Ministri Lulzim Basha: “Lëvizja pa viza, asnjë rrezik për eksod”
Ministri i Brendshëm flet pas përurimit të sallës operative për operacionet speciale të policisë, ku me instalimin e 200 kamerave, Tirana nuk do të jetë më kryeqyteti i vetëm në Europë pa një sistem monitorimi
Në pesë ditët e para të liberalizimit të vizave procesi ka vijuar normalisht dhe nuk ka pasur asnjë fluks që mund të shqetësonte autoritetet e vendeve “Schengen”. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha u shpreh se në pesë ditët e para të liberalizimit të vizave është shprehur i kënaqur nga ecuria e procesit dhe se në të vetmen pikë të kalimit ku kishte probleme janë zgjidhur keqkuptimet.
“Ne kemi një raport të përditshëm. Deri dje në mesnatë, kanë kaluar në pikat doganore 11 723 persona. Është normale, nuk bëhet fjalë për ndonjë eksod ashtu siç ndokush mendonte”, është shprehur Basha.
Ai tha se “ka pasur probleme në Kakavijë, por kontaktet e palës shqiptare janë të vazhdueshme me të gjitha autoritetet e vendeve fqinje. Por, jam i bindur se procesi është i suksesshëm”.
Deklarata e ministrit të Brendshëm ka ardhur menjëherë pasi është përuruar salla operative për operacionet speciale të policisë. Ministri Basha, ishte i ftuari i operacionit të parë policesk të koordinuar nga salla më e re e Policisë së Shtetit, ku krahas pamjeve reale në operacion kryhej edhe lidhja me oficerët e kontaktit dhe database të të dhënave kriminale të policive nga vendet partnere.
I pyetur nga gazetarët për personat që janë kthyer nga pikat doganore, Basha theksoi se këta persona janë kthyer pasi kanë pasur probleme të mëparshme në vendet e zonës “Schengen”.