E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani, gati ofertën për Behramin

Valon Behrami është bërë njëri ndër objektivat e Milanit. Sipas mediave italiane, gjiganti italian e ka përgatitur një ofertë të majme katërvjeçare për mesfushorin kosovar, i cili po shkëlqen te Fiorentina. Nëse palët merren vesh, 26 vjeçari mund të vishet kuq e zi qysh në janar.

Milani po insiston me ngulm që ta bëjë të vetin Valon Behramin. Klubi Rossoner do ta përforcojë gjithsesi mesfushën në janar për shkak të lëndimeve të shpeshta të lojtarëve dhe në listën e tyre është edhe mesfushori kosovar.

Kampioni në fuqi e ka marrë një përgjigje negative nga Fiorentina për Riccardo Montolivon dhe për këtë kuqezinjtë ia kanë mësyrë një tjetër lojtari të klubit Viola.

Duket se klubi i Silvio Berlusconit po e përgatit terrenin për Valon Behramin, i cili i ka pëlqyer shumë trajnerit Massimiliano Allegri në sfidën e tetë ditëve më parë ndërmjet këtyre dy skuadrave.

Sipas ueb faqes italiane calciomercato.com, Milani e ka përgatitur një kontratë të majme katërvjeçare për përfaqësuesin zviceran. Në këtë mënyrë, drejtuesit e klubit nga lagjja Turati po mendojnë ose ta bindin Behramin që ta konsiderojë këtë ofertë në një të ardhme të afërt ose t’i ‘vërsulen’ sërish Montolivos.

26 vjeçari Behrami ishte transferuar në Fiorentinë gati një vit më parë nga West Ham United. Ish futbollisti i Veronës dhe i Lazios është përshtatur mjaft mirë në ekipin nga Firenze, duke u bërë lojtar mjaft i rëndësishëm. Mirëpo, kur në mes gjendet një klub si Milani, gjërat mund të ndryshojnë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›