E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria, 2011-a, ecuri pozitive për statusin e vendit kandidat”

21-12-2010 / Gazeta 55

Presidenca e BE, Belgjika

Pak kohë para se të dorëzojë presidencën e radhës të Bashkimit Europian, Belgjika ka bërë dhe bilancin e këtij viti i cili ka njohur ndryshime rrënjësore kryesisht për Ballkanin Perëndimor.
Duke folur për mediat shqiptare në Bruksel, shefi i diplomacisë belge dhe kryesuesi i Presidencës së BE-së, Steven Vanackere, vuri në dukje se vendet të cilat filluan procedurat e anëtarësimit në Bashkimin Europian arritën deri në këtë stad nëpërmjet reformave dhe standardeve të larta.
“Për sa i përket Ballkanit Perëndimor, së pari, u dha fare qartë mesazhi i Sarajevës, se e ardhmja e këtyre vendeve është Bashkimi me familjen evropiane. Ne kemi bërë gjithçka që ky mesazh të jetë shumë i qartë dhe bindës, që ky proces integrimi do të realizohet. Mesazhi i dytë që ka shoqëruar të parin ka qenë ai se integrimi nuk arrihet automatikisht, natyrshëm, vetëm me kalimin e kohës. Përkundrazi, integrimi do të jetë meritë pune. Pra, është bërë punë dhe ka ende shumë për të bërë. Nëse kemi arritur të themi “Po” për ato që u arritën, kjo do thotë se kemi harmonizuar mirë të dyja mesazhet: atë të vullnetit tonë politik me kushtëzimin. Kushtëzim jo për t’i penguar këto vende të vijnë në BE, por të garantojmë të gjithë se kur themi ‘po’, të jemi të sigurt se janë arritur normat e BE-se”, tha Steven Vanackere, ministri i Jashtëm i Belgjikës.
Vetëm disa ditë më parë Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina aplikuan regjimin me viza të liberalizuara për qytetaret e tyre ndërsa Mali i Zi u pranua si vend kandidat i BE-së. Marrjen e statusit të vendit kandidat, Shqipëria e sheh si të mundshëm brenda 6 mujorit të parë të vitit 2011-të.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›