E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e Gjermania në Hagë: Kosova e meritoi pavarësinë

HAGE-Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë vazhdon seanca dëgjimore për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me paraqitjen e vendeve që kanë shfaqur interesim për rastin.

Ambasadori i Shqipërisë në Holandë, Gazmend Barbullushi, në paraqitjen e argumenteve në Gjykatën Ndërkommbëtare të Drejtësisë, tha se “Shqipëria e cilëson shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.
Ai tha se Shqipëria do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e saj të plotë për popullin e Kosovës në përpjekjet e tij për paqen dhe përparimin për të gjithë qytetarët e saj.
Përfaqësuesi i Shqipërisë, në fjalën e tij, ka përmendur dhunën, siç e quajti sistematike, të Serbisë mbi popullin e Kosovës, që nga heqja me dhunë e autonomisë se Kosovës në vitin 1989.
Ambasadori shqiptar tha se Kosova dhe populli i saj gjatë viteve të 90-ta, e posaçërisht dhjetë vjet më parë, iu nënshtrua një, siç e quajti, spastrimi më të madh entik që pas Luftës së Dytë Botërore dhe vendi i tij, tha ai, ka pranuar atëherë mbi 700 mijë qytetarë të Kosovës.
Zoti Barbullushi, tha gjtihashtu se Kosova sot është një shtet i pavarur dhe shumëkombësh i përcaktuar për demokracinë dhe rendin dhe ligjin, me mbrojtjen e plotë për të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj.
“Përkushtimi i Kosovës për të mbrojtur të drejtat e njeriut, dhe të pakicave në veçanti, është një shembull për të gjitha vendet e tjera në botë. Me qëndrimin dhe sjelljen e saj të matur, Kosova kontribuon për paqen dhe qëndrueshmërinë në Ballkan. Ky është një fakt i pranuar përgjithësisht”, tha ambasadori i Shqipërisë në Hollandë.

Seancat dëgjimore për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kanë vazhduar me paraqitjen e argumenteve të vendeve që kanë shfaqur interesimin për rastin e Kosovës.
Rreth 30 vende, sa kanë paraqitur interesim për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë, do të kenë rastin që për dhjetë ditë në vijim të ofrojnë argumentat e tyre secila nga 45 minuta.

Përfaqësuesit e Republikës së Gjermanisë thanë se “shpallja e pavarësisë së Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe ajo ka forcuar paqen dhe qëndrueshëmrinë në rajon”.
Këshilltarja ligjore e Ministrisë së jashtme gjermane, Sussane Wasum Rainer, tha se statusi i Kosovës është rrjedhojë e të drejtës së popullit të Kosovës në vetëvendosje dhe se “ata që punuan për shpalljen e pavarësisë dhe e nënshkruan atë, kanë punuar në emër të popullit të Kosovës dhe jo në emër të institucioneve që janë krijuar nga autoritetet ndërkombëtare”.

Ligjshmëria e shpalljes së pavarësisë së Kosovës u soll përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në tetor të vitit të kaluar, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një Rezolutë të Serbisë me të cilën kërkohej mendimi këshilldhënës i Gjykatës për këtë cështje.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet që në pranverë të vitit të ardhshëm të marrë një vendim në formë të këshillës për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës e cila, thuhet se nuk do obligojë asnjërën palë.

Prishtina dhe Beogradi zyrtar ndërkaq që në ditën e parë të seancave dëgjimore, kanë paraqitur secila të drejtën e saj dhe kanë kërkuar nga Gjykata që të marrë një vendim bazuar, në siç, thanë të drejtën e tyre.

(d.b/BalkanWeb)
 

Sot në Hagë vazhdon seanca dëgjimore lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Dita e dytë e shqyrtimit të ligjshmërisë së deklaratës së pavarësisë së Kosovës, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, shënon fillimin e paraqitjes së qëndrimeve që shtetet kanë mbi këtë deklaratë. Në favor të Kosovës, qëndrimet e sotme do t’i prezantojë Shqipëria, Gjermania dhe Arabia Saudite, kurse në mbështetje të argumenteve të Serbisë do të jetë Argjentina. Janë gjithsejt 28 shtete që kanë deponuar qëndrimet e tyre deri më tani, pro dhe kundër deklaratës së pavarësisë. Në ditën e parë të këtij procesi, Kosova dhe Serbia kanë dhënë të dyja argumentet e tyre mbi ligjshmërinë apo jo të deklaratës së pavarësisë. “Është e paimagjinueshme që ne të pranojmë thirrjen e Serbisë për të kthyer orën mbrapa- për të zhvilluar negociata të mëtejshme, rreth asaj se a do ta pranojë apo jo Serbia Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo do të ishte tepër destabilizuese, dhe madje mund të prodhojë konflikt të ri në rajon”, ka tërhequr vërejtjen shefi i diplomacisë kosovare, Skender Hyseni, në fjalën e tij. Ai ka nënvizuar se “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe kështu do të mbetet, jo vetëm për hir të Kosovës, por edhe për hir të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme rajonale, për të cilën pavarësia e Kosovës ka kontribuar aq shumë”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›