E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e pathyer në Baku, Han krijon pikëpyetjet e para Shqipëria doli e pathyer nga përballja e katër me Azerbajxhanin (1-1), në një takim që përfaqësuesja jonë e luajti nga pjesa e dytë me dhjetë pas ndëshkimit me karton të kuq të El

Shqipëria doli e pathyer nga përballja e katër me Azerbajxhanin (1-1), në një takim që përfaqësuesja jonë e luajti nga pjesa e dytë me dhjetë pas ndëshkimit me karton të kuq të Elvin Beqirit. Por, ajo që shfaqi në stadiumin “Tofik Bahramov” të Bakut “lista” e servirur e Ari Hanit, në mungesë të “elefantëve” të mëdhenj, ishte shumë pak për të kujtuar se kuqezinjtë kanë barazuar me Suedinë e Portugalinë.

Me një grup lojtarësh jo me shumë përvojë ndërkombëtare – me përjashtim të Skelës, Duros e Beqirit- 15 lojtarët e aktivizuar nga tekniku holandez dhanë shumë pak përballë një kundërshtari shumë modest në letër, por shumë agresivë në fushën e lojës. Të paktën statistikat flasin në favor të formacionit azer të Berti Vogstit.

Një Shqipëri eksperimentale pritej në Baku, por jo një Shqipëri pa formë dhe me lojtarë me detyra të reja taktike, të ndryshme nga ato që futbollistët luajnë në Shqipëri. Edhe zëvendësimet nuk ishin në kohën e duhur, ku më flagrantët ishin ato të hedhje në fushë me vonesë të Sukajt (85’) e Muzakës (95’), nuk prodhuan efektin e pritur.

Azerbajaxhani u shfaq me superior, si në goditjet direkte drejt portës nga distanca të afërta e të largëta (goditje të shumta këndi) por ishin më të qartë në fazën ofensive, por dhe manovrat në kundërsulm, në një prej të cilëve u realizua edhe goli kundështarëve i shënuar nga Radomir Subashiç. Shqipëria nuk u ndëshkua më shumë edhe falë Hidit, i cili ishte në superformë, një zëvendësues i denjë i Arjan Beqajt.

Goli i realizuar nga azerët erdhi pas një humbje topi të Besart Berishës, i cili brenda natyrës së vet, gjithmonë për të kryer veprime individuale, provokoi edhe zënien në befasi të mesfushës e më pas edhe të mbrojtjes sonë. Subashiç fitoi një duel shpejtësie me Kristi Vangjelin, duke goditur topazi e mposhtur Isli Hidin pa kaluar ende katër minuta lojë në një stadium aspak frymëzues për Kombëtaren shqiptare.

Në fakt, loja jonë u frenua edhe nga gjyqtari gjeorgjian Sligava, i cili brenda dy minutash ndëshkoi me karton të verdhë mesfushorin Agolli e mbrojtësin Vangjeli, përpara se t’i tregonte kartonin e verdhë Skelës (34’) e më pas të kuqin Beqirit (45’).

Goli i barazimit, për fat të mirë erdhi shumë shpejt falë edhe një veprimi të zgjuar të Besar Berishës brenda zonës azere, kur me një asist në formë volej, nxorri të lirë Ervin Skelën për të realizuar golin e barazimit dhe të pestin historik të Shqipërisë kundër Azerbajxhanit në katër takime dhe të dhjetin e tij personal me fanellën e Kombëtares.

Duke parë takimin, natyrshëm që lind një pyetje thelbësore me dyshime pas.  Përse Han nuk thirri sulmuesin Edmond Kapllani apo fantazistin Jahmir Hyka, kur pa gjatë kohës së publikimit të listës mungesën e Erion Bogdanit për shkak të dëmtimit. Së dyti, përse Han nuk thirri Migen Memellin apo Erjon Rizvanollin, dy nga golashënuesit më të mirë në kampionatin shqiptar, apo të paktën kur Altin Lala e Lorik Cana bënë të ditur mospjesëmarrjen e tyre, përse nuk thirri Dorian Bulykbashin apo Parid Xhihanin.
Përgjigjet i di Hani, pavarësisht se të gjithë e konsiderojmë ndeshjen kundër Azerbajxhanit si një test para Maltës.

AZERBAJXHAN-SHQIPËRI 1-1
Golat: Subashic 4’ (1-0), Skela 12’ (1-1)
19 nëntor, Baku. Stadiumi “Tofik Bahramov”

AZERBAJXHANI: Mehtiev (46’ Veliev), Junisoglu, Idika (46’ Dzhaligov), Shukurov, Sadihov, Çertoganov (79' Abdilajev), Abasov, Mamedov (46’ Gusenov), Dzhvadov, Seinalov, Subashic (69' Nadirov)
SHQIPËRIA- Hidi, Beqiri, Vangjeli (46’Lila), Dallku, Vrapi, Curri, Agolli (95' Muzaka), Bulku, Duro (73'  Lika), Berisha (85' Sukaj), Skela
Gjyqtar: Lasha Sligava

Kartonë të verdhë: Zeinalov/ Duro, Agolli, Skela
Karton i kuq: Beqiri 45’

KRONIKA E NDESHJES
1’ Topi i parë luhet nga Shqipëria.
2’ Goditje dënimi për Azerbajxhanin nga një distancë prej 25 metrash Pa rrezik për portën tonë.
4' Azerbajxhan -Shqipëri 1-0. Besart Berisha, ndërmori një aksion personal në afërsi të mesfushës së Azerbajxhanit. Si zakonisht, teprimet e mbajtjes së topit nga sulmuesi i Rozenborgut, duke humbur topin, një kundërsulm të shpejtë azerbajxhanasit shënuan edhe golin e parë me anë të Subashiç, duke bërë të pavlefshëm ndërhyrjen e Hidit. Një gol i shpejtë.
5’ Karton i verdhë për mesfushorin e Tiranës, Ansi Agolli.
8’ Karton i verdhë për mbrojtësin e Arisit, Kristi Vangjeli
11’ Besart Berisha rrëmben një top brenda zonës azere, me një veprim të bukur dha një top për Ervin Skelën, kapiteni i Shqipërisë me një diagonale të rreptë shënoi golin e barazimit. Një dhuratë e bukur për 32-vjetorin e fantazistit të Energi Kotbusit. Ky është goli i 10-të për Ervin Skelën, i cili u barazua me Igli Taren e Sokol Kushtën. Mbreti është ende Alban Bushi me 14 gola.
19’ Azebajxhani sulmon nga krahu i majtë, Subashiç godet ashpërsisht dhe Hidi grushton, duke devijuar topin në goditje këndi. Të rrezikshëm azerët në këto minuta.
25’ Azeri Kondukov fitoi një goditje dënimi, pas faullit të Elvin Beqirit. Një goditje ballore nga 25 metra. Mur kuqezinj, Hidi grushton predhën e kundërshtarit.
30’  Një perfomancë e zbehtë e ekipit tonë përfaqësues. Shumë të tërhequr pas. Ndihen mungesat e lojtarëve titullarë si Lorik Cana e Altin Lala, edhe pse Klodian Duro e Ervin Skela po mundohen të frymëzojnë skuadrën tonë.  
33’ Kondukov futet midis Currit e Vangjelit, duke fituar një goditje këndi. Hidi ka pasur jo pak punë në këto minuta.
34’ Kapiteni i Shqipërisë, Ervin Skela ndëshkohet me karton të verdhë nga gjyqtari gjeorgjian i takimit.
37’ Radomir Bakshel përfitoi nga një rrëmujë brenda zonës sonë, por goditje e tij është e pasaktë.
38’ Karton i verdhë për një futbollist azerbajxhanas. 1-3 numri i kartonëve të verdhë për Shqipërinë.
45’ Në mënyrë shumë të çuditshme, gjyqtari gjeorgjian ndëshkoi me karton të kuq Elvin Beqirin. Protestojnë të gjithë futbollistët shqiptarë, ku Skela e Duro janë dhe protagonistët. Degjeneron situata në Baku. Trajneri Han ndërhyn për të qetësuar situatën.
Pjesa e dytë, nisi me shumë vonesë, gati 10 të tilla, madje ekipi ynë doli në fushën e lojës dy-tre minuta më vonë se ekipi vendas. Topi i parë për Azerbajxhanin. Në lojë hyn mbrojtësi Andi Lila në vend të Kristi Vangjelit.
62’ Sadihov gjuan nga një distancë e largët, por Hidi, një një superformë në ndeshjen e sotme, e devijoi në goditje këndi, duke shpëtuar portën tonë nga një tjetër rrezik. Në një ditë pas sulm e agresivitet Shqipëria.
64’ Ansi Agolli gjuajti nga larg, por topi i goditur nga mesfushori i Tiranës preku rrjetën e jashtme të portës së mbrojtur nga zëvendësuesi Veliev.
66’ Klodian Duro ndjek shembullin e Agollit, por gjuajtja e mesfushorit të Omonia Nikosias është shumë e dobët.
73’ Klodian Duro i lë vendin Gilman Likës, mesfushorit që luan në Turqi me Hacetepe.
79’ Abdiljev hyn në vendin e Çertoganov, zëvendësimi i pestë i kryer nga trajneri gjerman i Azerbajxhanit, Berti Vogst.
85’ Del Besart Berisha, dhe në vend të tij Xhevair Sukaj që luan në Turqi me Hacetepe.
85’ Goditje këndi për Shqipërinë
95’ Del Ervin Bulku, futet në lojë Gjergji Muzaka. Pas dy-tre sekondash mbaron ndeshja.

STATISTIKAT ME AZERBAJXHANIN

08.02.2000  
Shqipëri - Azerbajxhan 1-0
Shënues: Edvin Murati 37'
Trajner: Medin Zhega

27.03.2002  
Shqipëri - Azerbajxhan 1-0
Shënues: Igli Tare 39'
Trajner: Sulejman Demollari

17.08.2005 
Shqipëri - Azerbajxhan 2-1
Shënues:Bushi 28', Cana 72'/ Takishzahda  2'
Trajner: Hans Peter Brigel

19.11.2008
Azerbajxhan-Shqipëri 1-1
Shënues:Subashiç 4'/ Skela 12'
Trajner: Ari Han

E Merkure, 19 Nentor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›