Ushtarakët, pensionet në bazë të pagës neto
Anilejda Shëmbitraku
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, miratoi dje aktin normativ “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 10142, datë 15.5.2009 ‘Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipëris뒔. Në këtë projektligj parashikohet që llogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të bëhet mbi pagën mesatare referuese neto të çastit kur një përfitues merr pension. Në këtë mënyrë përfitimi nga pensioni përllogaritet si pjesë e përfitimit faktik mujor nga puna dhe teorikisht nuk mund të jetë më i madh se paga neto që një ushtarak apo punonjës policie merrte gjatë kohës që ishte në punë.
Efektet
Pas këtyre ndryshimeve, për shkak të llogaritjes së përfitimeve mbi bazën e të ardhurave mujore neto dhe rritjes së normës së kontributit, efektet financiare shtesë që do të duhet të mbulohen nga buxheti i shtetit, parashikohet të jenë jo më shumë se 200-250 milionë lekë në vit. Projekti, përsa u takon përfitimeve, parashikohet t’i shtrijë efektet financiare nga data e hyrjes në fuqi të Ligjit Nr.10 142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të Punonjësve të Policisë së Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shërbimit të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm”. Ndërsa norma e re e kontributeve do të hyjë në fuqi nga data 1.1.2011.
Paga
Paga referuese përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit dhe shtesat mbi pagë, ose nga paga bazë mujore për funksion dhe shtesat, të cilat përcaktohen e zbatohen për të njëjtën gradë apo funksion në datën e lindjes së të drejtës së një përfitimi. Për efekt të përcaktimit të përfitimeve, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion.
Pagat referuese të njësuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Paga mesatare referuese neto, është paga e barabartë me pagën referuese mesatare, pasi i zbritet shuma e kontributit të sigurimit shoqëror shëndetësor, tatimit mbi të ardhurat dhe kontributit suplementar, sipas këtij ligji, të cilat mbahen nga paga. Pagat referuese të njësuara, rregullat e llogaritjes së pagës referuese neto dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese neto, për të gjithë karrierën, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Kujtim Çako
“Pensioni i parakohshëm, bie skema e llogaritjes së përfitimeve”
Përkeqësim ka në llogaritjen e pensionit të parakohshëm në krahasim me nenin 14, që përcakton: Pikat 1 dhe 2, të nenit 14, ndryshohen, si më poshtë vijon: 1. Pensioni i parakohshëm, për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit, është 1.5% e pagës mesatare referuese mujore neto për çdo vit shërbimi. Në këtë dispozitë të krahasuar me formulën në fuqi: “Pensioni i parakohshëm për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit është 50% e pagës mesatare referuese mujore. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, sipas përcaktimit, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës mesatare referuese”, rezulton një rënie e theksuar e masës së pensionit. Akti normative, me sa duket, kënaq plotësimin e nevojave më pak se minimumi jetik sipas përcaktimit: 2. Në çdo rast, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë, i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me Ligjin Nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Përkeqësimi i dispozitës ka të bëjë me të drejtën e përfitimit të pensionit apo parashkrimin e tij, në kundërshtim me dispozitën në fuqi: “Neni 28, e drejta e përfitimeve, nga ky ligj nuk parashkruhet. Personi që i kërkon përfitimet jo më vonë se 1 vit nga data kur i lind kjo e drejtë, përfitimi i paguhet nga data e lindjes së të drejtës. Në raste të tjera, përfitimi paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës për përfitim. Në kundërshtim me sa më sipër në aktin normativë deri në fund të vitit penalizohen ushtarakët në pension si vijon: Neni 4: “Kërkesa për përfitim, sipas përcaktimeve të pikës 1, të nenit 28, të Ligjit Nr.10.142, datë 15.5.2009, nga personat që e drejta u ka lindur, por nuk është ushtruar, mund të ushtrohet deri më 31.12.2010 dhe përfitimi do të jepet nga data e hyrjes në fuqi të ligjit të sipërpërmendur. Shumat e pensioneve të parakohshme, të rillogaritura, kur rezulton shtesë mbi shumat e përfituara më parë, i paguhen përfituesit me këste, sipas përcaktimeve, me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me parashikimet në buxhetin e vitit përkatës”. Neni 5: “Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë, botohet në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet financiare, si më poshtë: a) Për përfitimet, nga data e hyrjes në fuqi e Ligjit Nr.10142, datë 15.5.2009. Në buxhetin e vitit 2011 duhet të planifikohet fond i veçantë, pasi shifrat e përgjithshme joanalitike nuk e pasqyrojnë drejt këtë fond”.
Llogaritja
Çfarë i hiqet pagës referuese
Ashtu si për gjithë të punësuarit e tjerë publikë, me pagë neto, për llogaritjen e pensioneve të Forcave të Armatosura do të kuptohet paga reale që i paguhet një të punësuari, e cila është e barabartë me pagën bruto, pasi asaj i bëhet zbritja e tatimit mbi të ardhurat, kontributit të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe kontributit suplementar që mbulohet nga paga e personit të punësuar.
Akti normativ
Ndryshimet që ulin përfitimin e ushtarakëve
1- Paga referuese mbi të cilën llogariteshin pensionet u nënshtrohet taksave.
2- Rritet niveli i kontributeve që duhet të paguajnë ushtarakët nga 2% në 5%.
3- Pensioni i parakohshëm është 1.5% e pagës mesatare referuese mujore neto.
8 Dhjetor 2010