E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia thirrje NATO-s për anëtarësim

Tre vendet që presin të marrin ftesën për anëtarësimin në NATO, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, i kanë bërë një thirrje të përbashkët aleancës dhe janë shprehur se anëtarësimi i tyre do të ndihmonte në stabilizimin e rajonit të Ballkanit. Ministrat e Jashtëm të tre vendeve, nëpërmjet kërkesës së tyre u shprehën se zgjerimi i aleancës do të forconte stabilitetin në rajon dhe do të zgjeronte aftësitë e NATO-s në Europën Juglindore. Tre vendet ballkanike shpresojnë që në takimin e nivelit të lartë të aleancës muajin e ardhshëm në Bukuresht, të marrin një ftesë për anëtarësim në NATO. Gjatë ditëve të fundit ajo që mendohet të ketë më shumë mundësi për marrjen e ftesës është Kroacia. Ndërsa Maqedonia dhe Shqipëria vihen në pikëpyetje për shkak të konflikteve të fundit mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit. Greqia ka paralajmëruar se do të pengojnë anëtarësimin me anë të vetos nëse Maqedonia nuk përpiqet të gjejë një zgjidhje për emrin. Megjithatë, edhe Shqipëria mund të ketë fatin e Maqedonisë dhe të mos e marrë ftesën. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, gjatë një vizite në Athinë është shprehur se për strategjinë stabilizuese të Aleancës është i rëndësishëm trajtimi i Ballkanit Perëndimor në tërësi si rajon më i gjerë, duke theksuar si të rëndësishme edhe marrëdhëniet me Serbinë.

Nacionalistët serbë rezolutë në Parlament kundër BE-së

Nacionalistët në Parlamentin serb, të zemëruar nga mbështetja e Europës për pavarësinë e Kosovës, kanë paraqitur një rezolutë, e cila mund të bllokonte një lëvizje të Beogradit drejt anëtarësimit në BE. Ajo është hartuar nga Partia Radikale serbe dhe i kërkon Beogradit të ndalë bisedimet paraprake për anëtarësim me Bashkimin Europian nëse ky i fundit nuk njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën. Rezoluta kërkon gjithashtu tërheqjen e Misionit të BE-së nga Kosova, por edhe që vendet e BE-së që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të ndryshojnë vendimet e tyre. Kryeministri Vojisllav Koshtunica dhe pasuesit e tij nuk duan lidhje me BE-në pa Kosovën. Projekt-rezoluta tregon shenja të ndarjes së koalicionit qeveritar, një aleancë e brishtë mes zotit Koshtunica dhe partisë pro-perëndimore të presidentit Boris Tadiç, i cili është shprehur pro anëtarësimit në BE për zgjidhjen e problemeve të vendit. Presidenti serb ka deklaruar se plani- aksion për veprimin e organeve shtetërore të Serbisë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk përmban elemente të dhunës dhe as sjell ndonjë luftë të re. Plani, sipas tij, ka për qëllim ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë, stabilitetin dhe jetën e qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë.

6 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›