Kur Evropa të hyn në shtëpi pa pyetur
Mikpritja shqiptare, si pjesë e mikpritjes së popujve mesdhetarë, është shumë e njohur në të gjithë botën. Çdo kryefamiljar që njoftohet në një mënyrë a në një tjetër se do të vij një mik për darkë apo për drekë bëhen në katërsh për t’i dhënë atij një ngrohtësi dhe një mirëpritje sa më dinjitoze. Madje në veriun e Shqipërisë mikpritja është sofistikuar edhe në arkitekturën e shtëpisë, ku çdo shtëpi e vogël apo e madhe, ka dhoma të veçanta që quhen “Oda” ose dhoma e miqve për të respektuar mikun në maksimum. Pra kuptojmë se miku është i shenjtë. Vetë autoriteti i kanunit na thotë që shtëpia është e Zotit dhe e mikut!
Mirëpo pardje ne pamë sesi naiviteti i hetuesve të BE për të hyrë në shtëpinë e një malësori, pa i thënë: o i Zoti i shtëpisë, a do miq? Gati sa nuk na bëri gjëmën. U keqkuptuan nga padituria. Trogloditët me X-5 që shoqëronin hetuesit e BE, të rritur në metropolin e Tiranës, i kanë humbur këto zakone protokollare, me arrogancën që i mvesh shteti si shoqërues, ata bëhen të pa pritshëm. Ndërkohë, në shumë vende të Oksidentit, me aq sa kam parë, nuk të hyn njeri pa të njoftuar më parë në shtëpi. Sepse atje ka ligje që të bëjnë të zezën e ullirit po i hyre tjetrit në pronën e vet. Por si duket, edhe evropianët kur hyjnë në far west-in, që quhet Shqipëri, nuk pyesin, kujtojnë se më dollar dhe me pisqolla trokitet sinë në sallonin e filmave të Sergio Leones.
Ngjarja e Matit është po aq qesharake sa edhe mediatizimi i saj, i cili tregon një shtytje të pa parë, një shkallë pa përgjegjshmërie verore për të bërë shoë me disa gra e kalamani të një shtëpie, që pretendohet të ketë qenë e verdhë. Po hetuesit po bëjnë punën e tyre - kuptohet, sa për sy e faqe - kërkojnë prova materiale pas dhjetë vjetësh. Por edhe sikur kishin informata se atje të kishte ndodhur diçka, ai që i mund t’i ketë bërë këto prapësina do të priste edhe dhjetë vjet të tjera që hetuesit t’i gjenin të paprekura. Hetimi i zbardhjes së çdo prapësine është e nevojshëm kudo dhe çdo herë, por kësaj here akuzat bëhen nëpërmjet një libri biografik. Nuk është serioze që të bazohen në deklarata të njëanshme, aq më më tepër kur janë fiction. Edhe vetë Del Ponte nuk ka pasur aq informacion sesi shkonin punët e UÇK-së. Kuptohet vetiu se kjo vizitë e përgatitur - shkel e shko
- kishte synim të mbyllte gojët e liga të atyre që hamendësojnë krime transplantesh në atë Shtëpi. Përpos se tani gojët e liga kanë edhe një motiv më shumë për të dyshuar se aty fshihet diçka. Por në të vërtetë kjo është një farsë foshnjarake e disa burokratëve që “skandalizohen” për gjëra të paqena. Kjo është si asaj punës, krijohet një teori apriori dhe kërkohet fakte për ta vërtetuar a posteriori. Kjo është një gallatë e madhe. Një poshtërimi i dijes dhe respektin e kodeve të mikpritjes malësore mesdhetare. Është fyese për intelektin e atyre që studiojnë në Bruksel apo Sorbonë, Romë, Firence, Tubinga e ku di unë.
Veçanërisht po ta shikosh në një këndvështrim sipër-strukturor të rezulton se shoqëria shqiptare është nën vartësinë tradicionale të një sjellje irracionale inferioriteti ndaj të huajve. Kjo dukuri sigurisht që është shumëdimensional dhe parimisht duhet të ketë disa lloj shkaqesh dhe interpretimesh. Për shembull “Gjuetia” e prokurores ndërkombëtare Del Ponte është një dimension i anshëm i kësaj historie të përlyer me një mister vampiresk për të kërkuar shenja gjaku në një kullë, sikur kjo të ishte shtëpia e drakulës.
Afërmendsh pastaj kjo sjellje bëhet pre e majme e disa individëve që kanë maninë të përfitojnë nga këto situata spektrale. Nuk është e shpjegueshme nga ana logjike se çfarë faktesh do të mblidhnin hetuesit e Brukselit, se përse shkojnë në pronën e një fshatari, i cili ka të drejtën ligjore të dijë, cili është ky njeri që me luminol do t’i shkojë poshtë krevatit të dhomës së gjumin për të kërkuar veshkat apo mëlçitë e viktimave të luftës në Kosovë.