E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria brenda vitit në ‘Schengen’, opozita punon kundër integrimit”

Deklaron kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh dje se liberalizimi i vizave për shqiptarët, është një proces i sigurt, që do të finalizohet me sukses, pasi qeveria ka bërë reforma të thella strukturore.
Gjatë një prononcimi për mediat, pas Konferencës “Bashkëpunimi për zhvillim dhe të drejtat e fëmijëve në Shqipëri”, që u organizua në Muzeun Historik Kombëtar, kryetarja e Kuvendit, Topalli, i bëri thirrje opozitës të ndryshojë kursin politik dhe të fokusohet te aspiratat e përbashkëta të shqiptarëve.
“është punuar fort. Kemi plotësuar të gjitha detyrimet. Po lobojmë fort dhe unë jam e sigurt se shqiptarët në 2010-ën do të lëvizin pa viza. Unë shfrytëzoj rastin për ta ftuar Partinë Socialiste, për të qenë bashkëpunuese në çdo ligj, në çdo reformë që ne vazhdojmë të kemi në Parlamentin e Shqipërisë. Deri në këtë moment që ne flasim, nga 9 shtatori, kemi kaluar 152 ligje, marrëveshje, vendime dhe rezoluta. Unë nuk e di sesi mund të ndihen deputetët e opozitës që nuk kanë qenë pjesëmarrës të këtyre reformave që do të bëjnë të mundur liberalizimin e vizave. Po ashtu, unë mendoj se opozita duhet të jetë bashkëpunuese. Në këto ditë çdo orë është vendimtare për liberalizimin e vizave. Natyrisht ne do të bëjmë çdo gjë për të rikuperuar kërcënimin që i është bërë nga bojkoti dhe kërcënimin që i është bërë nga mospjesëmarrja tërësore në të gjitha punimet parlamentare si në komisione, ashtu edhe në aktivitete të tjera të punës së Parlamentit. Por unë e shoh me optimizëm. Liberalizimi i vizave do të bëhet për shqiptarët”, u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
E pyetur nëse ka marrë mesazhe nga opozita në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Kryetarja e Kuvendit theksoi se, “unë e kam ftuar dhe do të ftoj çdo ditë opozitën për të qënë bashkëpunëtore në çdo reformë”.
Gjithashtu Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cilësoi si moment historik dorëzimin e Pyetësorit të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Janë 6 muaj nga 16 nëntori 2009, një datë e jashtëzakonshme kur u pranua kërkesa e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat, një muaj më vonë, kur në Shqipëri erdhi pyetësori dhe sot më 15 prill ne dorëzojmë pyetësorin në Bruksel. Ky është finalizimi i një pune të jashtëzakonshme, të reformave. Ato reforma që ne kemi realizuar gjatë të gjithë këtyre viteve, nga Parlamenti, nga Qeveria, nga institucionet e tjera. Janë përmbledhur në librin, i cili është rezultat i një pune jashtëzakonisht të madhe të administratës shtetërore, të Kuvendit të Shqipërisë, të Qeverisë, të Ministrive, të Agjencive dhe të institucioneve të tjera. Pra mund të them që në një periudhë kaq të shkurtër brenda 6 muajsh ne kemi 3 data jashtëzakonisht të rëndësishme, data historike në proceset integruese. 16 nëntor, 16 dhjetor dhe 15 prill. është një datë shumë e rëndësishme”, u shpreh kryeparlamentarja Topalli.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›