E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hotel “Dajti” dhe rasti “Argjentina”

Ervin Bushati

Në janar 2010, Presidentja e Argjentinës Cristina Kirchner pushoi nga puna Martin Redrado, Guvernatorin e Bankës Qendrore të ...vendit. Kjo ndodhi pas një muaji debate të ashpra mes palëve: Guvernatori refuzonte të dorëzonte te zonja e parë rezervat e Bankës Qendrore, për të shlyer borxhet e Qeverisë, në përkushtim të ligjit vendës që e ndalonte një masë të tillë. Me sa duket, qeverisë argjentinase i duheshin më shumë dhe më shpejtë paratë - sesa i duhej shërbimi patriotik që Guvernatori po i bënte shtetit ligjor. Guvernatorja e re në detyrë, i kaloi menjëherë Qeverisë dyfishin e shumës së kërkuar.
Këto ditë mësuam për një "vendim-rrufe" të Qeverisë shqiptare për të shitur me 'dhunë' një hotel në qendër të Tiranës, ndërsa blerësi i detyruar ishte Banka e Shqipërisë. çmimi i shitjes ishte dy herë më i madh se ai i kërkuar nga Qeveria, kur donte ta shiste në një tender të hapur. Kuptohet që dhe çmimi u komandua nga Qeveria mbi blerësin viktimë, në këtë situatë sa absurde për një ekonomi të lirë, aq dhe komuniste në mentalitetin e saj imponues. Ngjashmëritë përtej kontinenteve na bëjnë të shqetësohemi për mënyrën se si një Qeveri, parimisht demokratike, shkel rregullat bazë të ekonomisë së tregut, ashtu si shkel dhe rregullat bazë të shtetit ligjor.
Berisha nuk është politikani i parë që fut duart në rezervën e Bankës Qendrore të bankës së tij, por mënyra dhe nxitimi me të cilën u krye ky operacion, ngjan më shumë me një akt komitetesh sesa me një strategji qeverisëse, për të ujitur financat publike te thara prej kohësh. Banka e Shqipërisë nuk mund të jetë oazi në shkretëtirën në të cilën ndodhen financat publike sot, për shkak të hallakatjes se karvanit elektoral të Qeverisë Berisha.
Fondet publike të shpërdoruara vjet dhe administrimi prej krize i ekonomisë nga Qeveria që kemi sot, na kanë dorëzuar si shtet para gjendjes së trishtë të një stresi financiar: një stres që ndihet nga mungesa e theksuar e likuiditetit në treg. Vonesa e lëvrimit të një Eurobond me vlerë 400 milionë euro në tregjet ndërkombëtare, ka bërë që Qeverisë t'i shterojë durimi bashkë me likuiditetin financiar. është ky likuiditet i shteruar që e shtyn Kryeministrin drejt asaj që di të bëjë më mirë: të thyejë ligjin dhe të shkatërrojë balancat financiare dhe monetare të vendit të tij.
Kryeministri ka mësuar nga pushteti se asgjë nuk i bind votuesit më mirë se paraja, ashtu si ka mësuar se ku ka më mirë se ta marrë paranë nga burimi - që është banka. Kryeministri ka reputacion të thellë për urinë e tij ndaj pushtetit, ndaj asgjë nuk e ndalon atë për të përmbushur axhendën e tij. Në këtë rast, autonomia e Bankës Qendrore ra viktima e radhës e pushtetit të tij: një pushtet që kërkon dhe prodhon akoma më shumë pushtet.
Guvernatori Fullani e di mirë historinë e homologut të tij argjentinas: e di të plotë dhe e di që në fillim. Në vend që të priste për moralin e fabulës që ta kuptonte një pasardhës, ai i kurseu kohë dhe mund, Kryeministrit të tij që ka halle -- shumë më të mëdha sesa të merret me pavarësinë e institucionit bazë në jetën financiare, monetare dhe ekonomike të vendit të tij. Ndërkohë, që duhet të ketë në mendje se autonomia e Bankës Qendrore është e shenjtë dhe e pacenueshme jo pa shkak. Kredibiliteti monetar dhe financiar janë po aq jetik sa dhe stabiliteti ekonomik dhe ligjor i një vendi.
Kryeministri qeveris me kulaç dhe me kërbaç, kështu që Guvernatori e ka pranuar tashmë këtë realitet. Ashtu si kanë filluar ta pranojnë me dhimbje shumë institucione dhe organizma vendase, por dhe të huaja për fat të keq. Vetëm se historia na jep mësime të hidhura, kur i harrojmë rregullat e lojës dhe biem pre e presioneve të tilla, që vijnë nga pushteti për të kontrolluar politikat financiare dhe monetare të një vendi. Kështu tronditen themelet e ekonomisë, ligjit dhe shoqërisë sonë.
Për ironi të fatit (ose jo!!), Argjentina e vitit 2002 kësaj here, na jep një tjetër mësim, që nuk duhet ta harrojnë të dy zotërinjtë e mësipërm në radhë të parë. Nëstor Kirchner, presidenti i atëhershëm dhe bashkëshorti aktual i presidencës së sotme, dha dorëheqjen pasi e dërgoi Argjentinën drejt një "shkrirje" masive financiare dhe një trazirë të tmerrshme sociale. Kjo krizë hyri në histori si rast unik i një shteti të madh, që shkon drejt greminës prej financave publike të papërgjegjshme. Ne si vend e kemi dhënë kontributin tonë në historinë botërore të rasteve unike në vitin 1997. Për ironi të fatit (ose jo!!), ishte i njëjti "udhëheqës" që e shpuri popullin e tij drejt greminës. Le të mësojmë nga historia, para se të jetë vonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›