E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria dhe...vendet e ish-Lindjes

Autori i Lajmit: red.
Në Shqipëri janë rindezur debatet lidhur me hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit të kohës së komunizmit.
Ashtu si në raste të tjera, pseudonimet e politikanëve kanë nisur të përmenden në Parlament dhe nëpër gazeta.
Kuvendi i Shqipërisë shtyu për një kohë të pacaktuar diskutimin dhe miratimin e ligjit për pastërtinë e figurave.
Më poshtë lexoni disa nga vendimet e rëndësishme që kanë marrë ish vendet komuniste të Evropës Lindore për hapjen e dosjeve të ish-policive sekrete.
BULLGARIA
Në dhjetor 2006, parlamenti i Bullgarisë kaloi një ligj për të hapur arkivat e shërbimeve të saj sekrete dhe për të zbardhur të vërtetën mbi shërbimin tashmë të shpërbërë, Darzhavna Sigurnost, një prej shërbimeve më famëkeqe sekrete të Luftës së Ftohtë.
Sipas ligjit, publiku lejohet që të shohë dosjet.
Disa dosje mbeten sekrete për publikun, për "arsye të sigurisë kombëtare".
ISH-ÇEKOSLLAVAKIA
Në vitin 2003 Republika Çeke botoi listën e personave që kanë bashkëpnuar me policinë sekrete të kohës së komunizmit, StB.
Një listë me emrat e rreth 160 mijë të personave të pretenduar si bashkëpunëtorë, u bënë publike një dekadë përpara nga ish-dezidenti Petr Cibulka, që tha atëherë si i kishte marrë informacionet prej një burimi që kishte mundësi të shihte dosjet e StB-së.
Sllovakia hapi mijëra dosje sekrete të StB-së në nëntor 2004.
Këto dosje përmbanin emrat e më shumë se 21 mijë vetëve, ku përfshihen informatorë dhe dizidentë të pretenduar, datojnë në mesin e viteve 1950.
GJERMANIA
Pas ribashkimit, Gjermania kaloi një ligj në vitin 1991 për hapjen e arkivave të policisë sekrete të Gjermanisë Lindore, Stasi.
Ligji për Dosjet e Stasi-t, i mbrojti ato nga shkatërrimi dhe mundësoi hapjen e tyre graduale.
Çdo shtetas ka të drejtën të inspektojë dosjet personale dhe të gjejë se deri në çfarë mase Stasi ka ndikuar në jetën e tij.
Më shumë se dymilion njerëz i kanë inspektuar dosjet e tyre.
HUNGARIA
Në vitin 2003 një ligj u mundësoi individëve që të shikonin dosjet e tyre të hartuara nga policia sekrete e kohës së komunizmit, për t u krijuar mundësi viktimave që të shikonin se kush i kishte spiunuar.
Vetëm informacionet që vlerësohet se prekin sigurinë kombëtare mbeten sekrete.
POLONIA
Në nëntor 2006, presidenti Lech Kaczynski firmosi një ligj të ri për hapjen e dosjeve të policisë sekrete që përmbanin informacione për diplomatë aktualë, ministra qeverie dhe anëtarë të parlamentit.
Përpara këtij ligji, vetëm historianët dhe gazetarët kishin mundësi t i shihin këto dosje, të cilat mbahen në Institutin Kombëtar të Përkujtimit (IPN) të ngritur në 1998 për të përndjekur krimet naziste dhe komuniste në Poloni.
Dosjet janë bërë publike, por personat që tregohen se kanë bashkëpunuar kanë të drejtë të apelojnë në gjykata për të pastruar emrat e tyre.
RUMANIA
Në 1999 qeveria ngriti një komision të posaçëm, Këshilli për Studimin e Arkivave të Sigurimit (CNSAS) për të studiuar miliona dokumente të policisë sekrete.
Në bazë të ligjit, CNSAS-s i kërkohet që të kërkojë mes dokumentave për shenja bahkëpunëtorësh në mesin e politikanëve dhe figurave të larta publike.
Në 2005 të gjitha arkivat e policisë sekrete (Securitate), u hapën për publikun, me përjashtim të atyre të kanë të bëjnë me çështje të sigurisë kombëtare.
Mijëra vetë kanë mundur të zbulojnë nëse të afërmit apo fqinjët e tyre kanë qënë apo jo spiunë.
ISH-BASHKIMI SOVJETIK
Në ish-Bashkimin Sovjetik, me përjashtim të republikave balltike, tendenca ka qënë për t i mbajtur të mbyllura këto arkiva të policisë sekrete sovjetike, KGB.
Ish-oficerë të lartë të KGB-së janë në krye të politikës apo biznesit në Rusi.
Nga vendet ballktike, Letonia votoi në mars 2007, për hapjen e arkivave që mbanin emrat e agjentëve të ish KGB-së.
Parlamenti i Lituanisë votoi në tetor 2006 për hapjen e arkivave specialë të qeverisë ku mbahen dosjet e KGB-së, që këto dosje të jenë të hapura pa kufizime për publikun.
ISH-JUGOSLLAVIA
Në vitin 2001, shtetasit serbë u lejuan për herë të parë që të shikonin dosjet sekrete të UDBA-s.
Por shoqatat për të drejtat e njeriut kundërshtuan ndaj faktit se pasuesit e UDBA-s mund të ruanin kontrollin e dosjeve.
Ata gjithashtu ishin dyshues se shumë dosje mund të jenë shkatërruar në ditët dhe javët që pasuan rrëzimin e Sllobodan Millosheviçit.
Pjesa më e madhe e publikut në Serbi dhe Kroaci është e interesuar lidhur me dosjet e policisë sekrete në vitet pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Në nëntor 2001, Kroacia hapi dosjet e policisë sekrete të mbajtura nga qeveria e presidentit, Franjo Tudjman.
Në prill të vitit 2003, një faqe interneti e pautorizuar afishoi informacione për 1.5 milion individë në Slloveni, të marrë nga arkivat e UDBA-s. Qeveria u përpoq që të bllokonte hyrjen në këtë faqe.
“Ligji për lustrim”, ka marrë dritë të gjelbërt edhe nga shumica parlamentare e Kuvendit të Maqedonisë në fillim të këtij viti.
Miratimi i këtij ligji do të mundësojë formimin e një komisioni, kryetar i të cilit do të jetë deputet i opozitës. "Çdo person që kryen funksion të lartë shtetëror duhet të deklarohet para komisionit, se nuk ka qenë bashkëpuntor i shërbimeve sekrete", thuhet në ligj.
Gjithnjë sipas tij, personat që nga 1946-ta e deri në miratimin e ligjit në fjalë kanë qenë të përfshirë në shërbimet sekrete nuk do të kenë të drejtë të merren me funksione të larta shtetërore.
Ky lajm është publikuar: 04/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›