Merkel e Fratini konfirmojnë nëntorin si kohë për miratimin e kërkesës së Shqipërisë

Ministri i Jashtëm italian Franko Fratini ka garantuar dje në një intervistë televizive se “brenda muajit nëntor, Bashkimi Evropian do të administronte kërkesën e qeverisë “Berisha” për marrjen e statusit të kandidatit dhe do të jepte miratimin për nisjen e procedurës teknike. Edhe kancelarja Merkel ka deklaruar se do të bëhej çmos që të kapërceheshin afatet formale që paracakton kushtetuta për konstituimin e komisioneve të parlamentit gjerman
Bashkimi Evropian merr vendimin për statusin kandidat të Shqipërisë brenda muajit nëntor. E planifikuar nga ministrat e Jashtëm të Brukselit, për t’u shqyrtuar në mbledhjen e radhës, në javën e fundit të tetorit, për arsye teknike dhe që lidhen me çështje të brendshme të BE, kërkesa u shty për në mbledhjen e ardhshme.
Shefi i diplomacisë italiane Franko Fratini gjatë një interviste televizive konfirmoi zyrtarisht se aplikimi i Shqipërisë për statusin kandidat që, u shty në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, duhet të kalojë brenda muajit nëntor. Fratini tha se këtë mesazh ia kishte përcjellë dhe kryeministrit Sali Berisha.
“Unë i konfirmova kryeministrit Berisha se, po këmbëngulim që aplikimi i Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, të shqyrtohet menjëherë nga Komisioni Evropian në mënyrë që të bëhen hapa konkretë përpara. Gjermania ka një kërkesë dhe nuk është kontradiktore në parim. Unë besoj vërtetë se në nëntor kërkesa do të shqyrtohet. Fratini vlerëson se parlamenti gjerman nuk do ta konsiderojë si çështje politike kandidaturën e Shqipërisë. Gjermania nuk na ka folur për vendim politik, por lidhet me një çështje Kushtetuese si konstituimi i parlamentit. Unë i mbahem mendimit se është një çështje teknike dhe vendimin mund ta kishim marrë edhe gjatë këtij muaji në unitet të plotë. Duhet unanimiteti, i cili nuk po arrihet”, deklaroi Fratini.
Të njëjtin mendim me ministrin Fratini ndajnë edhe shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Pas takimit me kancelarin gjermane Angela Merkel, kryeministri Berisha deklaroi se Këshilli Evropian, mund ta kalojë kërkesën e Shqipërisë gjatë muajit dhjetor, duke iu referuar mbledhjes së Bundestagut dhe kohës së nevojshme për formimin e komisioneve të parlamentit gjerman.
Kësisoj, në ditët e para të nëntorit, BE pritet të ketë gati një axhendë të përgjithshme të çështjeve që priten të trajtohen nga Brukseli.
Sipas burimeve zyrtare, në kryeradhë të tyre pritet të jetë shqyrtimi i aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat.
Një pjesë e mirë e liderëve të vendeve të BE, kanë shprehur mbështetje të hapur për aspiratën integruese të Shqipërisë, duke i bërë shpesh herë thirrje Brukselit që, të mos ngrijë në “sirtar” marrëveshje të rëndësishme që lidhen me zgjerimin e Unionit dhe garantimin e stabilitetit politik dhe ekonomik në rajon.