E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantohet projekti 1.2 miliardë eurosh për ndërtimin e Portit të Vlorës



Kryeministri Berisha ka marrë pjesë dje në prezantimin e projektit për ndërtimin e Portit të Vlorës nga konsorciumi anglo-zviceran “Zumax”. Projekti është një investim me vlerë 1.2 miliardë eurosh që parashikon ndërtimin e një terminali me kapacitet prej më shumë se 3 milionë kontejnerë në vit. Ai do të shërbejë si një port transit dhe import-eksport për rajonin, duke ofruar gjithashtu hyrje efikase për në det për komunitetin lokal. Zona e lirë do të ofrojë lehtësira dhe shërbime për të mbështetur zhvillimin e industrisë së lehtë në Vlorë. Në këtë port është parashikuar punësimi i 2 mijë punonjësve dhe 800 nëpunësve të administratës. Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në këtë aktivitet, u shpreh se zbatimi i këtij projekti do ta shndërrojë Vlorën në një nga qendrat më të fuqishme detare të Mesdheut, por dhe zonën e lirë në një nga gjeneratorët më të mëdhenj të zhvillimit të Shqipërisë. “Mund të them se Vlora, për pozicionin e saj gjeografik, ujërat e saj të thella, njerëzit e saj punëtorë, e meriton këtë projekt, me bindjen më të thellë se kjo do të jetë një histori e madhe suksesi”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka garantuar drejtuesit e kompanisë për lehtësimin e punës së tyre nga qeveria. Kryeministri vlerësoi se përzgjedhja e Shqipërisë për realizimin e këtij projekti është një zgjedhje e mençur nga ana e kompanisë, pasi Shqipëria, pavarësisht se një vend i vogël në hartë, paraqet potenciale të mëdha për investime në rezervat hidrike ato minerare dhe në turizëm.

5 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›