“Çdo ditë-një protestë”, si në “ditën e Enverit”
Prilli është shpallur nga Partia Socialiste e Edvin Ramës si “muaj sulmi” për të realizuar “çdo ditë nga një protestë”, me qëllim që të shkohet “me duarplot e ballin lart” në protestën përmbyllëse të datës 30 prill 2010. Në njëfarë mënyre, ideja e kësaj strategjie triumfuese apo “fanarndriçuese” është huazuar nga propaganda komuniste e pesëvjeçarit të fundit të viteve ’80, pas vdekjes së diktatorit në 11 prill të vitit 1985, kur edhe ditët e diela nuk ishin më pushim as për nëpunësit e kohës, por u shndërruan në ditë aksioni nën moton e përgjithëshme: “çdo ditë si në ditën e Enverit”. Të jetë koiçidencë vallë rikthimi i simbolikës dhe veprimtarisë së çdo dite në funksion apo në shërbim të një dite të vetme?!...
Siç dihet, në prill të këtij viti mbushen 25 vjet nga vdekja e Enver Hoxhës, i cili e udhëhoqi për gati gjysëm shekulli anëtarësinë e partisë, të cilën sot e udhëheq Edvin Rama. Në përgjithësi, shumica dërrmuese e ish punistëve të dikurshëm, me përjashtim të atyre që për arsye moshe apo arsye të tjera kanë shkuar në botën tjetër, janë rreshtuar sot në përbërje të anëtarësisë së Partisë Socialiste (ish-komuniste). Me ardhjen e Ramës në krye të kësaj force politike, nderimi dhe përkujtimi për veprën e Enver Hoxhës dhe shokëve të tij “të idealeve komuniste e partizane” ka marrë një dimension të ri. Natyrisht gjithëçka bëhet me kujdes, për të mos rënë në sy në botës demokratike si konservatorë dhe trashgimtarë të monizmit, me përjashtim të rikthimit në krye të PS-së të pinjollëve të ish nomenklaturës së lartë komuniste, që është një gjë e cila nuk mund të maskohet me demagogji. Fjala vjen, nuk mund të mohohet dot fakti që Dash Peza është djali i Babë Myslymit apo Iliri djali i Hamitit e kështu me radhë. Këta nuk janë një e dy, por një grup i madh njerëzish të rëndësishëm në Partinë Socialiste, të lidhur me njëmijë e një fije me ish Byronë Politike dhe ish Komitetin Qëndror të PPSH-së. Vetë kreu i PS-së, Edvin Rama është nipi i një prej ish byroistëve më fanatikë të kohës së monizmit, Spiro Kolekës.
Kjo kategori drejtuesish të lartë në Partinë Socialiste, më shumë se sa për të kujtuar e mbrojtur “veprën e ndritur të Enver Hoxhës”, është përzgjedhur për të drejtuar e udhëhequr këtë forcë të rëndësishme politike të vendit sipas metodave dhe skemave partiake të monizmit. Në këtë kuptim, promovimi i slloganit të Edvin Ramës: “çdo ditë nga një protestë, deri në protestën përmbyllëse të 30 prillit” është nxjerrë nga formulimi i parrullës mobilizuese të Ramiz Alisë, “për të punuar çdo ditë, si në ditën e Enverit”. Për shumicën e anëtarësisë së Partisë Socialiste e shkuara enveriste është burim frymëzimi dhe ndërgjegje politike për të sotmen dhe të ardhmen. Të ishte ndryshe, ata nuk kishte pse të bëheshin pjestarë të ish Komiteteve të Shpëtimit Kombëtar apo “njësiteve guerrile” në ’97-ën për të vrarë e dënuar “pa gjyq” kundërshtarët politikë. Të ishte ndryshe, ata nuk ka pse sot të braktisin jetën institucionale dhe të vërshojnë rrugëve në protesta si kaçakë, duke i kthyer “prapanicën e leckosur” gjithë botës demokratike. Por ndryshe nga paraardhësit e tyre, nuk janë as “njerëz të sakrifikës”, të luftojnë për idealet që mbrojnë edhe në kohë e situata të vështira. Konkretisht, për aksionin politik të “çdo dite nga një protestë…”, pritën që të iknin ditët e lagështa e të ftohta të dimrit për të ardhur pranvera, “që të dilnin nga ferra”. Megjithatë, duke e analizuar me kujdes çdo fjalë të shprehjes së mësipërme, shohim që më shumë se sa ditët e stinës pranverë është pritur prilli përkujtimor i diktatorit Enver. Vetëm në këtë kontekst protesta përmbyllëse e socialistëve më 30 prill, pas 29 mini protestave përgjatë gjithë muajit mund të konceptohet si “fundi i pushtetit të demokratëve”. Këtë qëllim e dekonspiroi me naivitetin e një provinciali të paemancipuar deputeti socialist i Librazhdit, kur iu hakërrye kryeministrit Berisha nga foltorja e Parlamentit.
Me pak fjalë, prilli është zgjedhur prej Edvin Ramës si muaji i protestave për të prekur zemrat revolucionare të anëtarësisë enveriste në Partinë Socialiste, në 25 vjetorin e vdekjes së atit të tyre shpirtëror. Qëllimi është që të vjelin “maksimumin e pjesmarrjes” në protestën e 30 prillit, për t’i treguar botës, pastaj, se “sa shumë janë ata që nuk duan Sali Berishën në pushtet, që nuk duan Europën dhe gjithë botën perëndimore, të cilët po i bezdisin me thirrjet e tyre diplomatike për të respektuar institucionet demokratike dhe parlamentarizmin”. Kësisoj politika e tyre është në shërbim të interesave meskine të një grupi të vogël njerëzish dhe jo të të gjithë popullit shqiptar, i cili po pret që të shohë sa më shpejt Europën dhe jo të shohë se sa protestues do të mbledhë Edvin Rama në 30 prill në Tiranë. Nga ana tjetër, kjo strategji e zgjedhur prej kreut të Partisë Socialiste për të protestuar çdo ditë për “ditën e Enverit” në 30 prill tregon edhe krizën e tij të mbështetjes në popull. Një lider i përkrahur nga njerëzit nuk ka nevojë të bëjë “zbor” apo stërvitje mobilizimi të përditshëm. Po kështu nuk ka nevojë që t’u ofrojë një turli të shpifur arsyesh e problemesh për t’i nxjerrë në protesta, duke filluar me “hapjen e kutive” e duke përfunduar me “çmimin e dritave”. Njerëzit kanë halle e probleme të ndryshme në jetën e përditshme, por kjo s’do të thotë se ato mund t’i zgjidhin duke mbushur rreshtat e protestuesve trumpirë të Edvin Ramës, për më tepër që në një sistem demokratik problemet e përditshme zgjidhen me punë e reforma dhe jo me fjalë e revolta. Por lideri socialist ka arritur deri aty sa të ftojë në protestë edhe ata, që fjala vjen, mund të kenë probleme të marrëdhënieve në çift. Dështimi që ai pësoi në protestat e vitit të kaluar për “hapjen e kutive” i ka futur deri në palcë frikën e mungesës së pjesmarrjes, ndaj përveç thënies: “çdo ditë si në ditën e Enverit”, ka adaptuar edhe shprehjen e mobilizimit në frontin nacional-çlirimtar: “të bashkohemi pa dallim feje, krahine e ideje”, duke formuluar thirrjen: “kushdo që ka një problem t’i bashkëngjitet protestës sonë!”. Natyrisht, më shumë se sa për hallet e të tjerëve, Rama e ka shqetësimin për hallin e vet, ndaj “sa të kalojë lumin” është i pari që shan “kalin”. Ndërkohë ai është i frikur edhe për faktin se Ramiz Alisë nuk është se i dha ndonjë fryt të caktuar puna me moton: “të punojmë çdo ditë sis në ditën e Enverit”, pasi në 5 vitet e fundit të monizmit ekonomia shqiptare degradoi plotësisht. Gjasat janë që pas 30 prillit politika e Ramës të ketë fatin e ekonomisë së Ramis Alisë në fund të viteve ’80, pavarësisht nga “tufëzat e arëzat” e protestuesve që ai po mundohet të mbarështojë çdo ditë nëpër qytete e fshtara të Shqipërisë.