysh Gjermaninë, Francën, Anglinë, Zvicrën dhe Shtetet e Bashkuara - që u përfshinë plotësisht në themelimin e Akademisë, pas një maratone, lejoi të jepeshin 200m2, të premtuar që në 2001 nga ministria.
Ky ambient për të krijuar shkollën u ofrua pa kushtëzimin “ju ndërtojeni, por ne do t’ju masim kokën, se do t’ju kërkojmë kaq pará, pasi ju ta keni ndërtuar shkollën”. Po flasim për vitin 2004. E tillë siç ekziston sot, ajo shkollë është falë taksapaguesve të këtyre vendeve perëndimorë pa prekur asnjë cent nga shteti shqiptar.
E kundërta, gjysmë milioni euro të investuara në Albafilm, në mjedisin ku është ngritur Akademia e filmit dhe në lulishten, e cila ka një kinoteatër, ku shumë shpejt do të bëhet Festivali Ndërkombëtar i të Drejtave të Njeriut, faktuan besueshmërinë e këtij projekti. Sot jemi në vitin 2009, pasi qeveria shqiptare, në këtë rast Ministria e Arsimit, e renditi mes universiteteve të akredituara, të cilat janë vetëm katër. Ky akreditim u bë në sipërfaqen ku është investuar gjatë këtyre viteve ajo pará e taksapaguesve perëndimorë. Ndaj dhe u konsiderua si model perëndimor dhe nga Agjencia e Akreditimit dhe në të njëjtën kohë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Jemi pra brenda një strukture shtetërore, ku ministritë përkatëse nuk koordinohen në lidhje me përgjegjësitë e tyre.
Për çudi dhe absurd, një ministër Kulture thotë se dhe aktiviteti kulturor, pra produkti shpirtëror, është biznes. Vajmedet! Në çfarë bote, sa të prapambetur edhe sa larg jemi për të konceptuar e për të marrë përgjegjësitë e drejtimit të kulturës shqiptare, rol që tani për tani e ka z. Pango. Më vjen jashtëzakonisht keq, sepse ai vjen nga struktura pedagogjike. Me sa duket, jo gjithmonë një njeri i vendosur për të përcaktuar vizionet e kulturës mund të ketë aftësinë për të ditur dhe për të kuptuar se ku mund të zhvillohet kultura dhe identiteti kombëtar afatgjatë i një vendi. Kështu pra, në këtë drejtim, lufta që bëhet nuk është çështja, nëse do apo jo Pango, nëse do apo jo Ruli. Problemi shtrohet: A kanë vizione këta njerëz që të burojnë prej tyre vullnete politike dhe jo thjesht të nxjerrin një ligj apo një tjetër, sepse, në fund të fundit, një ligj ndryshon në funksion të një vullneti politik? Në qoftë se ky ligj është pengesë, ti duhet ta heqësh. Qoftë edhe fakti që ti nuk heq një ligj të tillë, i sjell pengesë shoqërisë. Kur thosha se për 17 vjet nuk është shfrytëzuar një hapësirë publike, po ngrija akuzën për dëmin që i ka sjellë kësaj shoqërie fakti që për 17 vjet nuk u shfrytëzua Kinostudioja. Nuk u krijuan aktivitete që lidheshin me kinematografinë apo me atë që unë e quajta ëndrrën time, e cila do mbetet përjetë e parealizuar, që atje të ndërtohej qyteti i artit. Akuza është: ligji vrau ëndrrën.
Çfarë do të ishte qyteti i artit? Do të kishim jo teatrin që ndodh brenda familjeve shqiptare, me drama, tragjedi, por do kishim sallat e katarsisit për shoqëritë, teatrot, kinematë. Jo me një kinema të vetme si Milenium, jo me një teatër të vetëm, por me shumë qendra arti në Kinostudio. Metropoli i Tiranës sonë, duam apo nuk duam, është jeta jonë, jeta e fëmijëve tanë, ëndrra jonë. Kështu që ajo ç’po ndodh, nuk është gjë tjetër vetëm një konflikt mentalitetesh të ndryshme, vizionesh të ndryshme. Madje, mund të them se vlerësimi i pasurisë kombëtare po bëhet sipas një pikëpamjeje krejtësisht të gabuar. Le të kuptojmë dhe diçka: për një komb, rëndësinë më të madhe nuk e kanë asetet e ngurta, tullat, as paraja, por asetet intelektuale. Po të shfrytëzonim kapacitetet intelektuale të shoqërisë sonë, ekonomia do të ishte në një stad tjetër, kultura dhe emancipimi shqiptar gjithashtu. Nuk do të mbetej asgjë në dorë të njerëzve që tek drejtojnë fatet e shoqërisë nën emrin e politikanëve, e mjerojnë atë dhe e lënë në një krizë permanente. Kështu që për mua është krejt e patolerueshme çka ndodh sot: si rektor, si njeri që punoj në kinematografi, si njeri që ia kam kushtuar jetën kinematografisë së bashku me pedagogë e kineastë që punojnë në akademinë “Marubi”, bashkë me studentët tanë, të goditem me shkelma. Një akt i tillë për mua është barbar dhe jo më kot e kam quajtur akt antiqytetar.
Z. Çashku, do të doja të kisha një përmbledhje në lidhje me marrëdhëniet kontraktuale me shtetin shqiptar për këtë godinë.
Unë ju kuptova, kur folët për marrëdhëniet kontraktuale. Por, kjo është gjëja që e quaj më pa vlerë. Ajo që është më e rëndësishme, është fakti që kam ngritur një akademi, jo një kioskë paketash, lavazh apo funeral siç janë parkingjet kudo në ambientet e Kinostudios. Kjo akademi bën pjesë sot në korpusin e akademive më të shquara sot në botë. Nuk po kuptohet ende që jemi pjesë e Silect dhe që sot 123 rektorë kanë marrë informacionin e plotë të rrahjes së rektorit të Akademisë së Filmit në Shqipëri, informacionin e plotë të ndërhyrjes së policisë në korpusin e Akademisë. Të gjithë këta rektorë morën informacion për ndeshje policie me pedagogë dhe studentë. Mos harroni se këtë dhunë e kanë ndjekur nga afër 22 pedagogë evropianë dhe amerikanë që japin kurse në Akademinë tonë. Nëse ju më pyesni sot për metra apo për të drejta juridike, ju duhet të pyesni për këtë ata që kanë në dorë të gjejnë zgjidhjet juridike. Duhet kuptuar se ka shtet ligjor dhe shtet të së drejtës. Shteti i së drejtës është më i fuqishëm se një shtet ligjor. Ndryshe nuk mund të flasim për krime të regjimit komunist. Tek isha i përfshirë në lëvizjet studentore, teksa më thuhej nga drejtuesit e regjimit se po shkelja ligjin, unë u përgjigjesha se do ta shkelja atë ligj, për sa kohë që ai po mjeronte shqiptarët. Pra, nëse një ligj bllokon hapjen e akademive, ne duhet ta shkelim atë ligj. Një ligj që bëhet pengesë për hapjen e shkollave, qendrave sanitare, ne duhet ta refuzojmë. Ligjet që pengojnë edukimin e rinisë, zhvillimin e shkollave, teatrove, kinemave, galerive, duhet t’i shtypim. Sepse vetëm kështu mund t’i nxjerrim njerëzit nga bingot, pabet, klubet, aferat e parave. Kjo është përgjegjësi politike, kjo është politikë. Pra, mos më pyesni për gjëra që nuk mund t’u jap përgjigje. Ajo që mund t’u them e t’u jap, dhe jo vetëm si individ, është se mund t’u jap jetën time dhe atë të kolegëve të mi, profesorë dhe regjisorë, t’u kalojmë një dije e një përvojë atyre që vijnë pas nesh. Mund të bëjmë dhe një gjë tjetër, të sjellim personalitete të kinemasë nga bota për të dhënë mësim në akademinë “Marubi”. Të ndjejmë atë çka tha dhe Xhim Belushi, se kishte bredhur gjithë botën, por se akademia “Marubi” është një akademi e shquar që e bën krenar për vendin e tij. Ndaj dhe e ndjej veten të fyer, kur, pasi marr çmimin e presidentit si nder apo ambasador i kombit, më vjen dhe kamxhiku kundër studentëve e pedagogëve. E mendoni në ç’dilemë vihet një njeri që ka investuar gjithë jetën e vet në kinema dhe që e thotë gjithnjë publikisht se nuk pretendon asnjëherë të ketë pronë. Në Kinostudio, akademia e filmit “Marubi” do të jetë gjithnjë pronë publike. Më lini sa të kemi frymë unë dhe kolegët e mi ta mbajmë gjallë, dhe pas nesh të tjerë që do të punojnë për kinemanë. Të mbajmë gjallë atë akademi, si dhe kinoteatrin që kemi ndërtuar. Ajo që kemi ndërtuar është një perlë dhe krenari për ne, jo për faktin se i bëra unë, por se e bëmë së bashku, unë me regjisorë dhe partnerë të huaj të nderuar e strategjikë për vendin tonë. Pikërisht këta partnerë që ishin aty e shihnin gjithçka, kur ne dhunoheshim nga policia.