Berisha: Shqiptarët përgënjeshtruan eksodin e paralajmëruar nga bllokmenët e PS-së
Deklarata, pas kthimit nga Samiti i Partive Popullore Europiane
Kryeministri Sali Berisha vlerësoi maturinë dhe seriozitetin e shqiptarëve në lëvizjen pa viza drejt hapësirës “Schengen”. Pas kthimit nga samiti i Partive Popullore Evropiane në Bruksel, Berisha iu referua deklaratave të opozitës së Partisë Socialiste, të cilët vetëm pak ditë më parë paralajmëruan për një eksod prej 1 milion qytetesh shqiptarë, të cilët do vërshonin drejt vendeve të BE, menjëherë pas liberalizimit.
“Unë pata rastin dhe kënaqësinë të marr pjesë në Samitin e Partive Popullore Evropiane, në datë 16 dhjetor, ku falënderova me shumë mirënjohje kryetarët e qeverive dhe shteteve të vendeve të zonës së ‘Schengen’-it për vendimin e tyre, por edhe t’i informoj ata se shqiptarët e pritën në mënyrën më të civilizuar ditën e parë të heqjes së vizave. Njoftimi im u prit me kënaqësi të madhe dhe qytetarët shqiptare në mënyrë të shkëlqyer përgënjeshtruan, hodhën poshtë, shpifjet dhe trillimet e makinerisë së bllokmenëve të rinj që kishin mbushur Evropën letra dhe denoncime se do të keni një eksod prej 1 milionë qytetarësh”, u shpreh Berisha.
Kreu i ekzekutivit informoi se fushata e shpifjes dhe trillimeve të pazakonta të Edi Ramës dhe ndjekësve të tij, kishin mbërritur deri në Bruksel, duke kërcënuar institucionet evropiane.
“E vërteta është që ky qëllim, për të cilin kishin shkruar dhe në gazetat e tyre, madje kishin çuar dhe lajme në Bruksel se të përndjekurit politik do të vijnë dhe do të bëjnë protesta para Komisionit Evropian, do kërkojnë azil, politik, shpifje dhe trillime të denja vetëm për moralin e tyre. Përpjekjet i bënë për të nisur një grup. Biletat i morën, por i dogjën”, tha Berisha.
Kryeministri i vendit theksoi dhe njëherë se qeveria realizoi fushatën e informimit ndër më të suksesshmet, në mënyrë që vendimi fisnik i zyrtarëve të Brukselit, të respektohet maksimalisht dhe me dinjitet nga shqiptarët.
“Informacioni i bërë nga qeveria për këtë proces ka qenë më i ploti. Po ashtu edhe qëndrimi i qytetarëve shqiptarë ka qenë në lartësinë e përgjegjësisë dhe dinjitetit të mirënjohjes së këtij vendimi fisnik që vendet e zonës ‘Schengen’ morën për Shqipërinë dhe shqiptarët”, theksoi kryeministri, duke shtuar se në takimet e zhvilluara me krerët e PPE-ve, i ka garantuar edhe një herë qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian se qeveria shqiptare qëndron e vendosur, e gatshme, e hapur për të marrë të gjitha masat bashkërisht me qeveritë e këtyre vendeve për të shmangur çdo lloj abuzimi, qoftë edhe në rastin më të veçantë me këtë të drejtë të re të madhe që fituan qytetarët shqiptarë.