E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: 55 të arrestuar për krime të ndryshme

TIRANE- Prej tre ditësh Policia e Shtetit ka nisur zbatimin e një plani masash në të gjithë vendin, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe rritjen e sigurisë në komunitet. 

Vetëm në tre ditë, Policia ka bërë të mundur ndalimin dhe arrestimin e 55 personave të akuzuar për krime të ndryshme, ndërkohë që në kushtet e flagrancës janë arrestuar 37 autorë të veprave penale, janë ndaluar 23 persona të shpallur në kërkim, si dhe janë bllokuar 16 armë zjarri të llojeve të ndryshme, të cilat mbaheshin pa leje. Referuar burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, kontrolle janë ushtruar edhe për shkelje të Kodit Rrugor, ndërsa janë shoqëruar në Polici 196 automjete të llojeve të ndryshme dhe në 331 raste janë marrë masa administrative. 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, tha të hënën se "zbatimi i këtij plan-masash do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë dhe jetës së komunitetit, si dhe vënien para drejtësisë të autorëve të veprave penale". 

Po në këtë kuadër, gjatë kontrolleve të ushtruara për zbatimin e rregullave të Kodit Rrugor nga ana e drejtuesve të automjeteve, nga Njësitë Rajonale të Policisë Rrugore, janë vendosur 7.410 masa administrative gjobë për shkeljet e konstatuara. Në 102 raste drejtuesve të automjeteve u është hequr leja e drejtimit për përdorim të pijeve alkoolike, ecje me shpejtësi tej normave të lejuara apo shkelje të tjera në kundërshtim me normat e Kodit Rrugor. 

Janë bllokuar gjithashtu 170 automjete dhe konfiskuar 4 për mangësi apo shkelje të ndryshme në dokumentacion.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›