Rama i kërkon “Skëndërbeut” kalin e betejës politike
Për sheshin “Skendërbej”, Edi Rama duhet të kuptojë njëherë e mirë se nuk ka polemika - siç dëshiron Ai - por një kërkesë të qartë të zbatimit të ligjit në fuqi. Së pari mungesa e lejes mjedisore është një shkelje flagrante. Së dyti është kundër një V.K.M. (çuditërisht e kërkuar nga Rama kur ishte Min. Kulture) që e shpall sheshin pjesë e Monumenteve të Kulturës, ndaj punimet po bëhen në një Monument Kulture që në vend të prishet duhet të mbrohet.
Natyrisht çdo qytetar kërkon përmirësimin e sheshit kryesor të vendit, sepse është pasaporta e një kombi. Por duhet të kuptojmë se gjithçka duhet të jetë në suazat e një projekti konkret, në detaje, i para shqyrtuar me të gjithë grupet e interesit, dhe jo vetëm me ato të biznesit klanor. Gjithashtu ky plan ose projekt(-ide) duhet të ketë kartën e identiteti ligjor dhe arkitekturor, dhe të çertifikohet në KRTRSH-së për çdo modifikim, pasi nuk bëhet fjalë për një hapësirë si ajo e kompleksit “Tajvan”, por për qendrën e kryeqytetit shqiptar. Nuk e themi ne, por Ligja.
Mjerisht pejgamberi Rama gabon rëndë nëse mendon se Qeveria, arkitektët, intelektualët dhe opinioni publik po bën thjeshtë një polemikë kundër veprimit të bashkisë Tiranë. Sepse në këtë rast, si në asnjë rast tjetër, problemi është aq vital sa edhe i një rëndësie po aq të veçantë sepse është epiqendra e vendit dhe nuk mund të nisin punimet pa llogaritur efektin dhe pasojat, arkitekturore, estetike, kulturore, dh rezervat për trafikun që kanë për qytetarët. Shumë kush mund të thotë se Edi Rama, krye-socialist, ka zgjedhur të mos përfshihen në polemikat për sheshin Skënderbej. Kurse Edi Rama, kryebashkiak ka zgjedhur të përfshihet për pak kapital politik, dhe shumë kapital ekonomik të përfshihet në implementimit të planit grabitqar të qendrës së kryeqytetit. Në një inspektim për mediet, afër sheshit ku punohet, ai ka deklaruar se projekti është i plotë dhe ambicioz. Mentalitet sa barbar aq edhe kriminal.
Mirëpo projekti mund të jetë ambicioz për tekat e tij, por që është i plotë kjo është një gënjeshtër që nuk ka sesi të jetë e vërtetë. Ai akoma nuk ka sqaruar problemin e asaj kullës, që lëviz si akrepat e orës sa në një cep në një cep tjetër në maketin e paraqitur nga firma Belge apo franceze, nuk kuptohet. “Zgjimi” nga letargjia i Bashkisë lidhet direkt me deklaratën e kryeministrit Berisha për shtrim me asfalt të rrugës përreth Sheshit, çka u ndoq me një hutim të dhe me një reagim nervoz të bashkisë duke nxitur kryesimin e punëve, një veprim banal që e nxori Ramën lakuriq në sytë e të gjithëve.
Ndërkaq në redaksi na erdhi një e-mail i titulluar:“Ditarit i bashkisë” për ”Sheshi "Skënderbej" që i rikthehet qytetarëve, dërguesi ishte Bashkia Tiranë: në këtë letër elektronike flitet më superlativa për projekt-idenë e mikut të Edi Ramës, Anri Sala, e kamufluar paqshëm pas një konkursi farsë kompaninë belge “Studio 51N4E” për të projektuar në maket-ide sheshin “Skëndërbej”. Bile ka vend edhe për një justifikimin të një kulle, që Rama e quan “ Qytetare” apo në raste të tjera “Civile” çka shpreh se është përdorur si“shprehje individualitetit të njeriut dhe jo e turmës”.
Trafikimi me makete projektesh franceze apo belge në shtyp apo televizione është treguesi i hallit të të Papranueshimit Rama për të justifikuar kërkesat e oligarkëve të betonarmesë në Tiranë. Gjithsesi është pak e lezetshme kjo letër multi-mediale e ardhur me postë elektronike nga Bashkia Tiranë, e cila kërkon të mistifikojë me retorikë qesharake se “Përveç ndërtesave ekzistuese në morinë e aktiviteteve qendër qytetase shtohet edhe një godinë e re multi-funksionale dedikuar rekreacionit, çlodhjes dhe argëtimit qytetar, dhe gjithashtu, një objekt tjetër, i veçantë për nga destinacioni e tipologjia si ajo e kullës qytetare ( kulla civike), me një program ende për t’u përcaktuar, por me një finalitet të qartë: të dhurojë për qytetarin e thjeshtë, gjithë potencialin simbolik e kinematik, elevator të lartësive. Një mundësi sa abstrakte dhe konkrete e eksplorimit të qytetit në vertikalitet të tij”.
Të tilla lojëra falësh janë të denja për një gramaticien prestigjator, që në thelb ka mashtrimin dhe sugjestionin programor të Edi Ramës për të përdhunuar vlerat kulturore, arkitekturore dhe historikë të këtij vendi.