Shqipëria, 37 000 metra katrorë prona të paluajtshme, të sekuestruara
Rreth 37 mijë metra katrorë rezulton sipërfaqja e pasurive të paluajtshme që u është sekuestruar në Shqipëri personave të dyshuar për financim të terrorizmit. Kjo pasuri e paluajtshme, e përbërë nga troje (27517.9 metra katrorë), apartamente banimi (1652.4 metra katrorë) dhe ambiente biznesi (7464.6 metra katrorë) është e shtrirë kryesisht në Tiranë dhe urdhrat për sekuestrimet e tyre kanë qenë gjatë periudhës 2004-2006.
Konkretisht, shoqërisë “Loxhalli sh.p.k”, me pronar Yasin Kadi, zotërues i 100% të aksioneve, i janë sekuestruar 26.347 metra katrorë sipërfaqe truall, 619 metra katrorë sipërfaqe apartamente banimi dhe 5009 metra katrorë ambiente biznesi. Autoriteti urdhërues për sekuestrimin e pasurisë së paluajtshme të “Loxhalli sh.p.k” ka qenë ministri i Financave, ndërsa baza ligjore ka qenë Ligji numër 9258, datë 15.7.2004, urdhri numër 2 datë 3.12.2004, ndryshuar me urdhrin numër 36, datë 27.11.2006.
Fondacionit “TAIBAH INT” i janë sekuestruar 726 metra katrorë sipërfaqe apartamente banimi. Autoriteti urdhërues për sekuestrimin e pasurisë së paluajtshme të këtij fondacioni ka qenë ministri i Financave, ndërsa baza ligjore ka qenë Ligji numër 9258, datë 15.7.2004, urdhri numër 9 datë 10.03.2005, ndryshuar me urdhrin numër 29, datë 05.07.2006. Një tjetër fondacion, të cilit i është sekuestruar pasuria e paluajtshme, pasi rezulton në listën e zezë të të dyshuarve për financim terrorizmi, është fondacioni “Al Haramania”. Këtij fondacioni i janë sekuestruar 432 metra katrorë sipërfaqe truall dhe 157 metra katrorë sipërfaqe apartamente banimi. Autoriteti urdhërues për sekuestrimin e pasurisë së paluajtshme të këtij fondacioni ka qenë ministri i Financave, ndërsa baza ligjore ka qenë Ligji numër 9258, datë 15.7.2004, urdhri numër 10 datë 10.03.2005, ndryshuar me urdhrin numër 30 datë 5.7.2006.
Abdul Latif Saleh, një tjetër person i dyshuar si financues i terrorizmit, i janë sekuestruar 98.9 metra katrorë sipërfaqe truall dhe 150.2 sipërfaqe apartamente banimi. Edhe në këtë rast autoriteti urdhërues ka qenë ministri i Financave, baza ligjore ka qenë Ligji numër 9258, datë 15.7.2004, urdhri Nr.6, dt.25.11.2005, ndryshuar me urdhrin Nr.28, dt.5.7.2006.
Gjithashtu sekuestro ka pësuar edhe pjesa e pasurisë së Al Kadi te “Kullat binjake”, përkatësisht 550 metra katrorë sipërfaqe truall dhe 2455 metra katrorë ambiente biznesi.
14 Prill 2008