20 gushti, nisja e negociatave zyrtare për kabinetin “Berisha 2”
Kreu i Komitetit Drejtues të LSI-së, Edmond Haxhinasto konfirmoi dje se takimi i parë zyrtar i kryeministrit Berisha me kreun e LSI-së do të mbahej me 20 gusht e se qysh tani kishte një marrëveshje paraprake për planin reformator të qeverisë së përbashkët PD-LSI
Lëvizja Socialiste për Integrim konfirmon 20 Gushtin si takimin e parë publik Berisha –Meta ku edhe do të dizenjohen piketat e para të qeverisë së re, fryt i këtij koalicioni.
Kryetari i Komitetit drejtues kombëtar të LSI-së Edmond Haxhinasto, në një intervistë për “News24” deklaron se është në përfundim e sipër platforma qeverisëse, me të cilën vetë Ilir Meta do të ulet përballë kryeministrit Berisha, paraditen e 20 gushtit. Integrimi, ekonomia, punësimi, arsimi, bujqësia, dhe shëndetësia do të jenë sektorët ku LSI do të kërkojë të japë kontributin e saj, për të cilat do të duhet të presë dhe përgjigjen e kryeministrit Berisha, se cilën prej këtyre ministrive do ti besojë forcës së majtë në kabinetin e tij. “Jemi duke punuar mbi një platformë, në të cilën janë vendosur prioritetet tona, të cilat ne duhet ti arrijmë nëpërmjet bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike. Objektivat politike kanë të bëjnë kryesisht me integrimin e vendi, çështjen e punësimit, çështjet e zhvillimit të sektorëve të caktuar siç mund të jetë bujqësia dhe turizmi, përmirësimi i cilësisë të shërbimeve të shëndetit publik. Është çështje e negociatave se cila prej këtyre prioriteteve do të harmonizohen me prioritetet e qeverisjes në përgjithësi” u shpreh Haxhinasto.
Por në tryezën e parë publike Berisha-Meta nuk do të diskutohet vetëm ndarja e përgjegjësive qeverisëse, por edhe çështje të tjera me rëndësi siç janë ndryshimi i Kodit elektoral, zgjedhjet e ardhshme lokale si dhe zgjedhja e presidentit të ri të vendit.
“Platforma jonë politike do fokusohet kryesisht tek programi i përbashkët për të ruajtur profilin tonë politik, për të realizuar premtimet që u kemi bërë zgjedhësve dhe për t’u konfirmuar si një forcë politike e cila jo vetëm gjeneron ide politike dhe platforma por dhe i realizon ato me sukses” theksoi Haxhinasto.
Prej më shumë se një muaji, Ilir Meta i tha po publikisht një ftese të kryeministrit Berisha për të qeverisur sëbashku në koalicionin e parë që një maxhorancë e djathtë bën me një parti të një spektri të majtë. Meta i ofrohet Berishës me 4 mandate në parlamentin e ri, ndërsa vetë maxhoranca e djathtë numëron 70 të tilla.