E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e vitit 1939 në fotografi

TIRANE - Ura e Mesit në Shkodër, xhamia e Et'hem Beut, rrugë të reja që ndërtohen në Tiranë nën pushtimin italian; një xhami në Kavajë, dy në Shkodër, një lagje e krishterë në Korçë, tregtarë që sheshin produkte në rrugë, më së shumti të veshme popullore. Diku, na del para sysh edhe vila e Toptanasve, që për një kohë ka qenë edhe rezidenca e Mbretit Zog. Ato ditë, ai nuk duhej të ketë qenë në Shqipëri. Ishte viti 1939 dhe Shqipëria qe kapur prej fyti nga fashistët. Atmosfera e luftës, në fakt nuk shfaqet në fotografitë e gjermanit Richard Busch-Zantner. Ai ka kërkuar peizazhe, nga jugu në veri, e njëherazi ka fokusuar edhe vende e njerëz, tregje, fshatarë, lagje, shitës, njerëz të varfër, shqiptarët e Luftës së Dytë Botërore... Gratë janë të mbuluara me shami në kokë, burrat të veshur me teshat tradicionale të zonave nga ishin. Diku, në një prej resmeve të gjermanit, është edhe lagjja e myslimanëve të Tiranës, shtëpi qerpiçi, rrugica që kërkojnë diell, që të mos mbyten nga balta e shiut, e më tutje, krejt pafajshëm, na dalin edhe godinat e qendrës së sotme të Tiranës, i ashtuquajturi "Kompleksi i ministrive". Që të gjitha këto janë pjesë e koleksionit të hedhur në sajtin e Robert Elsiesë, albanologut të përkushtuar. Ato janë shprehur nga studiuesi e gjeografi gjerman më 1939-ën, dhe janë imazhe të një Shqipërie që e kemi humbur nga viti në vit, me ose pa dashje. 

Studiuesi e gjeografi gjerman Richard Busch-Zantner (lindur më 1911 e vdekur më 1942) ishte promovues i gjeografisë sociale. Ai në fillim ka studiuar strukturat sociale të juglindjes së Shqipërisë dhe më pas gjatë periudhës osmane, dhe më pas lidhjet e tyre me ekonominë. Në vitin 1938, ai paraqiti disertacionin e tij të doktoraturës në Universitetin e Erlangen me temë "Struktura Agrare, Shoqëria dhe Zgjidhja në Evropën Juglindore me vëmendje të veçantë në periudhën turke", e cila është e bazuar kryesisht në materiale nga Shqipëria. Shpejt pas kësaj ai botoi një vepër të përgjithshme mbi Shqipërinë (nën pushtimin italian), me titull "Shqipëria: një vend i ri në Perandori", Laipzig 1939. Ajo u bazua në punën që bëri përgjatë një udhëtimi nëpër Shqipërinë e vitit 1939, pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste. Elsie, fotot që publikon në sajtin e tij, i ka marrë pikërisht nga ai libër. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Busch-Zantner gjithashtu botoi një libër mbi Bullgarinë, por vdiq si ushtar në frontin rus në gusht të vitit 1942.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›