Shqipëria U-20, humbja e gjashtë

Humbjet nuk kanë të sosur për kombëtaren e basketbollit të djemve të moshës deri në 20 vjeç. Kjo gjë ka ndodhur dhe të shtunën në Kampionatin Europian, Divizioni B, teksa kuqezinjtë e drejtuar nga Eni Llazani, kjo për vendet 17-20, janë mundur nga Luksemburgu me 26 pikë diferencë. Në fund janë fiksuar shifrat 64-90 për Luksemburgun, që e ka dominuar ndeshjen nga fillimi deri në fund. 27-19 perioda e parë për Lukemburgun.
19-12 e dyta po për Luksemburgun, që në pushim ka kryesuar 46-31. Vetëm në periodën e tretë, kjo pas rikthimit në fushën e lojës pas pushimit, Shqipëria ka reaguar. Ka fituar 25-21 dhe ka ngushtuar në 67-56. Mirëpo e fundit është si gjithmonë dërrmuese për kuqezinjtë, të cilët janë mundur 23-8 e në fund 90-64 për Luksemburgun.
Kjo ishte humbja e gjashtë për kuqezinjtë në gjashtë ndeshje, ndërsa lojtari më i mirë i Shqipërisë ishte përsëri Xhuljan Tola me 12 pikë të shënuara, 4 kapje topi në tabelë, 4 asist, 3 rrëmbime të topit në aksion e sipër të kundërshtarit dhe 4 bllokime. Ndeshja e fundit për Shqipërinë e moshës deri në 20 vjeç në Kampionatin Europian, Divizioni B, do të jetë të dielën në ora 09:00 ndaj Azerbajxhanit. Por ajo që mbetet është fakti se e gjithë pjesëmarrja në këtë Europian ishte një dështim i plotë.