Philip Gordon: Shqipëria, arritje domethënëse, heqja e vizave meritë e reformave
SHBA dhe BE urojnë kryeministrin Berishën për heqjen e vizave
Philip H.Gordon zëvendëssekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit ka uruar dje të gjithë shqiptarët për vendimin historik të liberalizimit të vizave. Ky urim është bërë përmes një letre dërguar kryeministrit Sali Berisha.
Në këtë urim zëvendëssekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit Philip H.Gordon vlerëson lart përpjekjet dhe punën e qeverisë shqiptare për arritjen e liberalizmit të vizave. Ai thekson se vendimi i 8 nëntorit, për të dhënë liberalizimin e vizave Shqipërisë është njohje e shumë përpjekjeve te bëra nga Qeveria shqiptare dhe pasqyron aspiratat e qytetareve shqiptare, të cilët e kanë dëshiruar për një kohë të gjatë arritjen e këtij momenti historik. Në këtë letër urimi dërguar kryeministrit të vendit, zëvendëssekretari amerikan Gordon përshëndet kryeministrin Berisha si dhe popullin shqiptar për liberalizmin e vizave me Bashkimin Evropian.
“I dashur Kryeministër, Në emër te Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju përshëndes Ju dhe popullin shqiptar për arritjen nga Shqipëria të liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian. Vendimi i 8 nëntorit, për të dhënë liberalizimin e vizave Shqipërisë, është njohje e shume përpjekjeve të bëra nga Qeveria juaj dhe reflekton ose pasqyron aspiratat e qytetareve shqiptare, të cilët e kanë dëshiruar për një kohë të gjatë arritjen e këtij moment historik”, shprehet zëvendëssekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit Philip H.Gordon.
Gordon e ka cilësuar si një hap tepër të rëndësishëm liberalizimin e vizave për Shqipërinë me vendet e BE-së duke e vlerësuar këtë hap si progres për Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Gordon ka shprehur në këtë letër urimi mbështetjen e plotë të shtetit amerikan për Shqipërinë drejt integrimit në komunitetin euro - atlantik. Ndërveprimi në rritje midis qytetarëve të Shqipërisë dhe shteteve anëtare te BE-së është një pjesë jetike e këtij integrimi.
Gjithashtu në përfundim të urimit të tij Gordon ka shprehur interesimin e SHBA-ve për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në fusha me interes te përbashkët midis dy vendeve.
Merkel: Heqja e vizave, moment historik për popullin shqiptar
Kryeministri Sali Berisha mori ditën e djeshme një letër urimi nga kancelarja gjermane Angela Merkel. Ky urim nga kancelaria gjermane Merkel erdhi në kuadër të liberalizimit të vizave për Shqipërinë i cili u zyrtarizua më 15 dhjetor të 2010-ës. Angela Merkel e cilësoi heqjen e vizave për Shqipërinë, një moment historik për popullin shqiptar. Në këtë telegram urimi Merkel shprehet se vendimi për liberalizimin e vizave, jo vetëm që do të lehtësojë marrëdhëniet ekonomike, por gjithashtu edhe kontaktet ndërpersonale midis qytetareve të Evropës.
“Heqja e kërkesës për viza për udhëtime në zonën ‘Schengen’ është me të vërtetë moment historik për popullin shqiptar. Ky vendim jo vetëm që do të lehtësojë marrëdhëniet ekonomike, por gjithashtu edhe kontaktet ndërpersonale midis qytetarëve të Evropës”, është shprehur kancelaria gjermane në letrën e urimit dërguar kryeministrit Berisha.
Gjithashtu Merkel ka vlerësuar punën e qeverisë shqiptare për arritjen e liberalizimit të vizave, për fushatën që po bën qeveria shqiptare për informimin e qytetarëve për kushtet e lëvizjes së lirë në zonën “Schengen” dhe mënjanimin e abuzimeve të mundshme. “Shqipëria tashme ka arritur këtë objektiv të rëndësishëm për qytetarët e saj. Unë jam e kënaqur për sigurimet tuaja se qeveria shqiptare po punon për parandalimin dhe mënjanimin e abuzimeve të mundshme me liberalizimin e vizave. Kjo është në interesin e të gjithë neve”, shprehet kancelaria gjermane Angela Merkel në përfundim të telegramit të saj drejtuar kryeministrit Berisha.