E Shtunë, 31 Tetor 2026

Felaj: Ja skema e abuzimit të Rulit me HEC-in Bënçë-Progonat

TIRANË- Partia Socialiste ka zbardhur sot aferën korruptive me HEC-t, të ish ministrit të ekonomisë Genc Ruli. Sipas deputetes Ermonela Felaj, për dhënien me koncesion të ndërtimit të hidrocentralit Bënçë-Progonat janë zhvilluar dy gara me parregullsi të konsiderueshme, sic tha ajo.

Felaj sqaron se njëra prej shoqërive të përfshira në garë “më konkretisht shoqëria italiane Radici Energie spa i ka kërkuar paraprakisht METE sqarim lidhur me kushtet hidroteknike që parashikoheshin në dokumentet standarde të procedurës konkurruese për këtë koncesion. Por respektimi i kësaj direktive të përpiluar nga vetë METE, rezultoi fatal për kompaninë në fjalë, sepse pikërisht respektimi i kësaj direktive shërbeu si sebep për skualifikimin nga gara të kësaj shoqërie”, tha Felaj.

Felaj sqaron se pas skualifikimit shoqëria Radici Energie spa i drejtohet Avokatit të Prokurimeve dhe Agjencisë së Prokurimeve për të apeluar vendimin e ministrisë së Genc Rulit. Pas kësaj lëvizje thotë Felaj “Ndodh që një garë tjetër shfaqet në horizont, pra ndodh çudia e radhës. Hapet një garë e re për këtë koncesion për të favorizuar një tjetër kompani e cila, me ç’tregojnë dokumentet, gëzonte mbështetje të fuqishme në ministrinë e Genc Rulit”.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›