“Shqipëria do të kontribuojë në operacionet e NATO-s, për paqen dhe sigurinë në botë”
Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së NATO-s në Tiranë
Kryeministri Sali Berisha garantoi dje se Shqipëria do të jetë prezent dhe do të kontribuojë në të gjitha misionet e NATO-s, si një vend anëtarë e Aleancës më të madhe në botë, për paqen dhe sigurinë. Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e ndërrimit të komandës së NATO-s në Shqipëri. Pas 18 muajsh në krye të kësaj detyre, gjeneral brigade Vasili Kirilov Dimitrov, në prani të admiralit Fitzgeral, ministrit të mbrojtjes Oketa, shefit të Shtabit të Përgjithshëm Malaj dhe përfaqësive diplomatike të akredituara në Shqipëri, ia dorëzoi detyrën gjeneral brigade Dincho Ivanov Karamunchev. Kryeministri Berisha vlerësoi punën e gjeneralit Dimitrov, gjatë periudhës që udhëhoqi misionin e NATO-s në Shqipëri, duke e cilësuar si një dëshmitar dhe katalizator i procesit të anëtarësimit të vendit në aleancë. “Gjeneral Dimitrov është gjeneral i një karriere të shkëlqyer ushtarake, i cilësive të rralla, dhe jam i sigurt që ka një të ardhme të madhe si ushtarak në vendin e tij dhe në strukturat e NATOS-s. Por gjithashtu, dua të theksoj se emërimi juaj në Shqipëri, detyra juaj në Shqipëri, do të shkëlqejë gjithmonë në karrierën tuaj. Ju erdhët këtu 18 muaj më parë, në krye të komandës së NATO-s në Shqipëri, erdhët në një periudhë kur anëtarësia e Shqipërisë në NATO ishte ende një aspiratë. Në këtë periudhë ju ishit jo vetëm dëshmitar, por një katalizë dhe një kontributor i madh dhe rëndësishëm në zhvillimet e mëvonshme në Shqipëri. Për çdo komb të lirë, anëtarësia në Aleancën e Atlantiku të Veriut, aleancën më të fuqishme të lirisë të të gjitha kohërave, është një ngjarje shumë e madhe. Por për kombet e vogla që kanë pasur problemet më madhore të sigurisë në historinë e tyre, kjo është arritja më e jashtëzakonshme”, u shpreh Berisha. Berisha garantoi gjeneralin e ri Karamunchev, se do të vazhdohet bashkëpunimi, duke premtuar angazhim të denjë të Shqipërisë në të gjitha operacionet dhe misionet e NATO-s. “Dua ta siguroj gjeneralin Karamunchev se traditën e shkëlqyer të bashkëpunimit të paraardhësit të tij gjeneral Dimitrov, do ta thellojmë më tej dhe do ta konsolidojmë më shumë. Ju do të drejtoni ekipin tuaj në një vend, që në prillin e kaluar, u bë anëtar i plotë i NATO-s. Dje në përmbushjen e detyrimeve tona dhe në mbështetjen e strategjisë të presidentit Obama për Afganistanin ne nisëm një kompani të re për Herat, duke dyfishuar praninë tonë në këtë vend. Ne do të çojmë sërish një ekip të ri me mjekë dhe infermierë në Kabul dhe do të marrim pjesë aktive në ndërtimin civil të këtij vendi brenda mundësive tona. Këto janë hapat e para që ne do të marrim si një vend anëtar, por ne jemi të vetëdijshëm se reformat duhet të jenë ‘perpetuum mobile’ për forcat tona të armatosura dhe vendin në tërësi. Ne e llogarisim shumë ndihmën dhe kontributin tuaj në shtyrjen përpara të reformave në forcat tona të armatosura. Ne jemi të vendosur që brenda vitit 2010 të kalojmë tërësisht në ushtri profesionale. Ne ndjejmë nevojën dhe jemi të vendosur që ushtria jonë të aftësohet gjithnjë e më shumë për veprimet e saj në kushte paqeje, sikurse të aftësohet për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të aleancës, aty ku e lyp nevoja”, deklaroi Berisha.
...