E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona ëndërron të kopjojë Milanin e edicionit të kaluar

Një vit më parë ishte Milani kundër Premiership dhe skuadra italiane triumfoi. Këtë edicion është radha e Barcelonës t‘i kundërvihet futbollit anglez në Ligën e Kampioneve me Mançester Junajtid, Liverpul dhe Çelsi, që arritën në gjysmëfinale për të dytin vit radhazi. Nëse sezoni i kaluar do të merret si shembull, të gjithë duhet të jenë të sigurt se Barcelona do të triumfojë në finalen e Moskës më 21 maj. Ndonëse forma aktuale e skuadrave dhe koeficientet e basteve sugjerojnë se trofeu do të shkojë në Angli, fati mund të vendosë ta dërgojë atë në Spanjë.

Skuadrat angleze janë të jashtëzakonshme për të mbërritur në gjysmëfinale, ndërsa do të jetë të paktën një skuadër angleze në finale për vitin e katërt radhazi. Por fitorja e trofeut është një çështje krejtësisht ndryshe, pasi anglezët e kanë fituar atë vetëm dy herë që nga viti 1984. Që nga ajo periudhë, klubet italiane (shtatë trofe) dhe ato spanjolle (5 trofe), kanë treguar se janë shumë më të mira në këtë pikë të sezonit, duke sugjeruar se treshja angleze mund të dështojë përballë Barcelonës, fituese e Ligës së Kampioneve në vitin 2006, ku mundi në finale Arsenalin me rezultatin 2-1. Ashtu si Milani një vit më parë, Barcelona është shumë larg kreut në kampionatin vendas, e goditur nga dëmtimet e njëpasnjëshme të lojtarëve kryesorë dhe në kërkim të vazhdimësisë. Milani e mbylli sezonin në vendin e katërt, 36 pikë pas Interit që fitoi kampionatin. Por duke ruajtur formën më të mirë për Ligën e Kampioneve, kuqezinjtë mundën në finale Liverpulin me rezultatin 2-1. Barcelona aktualisht është e treta në renditjen e kampionatit, me 11 pikë diferencë nga Reali i Madridit dhe kjo do të thotë se ashtu si Milani i edicionit të kaluar, ka si objektiv vetëm Ligën e Kampioneve. Me Lionel Mesin, Samel Eto‘o dhe Deko përsëri në formën më të mirë fizike, Barcelona ka talentin e mjaftueshëm për të mundur Mançester Junajtid në sfidën e parë që luhet në "Kamp Nou", 24 orë pasi Liverpuli dhe Çelsi do të vihen përballë njëri-tjetrit. Ndonëse rezultati i fundit i katalanasve në kampionat ishte një barazim pa gola ndaj Espanjolit, mesfushori Iniesta e sheh këtë si një ogur të mirë. "Liga e Kampioneve është krejtësisht ndryshe. Shembulli më i mirë është se pas humbjes së tmerrshme 3-2 përballë Betisit, ne ishim të aftë të mposhtnim Shalken në Gjermani. Për ne është shumë e rëndësishme të shkojmë në finale dhe kemi para nesh 180 minuta për ta realizuar një gjë të tillë", u shpreh ai.

Barcelonës i nevojitet të ndryshojë rimtin e saj, duke lënë pas paraqitjet e kampionatit dhe të kthehet me mendjen nga spektakli, që ka dhuruar gjithmonë në Ligën e Kampioneve. Por katalanasit kanë një problem madhor, pasi duket sikur kanë humbur besimin në forcat e tyre dhe kjo ka shtyrë edhe tifozët të sulmojnë lojtarët, trajnerin Rajkard dhe presidentin Laporta. Mesi, Eto‘o, Henri dhe Deko do të kenë detyrën e vështirë për të siguruar një rezultat pozitiv në sfidën e parë, në mënyrë që të kenë një garanci për sfidën e kthimit të një jave më vonë në "Old Traford". Nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, futbolli evropian do të shohë për herë të parë një finale tërësisht angleze në Ligën e Kampioneve, do të konfirmohet dominimi i plotë i Premiershipit në kontinent, ndërsa Rajkard do të fillojë të kërkojë një vend të ri pune.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›