E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saimir Pirgu, ndërrim vitesh me Rigoleton

 

Eno Peçi, nuk është i vetmi që natën e ndërrimit të viteve e kaloi në skenë. Tenori Saimir Pirgu, një tjetër pjesëtar i Teatrit të Vjenës e kaloi natën e Vitit të Ri me kolegët e teatrit të Zyrihut. Edhe ditën e fundit Pirgu ka qenë në prova në skenën gjermane, ku po përgatitet për një nga operat më të bukura të Verdit. Do të interpretojë rolin e Dukës së Mantovës në operën “Rigoletto”. Opera, e cila do të interpretohet në gjuhën origjinale, italiane, do të jetë e subtitruar në gjuhën gjermane. Dirigjohet nga Nello Santi. Kostumet dhe skenografia mbajnë firmën e William Orlandit. Në krah të tenorit shqiptar do të jetë sopranoja Elena Mosuc në rolin e Xhildës, Renato Bruson në rolin e Rigoletos, Liliana Nikiteaut në rolin e Madalenës, etj. Saimir Pirgu është një tjetër shqiptar, për të cilin 2008-a ka qenë një vit i mbarë. Ka luajtur në vepra të rëndësishme, mes të cilave “Idomeneo-Mbreti i Kretës”, apo “Triptiku” i Puçinit, nën regjinë e Woody Allenit. Gjatë këtij viti, Pirgu është një nga artistët shqiptarë më të pranishëm në faqet e mediave të huaja dhe në gojën e kritikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›