E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksploziv fabrikës së Çimentos Seament në Fushë-Krujë

Fabrika Cimentos Fushe-Kruje

Dashamir Biçaku

Dikush kërkon ta shkatërrojë me çdo çmim Fabrikën e Çimentos Seament në Fushë Krujë. Mbrëmë në hyrje të fabrikës shpërtheu një sasi e madhe eksplozivi, që tronditi gjithë zonën, ndërsa vuri në panik personelin e fabrikës që ishte në punë në ato momente. Atentati me eksploziv ndodhi dy ditë pas marrjes në pyetje nga policia të dy pronarëve Charles Bour-it dhe George Jeha si dhe tre banorëve nga fshati Zallë i Krujës ku ndodhet fabrika.  Pavarësisht se në zonën e fabrikës së çimentos, prej vitesh të tëra, po zhvillohen ngjarje kriminale që kanë tendencë dëmtimin e fabrikës së çimentos dhe vënien nën presion të pronarëve të kësaj fabrike, shteti dhe organet e tij, duken të pafuqishme për të reaguar ndaj kësaj veprimtarie kriminale. Prej më tepër se dy vitesh, sulmet dhe agresionet me lëndë plasëse ndaj objekteve që lidhen me fabrikën e çimentos janë shtuar ditë pas dite. Kulmi i ngjarjes ishte vrasja e Anuar Rizik, i cili ishte edhe zëvendësdrejtori i fabrikës, që aktualisht drejtohet nga Charles Bouri, djali i një prej aksionerëve kryesorë të fabrikës.

Ngjarja

Te hyrja e Fabrikës së Çimentos, në vendin ku është porta e trenit, rreth orës 22.55 ndodhi një shpërthim i madh i shoqëruar me flakë. Në pak sekonda nisën të hidheshin në ajër një masë e madhe gurësh dhe objektesh të forta të tjera që u ngritën nga vala shpërthyese. Punëtorët e turnit, rreth 40- 50 vetë që ndodheshin të në ambientet e punës, u munduan të futeshin në ambiente mbrojtëse në godinat e fabrikës,- i tha Shekullit një dëshmitar okular i shpërthimit. Po kështu rojet e sigurisë që ndodheshin rreth 30 metra larg, vendit të qëndrimit u detyruan të futeshin në pozicion mbrojtës. Eksplozivi ishte vendosur rreth 30 metër larg vendqëndrimit të rojeve private dhe kamerave të vëzhgimit. Fillimisht në vendin e ngjarjes shkuan njerëzit e policisë private që ruan fabrikën, bllokuan vendin dhe më pas shkuan forcat e policisë së komisariatit të Krujës.

Konkurrenca

Duket se vrasja e palestinezit Rizik, zëvendësdrejtor i fabrikës, ka qenë vetëm një paralajmërim për pronarët. Menjëherë pas kthimit të drejtorit Charles Bouri nga Palestina, njerëzit e fuqishëm që kërcënojnë biznesin e tyre kanë vepruar sërish. Këtë radhë, me gjuhën e tritolit. Edhe policia e kishte kuptuar se pas sulmeve dhe vrasjeve mafioze, që kanë pasur në shënjestër biznesmenët e çimentos Seament, fshihet një dorë, që mbase është e konkurrentëve. Kjo është arsyeja që në mënyrë të përsëritur oficerët e Policisë Gjyqësore kanë pyetur dy pronarët kryesorë, Charles Bouri-n dhe George Jeha. Polici kërkon të dijë konfliktet me konkurrentët, raportet mes aksionarëve dhe sinjalet që kanë marrë herë pas here nga kundërshtarët e tyre.

Charles Bouri, drejtori i Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë është marrë në pyetje mesditën e së premtes për rreth 60 minuta nga oficerët e Policisë së Tiranës, në lidhje me vrasjen e shtetasit palestinez Anuar Rizik. Një muaj pas vrasjes së Anuar Rizik, pista kryesore ku janë fokusuar tashmë hetimet është ajo e konkurrencës.
Pista e konkurrencës është ngritur pas provave të reja të dala në dritë gjatë hetimeve të kryera, duke lënë në hije pistën e ngritur fillimisht për shkak të konflikteve për çështje pronësie me banorët e zonës. Por nga ana tjetër, burimet shprehen të rezervuara në lidhje me deklarimet që drejtori i fabrikës ka dhënë në polici, pasi sipas tyre, ato janë ende në proces hetimor. Ndërkaq, bëhet e ditur se dy ditë më parë, janë marrë në pyetje dhe drejtues të tjerë të lartë të kësaj fabrike, të cilët gjithashtu u janë përgjigjur pyetjeve të oficerëve të policisë. Pavarësisht se hetimet janë fokusuar në pistën e vrasjes për shkak të konkurrencës, mësohet se edhe pistat e tjera të hetimit nuk janë lënë pas dore nga ana e grupit hetimor.

Burimet palestineze

IMEMC një agjenci e pavarur lajmesh në territore palestineze raporton se vrasja e Anëar Rizik, zv/drejtorit të fabrikës së çimentos Seament Albania në Fushë Krujë mund të jetë urdhëruar nga kompanitë konkurrente. Ndërsa i bën jehonë vrasjes se bujshme në Tiranë IMEMC raporton se sulmi ndodhi në orën 8:00 të mëngjesit të së mërkurës. Anuar nga Beit Jala pranë Betlehemit po largohej nga apartamenti, pranë Ambasadës Amerikane, dhe sapo hapi derën, eksplozivi shpërtheu duke i sjellë vdekjen. Burimet policore thanë se ai ishte aktivizuar me telekomandë. Policia shqiptare tha se atentatorët e kishin monitoruar Anuarin për një kohë të gjatë , duke studiuar rutinën e tij të përditshme që në mëngjes ku ai çonte dy fëmijët në shkollë. Rizik ishte menaxher i një fabrike çimentoje, policia ka hapur një hetim ndërsa disa burime thonë se ai mund të jetë vrarë nga vrasës i punësuar nga një kompani rivale-shkruan IMEMC. Policia po ashtu i ka kërkuar Ambasadës Amerikane që të ofrojë materiale nga kamerat e tyre të vëzhgimit me shpresën për të gjetur diçka që mund të ndihmojë hetuesit. Të premten, Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, dërgoi ngushëllimet e tij dhe të qeverisë shqiptare për familjen e Rizik dhe për presidentin palestinez, Mahmud Abaz. Nishani u angazhua se do të ndjekë nga afër hetimin derisa vrasësit të kapen dhe të procedohen, duke shtuar se disa të dyshuar janë arrestuar. Ai tha se një kompani private hetimesh është përfshirë në këtë hetim. Nishani tha se nuk beson se sulmi ishte i motivuar politikisht, por shtoi se nuk përjashton asnjë pistë. Fuad Rizik, babai i Anvar, shërbeu si anëtar i Këshillit Kombëtar Palestinez dhe Këshillit Qendror të Organizatës për Çlirimin e Palestinës. Ai ishte një nga themeluesit e Komunistëve Palestinezë dhe shërbeu si Sekretar i Përgjithshëm.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›