E Diel, 1 Nëntor 2026

Përjashtimi i gjyqtarëve shtyn shortin për Gërdecin

Autori i Lajmit: red.
Përjashtimi i gjyqtarëve nga gjykimi i dosjes së Gërdecit ka detyruar Gjykatën e Lartë që të shtyjë hedhjen e shortit dje. Sipas burimeve nga gjykata, dje është mbledhur kryesia e gjykatës ku janë shqyrtuar dhe është hedhur shorti për dosje të tjera ndërkaq për dosjen Gërdeci shorti është shtyrë pasi çështja ka ngecur në numrin e gjyqtarëve që janë në dispozicion për të gjykuar këtë dosje. Gjykata e Lartë ka gjithsej 7 gjyqtarë për çështjet penale, nga të cilët katër janë të përjashtuar. Ardian Nuni, ndodhet në SHBA që prej rikuperimit nga atentati, së bashku me familjen. Adrian Dvorani është vëllai i një prej viktimave dhe nuk mund ta gjykojë, pasi ka konflikt interesi. Ndërkaq edhe gjyqtari Gani Dizdari nuk mund të jetë pjesë e Kolegjit Penal, pasi ka vlerësuar masat e arrestit për disa nga të pandehurit e kësaj dosjeje. Por gjasat janë që as kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, të mos e gjykojë këtë dosje. Tashmë pritet që gjykata t i japë zgjidhje këtij problemi dhe së shpejti të përcaktojë Kolegjin Penal që do të marrë në shqyrtim dosjen. Dje në Gjykatën e Lartë kanë mbërritur edhe pjesa e provave që u rikthyen mbrapsh nga gjykata. Disa prova jo pak të rëndësishme nuk u morën në dorëzim nga gjykata, pasi nuk ishin të protokolluara. Dosje që u rimorën dje në dorëzim ishte kompjuteri i Ylli Pinarit, dokumentacioni i municionit të kompanisë “Albademil”, disa prej dëshmive nga të pandehurit si dhe disa prova të tjera. Këto prova u regjistruan ditën e djeshme në sekretarinë e gjykatës dhe iu bashkuan pjesës tjetër të dosjes.
Ky lajm është publikuar: 18/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›