Ska arsye pse Shqipëria të bëjë përjashtim nga ky mentalitet
Shkencëtarët u kanë rënë kambanave të alarmit si kurrë ndonjëherë tjetër. Janë 2500 shkencëtarë të shquar të botës që, pas një studimi disavjeçar, kanë dalë me një raport konsensual, ku as më shumë e as më pak, thonë se planeti i gjallë i Tokës mund të rrezikohet të vdesë, nëse njerëzit, si qenie të ndërgjegjshme në të, nuk veprojnë menjëherë për të ndryshuar sjelljen e tyre "arrogante" ndaj planetit.
Nuk ka autoritet botëror që mos të kërkojë veprim të shpejtë për të minimizuar efektin e gjithanshëm negativ, si rrjedhojë e ngrohjes globale.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, tek vizitonte Antarktidën pak muaj më parë, për të këqyrur nga afër efektet e ngrohjes globale, tha: "Nëse komuniteti ndërkombëtar bën diçka tani, ne do të jemi në gjendje të ndalojmë një progres të mëtejshëm të ngrohjes globale".
Bota ka resurset, ka teknologjitë, ka financat; e gjitha që mungon, është vullneti politik. Të mos harrojmë se të varfrit dhe të moshuarit do të vuajnë më shumë nga ndryshimet klimatike; uria dhe sëmundjet do të jenë më të zakonshme; thatësira, përmbytjet dhe valët e të nxehtit do të bëjnë të vuajnë rajonet më të varfra të botës. Në fakt, nuk ka shans tjetër për politikën, kudo në botë, veç mirëkuptimit mbarëbotëror për veprime të përbashkëta, që fillojnë tek cilido individ e vazhdojnë me institucionet vendimmarrëse e politikëbërëse, e deri tek OKB-ja. Nuk ka arsye pse Shqipëria të bëjë përjashtim nga përfshirja e mbarë njerëzimit kundra ngrohjes globale