E Diel, 1 Nëntor 2026

Si do të jepen me qira pronat e sekuestruara të të dyshuarve për financim terrorizmi

Intervista/ Kryeadministratori i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Hekuran Vladi, shpjegon ecurinë e procesit të qiradhënies së pasurive të paluajtshme të sekuestruara

Shaban Sulçe

Vendimi i Këshillit të Ministrave dhe udhëzimi i Ministrisë së Financave për dhënien me qira të pasurive të paluajtshme, të sekuestruara personave të dyshuar si financues të terrorizmit ngarkon me një rol të veçantë Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Kjo Agjenci dhe titullari i saj do të kenë detyrën e realizimit të procesit të dhënies me qira të këtyre pronave të sekuestruara institucioneve shtetërore si dhe subjekteve private që janë të interesuara. Kryeadministratori Hekuran Vladi, në një intervistë për gazetën “Albania” shpjegon ecurinë e këtij procesi, kriteret dhe procedurat që duhen ndjekur për të marrë me qira këto prona të sekuestruara.

Zoti Vladi, një vendim i Këshillit të Ministrave në muajin shkurt të këtij viti dhe një udhëzim i ministrit të Financave në lidhje me dhënien me qira të pasurive të paluajtshme, të sekuestruara personave të dyshuar për financim të terrorizmit, ngarkon Agjencinë e Administrimi të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara te drejtuar prej jush për të realizuar këtë proces. A mund të na shpjegoni diçka më tepër në lidhje me këto prona, duke filluar me diçka që ju mund të keni për të shtuar me përmbajtjen e këtij vendimi?

Sa i përket pyetjes suaj, ju them që në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare për masat kundër financimit të terrorizmit, Shqipëria është lavdëruar edhe së fundi në Samitin e Bukureshtit, ku mori edhe ftesën e anëtarësimit në NATO. Ka një listë të zezë të personave të dyshuar si financues të terrorizmit, e cila është shpallur përveçse nga OKB-ja, edhe me vendime të Këshillit të Ministrave në Shqipëri në vitin 2004 dhe shtuar në 2007-n. Kërkesat ligjore në fuqi dhe ato të akteve ndërkombëtare të ratifikuara në Parlamentin shqiptar parashikojnë që personave të kësaj liste t’u merren të gjitha pasuritë, duke u prerë mundësinë e pasjes së fryteve të tyre dhe kjo ndodh për sa kohë ata qëndrojnë në këtë listë. Nëse ndonjëri prej këtyre del nga lista e të dyshuarve për financim terrorizmi, i kthehen pasuritë në gjendjen që ishin në fillim bashkë me vlerën e shtuar, nëse ka dhe duke i zbritur të gjitha shpenzimet e domosdoshme që janë bërë për to. Vendimi i Këshillit të Ministrave për të cilin flasim (nr.140, datë 13.2.2008- “Për mënyrën e administrimit të pasurive të paluajtshme të sekuestruara në kuadër të masave kundër financimit të terrorizmit”) është një vendim i miratuar me kërkesën e ministrit të Financave në zbatim të Ligjit “Për masat kundër financimit të terrorizmit”. Ky Vendim ka rregulluar tri çështje të rëndësishme të pazgjidhura deri më tani, sa i përket administrimit të pasurive të patundshme të sekuestruara në kuadër të masave kundër financimit të terrorizmit dhe këto janë: së pari, përgjegjësia e administrimit i caktohet Agjencisë, së dyti, përcaktohet qiradhënia e tyre si forma kryesore e administrimit, dhe së treti përcakton çështjet teknike të menaxhimit të tyre. Me udhëzimet e nxjerra menjëherë pas hyrjes në fuqi të Vendimeve nr. 12 dhe 13, ministri i Financave ka rregulluar përfundimisht çështjen e administrimit të pasurive të patundshme të sekuestruara në kuadër të masave kundër financimit të terrorizmit.

Le t’i kthehemi procesit të dhënies me qira të këtyre pronave të paluajtshme, të sekuestruara. Kur do të fillojë qiradhënia dhe çfarë kriteresh do të ndiqen për këtë?

Agjencia ka filluar procesin e marrjes në administrim dhe paralelisht ka përgatitur paketat e para të ofertave të qirasë. Së shpejti do të shpallen në buletinin zyrtar të APP-së dhe në shtyp njoftimet e para. Sa i përket kritereve, janë ato të tregut.

Që do të thotë?

Që do të thotë që Agjencia do të bëjë përpjekjet që çmimet e qirasë të jenë çmime normale si ato të tregut të lirë. Natyrisht që oferta jonë nuk mund të jetë fleksibël si ajo e tregut, referuar disa kritereve strikte të trajtimit të pronave të sekuestruara dhe kjo mund të ndikojë në uljen e kërkesës e ndoshta në çmime më të ulëta. Megjithatë, kërkesa nuk mendoj se do jetë problem sidomos për një pjesë të madhe të këtyre pasurive, të cilat ndodhen në Tiranë. Gjithsesi, në respekt të ligjit dhe konventave ndërkombëtare dhe siç përcaktohet dhe në udhëzimet e ministrit të Financave, dhënia me qira e pasurive të patundshme të sekuestruara në kuadër të masave kundër financimit të terrorizmit ka për qëllim administrimin korrekt të këtyre pasurive. Nëpërmjet dhënies me qira, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara duhet të synojë garantimin e ruajtjes, mirëmbajtjes, sigurimin e domosdoshëm dhe të ardhura të tjera sa të jetë e mundur. Gjithashtu, dhënia me qira e këtyre pasurive do të jetë një proces i dokumentuar dhe transparent. Ky proces do të ndjekë parimet e përgjithshme dhe ecurinë e tregut të lirë të pasurive të patundshme në vend.
Sa i përket procedurave që ndiqen, ato janë të shpallura tashmë në faqen e web-it të Ministrisë së Financave dhe në thelb të tyre kanë konkurrimin e lirë e transparent dhe janë ndërtuar në frymën e ligjit për prokurimin publik. Në këto konkurrime mund të paraqesë kërkesën cilido person fizik, apo juridik, shqiptar apo i huaj, natyrisht përveç personave të listës së të dyshuarve për financim të terrorizmit.

Si keni vepruar, apo do të veproni në rastet kur në këto prona ushtrojnë aktivitet biznese të ndryshme?

Sipas informacioneve të marra nga institucione të tjera të zbatimit të ligjit për masat kundër financimit të terrorizmit, një pjesë e këtyre pasurive të patundshme janë në përdorim të subjekteve të ndryshme private. Menjëherë me marrjen në administrim nga ana e Agjencisë, nëse në këto objekte ushtrojnë aktivitet të ligjshëm biznese të ndryshme dhe ata paraqesin interesin e tyre për të vazhduar aktivitetin aty, atyre u ofrohet kontrata e qirasë pa konkurrim, por me çmim të negociuar, i cili nuk mund të jetë më i vogël sesa çmimi dysheme i caktuar nga një komision i veçantë i vlerësimit të tregut atypari. Qëllimi i këtij veprimi është mbarëvajtja dhe funksionimi normal i bizneseve tatimpaguese. Nga kjo kategori, deri tani janë marrë në administrim 8 dyqane në Rrugën e Durrësit në Tiranë, të cilat rezultuan në përdorim të subjekteve private, me 7 prej të cilave janë lidhur kontrata qiraje. I 8-i ka qëndruar i bllokuar dhe meqenëse edhe përdoruesit e këtij ambienti kanë paraqitur kërkesën e tyre brenda afatit të caktuar prej Agjencisë, do t’u ofrohet gjithashtu një kontratë qiraje me të njëjtat kushte si të të tjerëve.

Sa parashikoni të jenë të ardhurat prej këtyre pasurive dhe çfarë fiton shteti nga administrimi i këtyre pasurive të sekuestruara?

Shteti fiton atë që i takon. Të gjitha detyrimet fiskale që rrjedhin nga aktiviteti i qiradhënies, taksa të pasurisë e taksat lokale, të cilat paguhen për secilën pasuri në mënyrë korrekte nga Agjencia. Përveç formalizimit të kësaj pjese të tregut dhe të ardhurave fiskale, shteti fiton zbatimin korrekt të ligjit e të konventave ndërkombëtare dhe plotëson një nga standardet e kërkuara nga Task-Forca e BE-ja dhe kriteret e anëtarësimit në NATO.
Të ardhurat e mundshme të qirasë arkëtohen në numra llogarie të ngrirë, të cilët preken vetëm për shpenzime të këtyre pronave dhe taksat respektive. Natyrisht që nëpërmjet qirasë, një pjesë e pronave të sekuestruara pësojnë një rritje të vlerës së tyre, e cila shkon bashkë me pronën, aty ku të përfundojë prona e sekuestruar pas marrjes së vendimit përfundimtar për të, në shtet apo i kthehet pronarit. Arsyeja kryesore e përcaktimit të qiradhënies si formë e administrimit të pasurive të sekuestruara është minimizimi i kostove për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e tyre, të cilat janë detyrim ligjor deri në vendimin përfundimtar të konfiskimit, apo të revokimit të masës së sekuestros.

Ju folët më parë për plotësimin e kuadrit rregullativ të pasurive të patundshme të sekuestruara në kuadër të financimit të terrorizmit. Po me pasuritë e tjera të sekuestruara çfarë ndodh?
Administrimi i pasurive të sekuestruara në Shqipëri është një problem me vete. Procesi çalon në të dy krahët, si atë ligjor dhe atë organizativ. Përsa i përket ndryshimeve të nevojshme në ligj, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme, nga ana e kryeministrit është urdhëruar ngritja e një grupi pune me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme. Ky grup ka filluar punën e tij dhe dua të falënderoj këtu dhe asistencën e çmuar të OPDAT. Ndërsa përsa i përket kapaciteteve organizative, në Ministrinë e Financave është përgatitur drafti për ndryshimin e statusit të Agjencisë dhe shtimin e saj me personel të nevojshëm.

14 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›